Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETVOA: Korrupsioni në Shqipëri, kërcënimi më i madh

VOA: Korrupsioni në Shqipëri, kërcënimi më i madh

Në Shqipëri, korrupsioni cilësohet nga qytetarët si kërcënimi më i madh i sigurisë. Kjo është gjetja kryesore e “Barometrit të Sigurisë 2022”, publikuar sot nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

Anketimi vëren se korrupsioni është rritur, e bashkë me të edhe mosbesimi i qytetarëve mbi luftën kundër tij.

Barometri i Sigurisë 2022 ka nxjerë për të katërtin vit rresht korrupsionin si kërcënimin më të rëndë, nga shumica e qytetarëve të anketuar, madje më i rëndë se sa krimi i organizuar apo lufta me fqinjët, pandemia apo terrorizmi.

Shumica e qytetarëve mendojnë se kërcënimi i korrupsionit në Shqipëri është i madh dhe shumë i madh.

Mbi 52 për qind e qytetarëve mendojnë se korrupsioni gjatë pesë viteve të fundit është rritur dhe është rritur ndjeshëm, ndërsa mbi 32 për qind pohojnë se korrupsioni është i njëjtë me pesë vjet më parë.

Një pjesë e konsiderueshme skeptike pohojnë se korrupsioni është i rrënjosur aq thellë sa që denoncimi i tij nuk do të sjellë asnjë ndryshim.

“Është për t’u shqetësuar se qytetarëve po iu zbehet besimi tek lufta ndaj korrupsionit. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pohojnë se nu kia vlen të denoncosh, sepse asgjë nuk do të ndryshojë. Po ashtu një pjesë e madhe kanë frikë të denoncojnë, sepse janë të bindur se pas kësaj i pret një pasojë negative” – thotë Arjan Dyrmishi, drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe autor i studimit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se në vitet e ardhshme korrupsioni do të jetë në nivel të njëjtë dhe afro 20 për qind se ai do të rritet.

Si shkaqe të korrupsionit ata renditin dobësinë e institucioneve dhe demkracisë, si dhe pushtetin e oligarkëve në shoqëri.

Ata thonë se përgjegjës për vazhdimësinë e korrupsionit janë politikanët dhe administrata publike.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të lidhur ngushtë. Krimi i organizuar përpiqet të korruptojë element në pushtetin qendror dhe vendor, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe zbatimin e dobët të ligjit. Ja pse u bë mirë që detyra e koordinatorit kombëtar antikorrupsion iu ngarkua ministrit të drejtësisë” – thotë nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj.

Vetëm 23% e qytetarëve thonë në anketë se qeveria është serioze në luftën kundër korrupsionit, ndërsa pjesa tjetër vlerësojnë lart seriozitetin e punës së SPAK-ut dhe gjykatave anti-korrupsion.

Afro treçereku i tyre vlerësojnë se puna e SPAK kundër korrupsionit është e rëndësishme dhe shumë e rëndësishme. Megjithatë, u vërejt një rënie e besimit të qytetarëve tek organet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.

“Ka një rënie, krahasuar me vjet, të besimit ndaj gjykatave dhe prokurorisë së posaçme. Së dyti është rritur niveli i mosbesimit të publikut ndaj organeve të sigurisë në përgjithësi, si policia, ushtria etj” – thotë Eduard Zaloshnja, ekspert i sondazheve dhe statistikave.

Një e treta e të anketuarve pohojnë se vetingu nuk e ka ulur korrupsionin në sistemin gjyqësor, po aq pohojnë se vetingu e pakësoi korrupsionin, ndërsa pjesa tjetër nuk janë të sigurtë për këto rezultate. Besimi dhe pritshmëria vazhdon të jetë e lartë tek vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Nga ana tjetër pjesa dërrmuese e qytetarëve besojnë se vetting-u i politikanëve do të ulte korrupsionin, dhe sipas tyre, pasurimi i paligjshëm duhet të konsiderohet si krim në Kodin Penal.

“Më shumë se sa korrupsioni i vogël i banaqeve, mua më shqetëson korrupsioni i normalizuar me ligj. Kapja e shtetit dhe përdorimi i tij me, duke miratuar ligje të porositura nga oligarkët është bërë një dukuri e zakonshme. Një zgjidhje do të ishte edhe vetingu mbi pasuritë e politikanëve, sipas të njëjtave rregulla, që këta ua vendosën gjyqtarëve dhe prokurorëve” – thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike të opozitës dhe kryetare e Këshillit Kombëtare të Integrimit.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë se partitë politike marrin financime nga bizneset në këmbim të favoreve.

Më shumë se gjysma e tyre pohojnë se është rritur korrupsioni me punësimin në administratën publike dhe prokurimet, ndërsa afro 30 për qind të tjerë pohojnë se ka mbetur i njëjtë.

Një pjesë e madhe mendojnë se qeveria nuk e ka rritur transparencën në vendimmarrje 5 vitet e fundit.

Një pjesë e madhe e të anketuarve, mbi 64 për qind, thonë se kanë frikë nga pasojat, nëse denoncojnë akte korrupsioni dhe se atyre që raportojnë akte korruptive duhet t’u jepet mbrojtje e veçantë.

Ata shprehen se raportimi i korrupsionit duhet të bëhet detyrim ligjor për të gjithë nëpunësit civilë.

Një shumicë e theksuar e qytetarëve pohojnë se ndihmesa e SHBA-ve dhe BE-së është shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit.

Mbi 60 për qind e të anketuarve mendojnë se krimi i organizuar e përdor korrupsionin si një formë ndikimi në vendimmarrjen politike të pushtetit qendror dhe vendor.

Ata besojnë gjerësisht se edhe partitë politike financohen nga krimi i organizuar dhe se ky i fundit ndikon në vendimmarrjen e prokurorive dhe gjykatave, si dhe në raportimin mediatik.

Në Barometrin e Sigurisë 2022 qytetarët vlerësojnë se një nga mënyrat për të ulur korrupsionin do të ishte rritja e pagave për administratën dhe policinë.

Por një pjesë e konsiderueshme theksojnë se korrupsioni është i rrënjosur dhe ai nuk vjen prej pagave të pamjaftueshme, por nga shtytja e grupeve dhe individëve për t’u pasuruar vazhdimisht përmes shpërdorimit të detyrës dhe posteve publike./VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME