Pak pas mesnatës së të enjtes, kur po mbyllej një seancë maratonë, 73 deputetë të Partisë Socialiste ngritën kartonat e kuq për të bllokuar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës. Kolegia e tyre akuzohej se ishte në konflikt interesi, sepse qeveria i dha bashkëshortit të saj, Artan Gaçit statusin e investitorit strategjik.
Socialistët rrëzuan raportin e demokratëve në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke bllokuar në këtë mënyrë një procedurë për të cilën Xhaçka ishte e shprehur e gatshme.
Votime si ky shenjojnë vullnetin e mazhorancës për të mbrojtur të vetët nga akuzat për korrupsion.
Fillimisht Olta Xhaçka kishte pranuar gjykimin nga Kushtetuesja gjatë replikave në parlament: “Ju ftoj ta çoni në Gjykatë Kushtetuese, por paraprakisht të informoheni mbi vendimet e GJK dhe do t’ju lutesha të mos vini për të linçuar njerëz nga fusha që vini edhe ju. Unë nuk jam marrë me biznes, por rruga e tim shoqi ka 30 vjet që merret me biznes” tha ajo duke iu drejtuar deputetit Agron Shehaj.
Por që në fillim të aferës, Xhaçka e kishte nuhatur konfliktin e interesit. Jo më kot, ajo zgjodhi të mos marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë që e shpalli bashkëshortin e saj, Artan Gaçin, investitor strategjik.
Si u bënë Gaçi dhe kunata “investitorë strategjikë”
Artan Gaçi ka qenë deputet i Partisë Socialiste gjatë viteve të opozitës. Pas martesës me Olta Xhaçkën, ai u tërhoq nga jeta politike, për të shmangur konfliktin e interesit në parti.
Qeveria i dha në përdorim një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites”, një hotel me vlerë 5.5 milion euro për një periudhë 30-vjeçare.
Por statusin e investitorit përmes Gaçit e mori edhe kompania “AGTTC Hotel Management”, e cila figuronte në pronësi të shtetases amerikane, Taëni Lin Grzych-Sutton.
Nga hulumtimi i BIRN rezultoi se amerikania ishte e fejuara e Andi Xhaçkës, vëllait të ministres së punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” pranoi Gaçi, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.
“Por, pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori,” shjegoi Gaçi.
Precedentët e deputetëve në konflikt të interesit
Votimi i mesnatës së kaluar është një nga rastet e rralla kur socialistët bëhen të gjithë bashkë për të mbrojtur një biznes privat të njërit prej tyre dhe konfliktin e interesit.
Para Xhaçkës janë dy precedent të ngjashëm.
Është rasti i Ilir Beqajt. Në vitin 2011 atij ju hoq mandati i deputetit, pasi një kompani e drejtuar prej tij kishte përfituar tendera për pajisjen me kompjutera institucionet në Durrës. Ndërsa në vitin 2016, ju hoq mandati i deputetit Koço Kokëdhimës. Ky i fundit kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Abissnet gjatë kohës që ishte deputet.
Këtë të premte, demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin e marrë nga parlamenti. Një kërkesë u depozitua nga Agron Shehaj dhe tjetra nga deputetë që konsiderojnë Enkelejd Alibeajn në krye të grupit parlamentar të PD-së.
Sipas opozitës, Kuvendi nuk mund të bllokojë gjykimin nga Kushtetuesja për një deputet që konsiderohet në konflikt interesi. Për këtë i referohen rastit të deputetit socialist Koço Kokëdhima, për të cilin fillimisht u refuzua dërgimi në gjykatë.
Në këtë interpretim thuhet se “Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese”.
Kur morën vendimin për ta “falur” kolegen e tyre, deputetët socialist bënë pikërisht këtë, pra vlerësuan nëse veprimet e Xhaçkës ishin ajo të ndaluara me Kushtetutë