BOTA

Zbulohet bunkeri i kokainës, arrestohet trafikanti shqiptar me një ‘thesar’ parash të gatshme

Aksioni i Karabinierëve të Anagnit në Itali: apartamenti i një 21-vjeçari ishte kthyer në një bazë të shpërndarjes së drogës, me mbi 220 gramë pluhur të bardhë dhe 20.000 euro.

TUNEWS ITALIA

Lufta e Karabinierëve të Kompanisë së Anagnit, në provincën e Frosinones, kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike vazhdon pa ndërprerje.

Mëngjesin e së mërkurës, 19 gusht, efektivët e NORM – Njësia Operative e Kompanisë së Karabinierëve të Anagnit, ndërmorën një goditje të rëndësishme kundër kriminalitetit lokal, duke arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar me origjinë shqiptare, me banim në Ferentino, nën akuzën për mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen e tyre.

Operacioni nisi kur ushtarakët e kapën të riun duke i shitur një dozë kokaine (0,54 gramë) një burri nga Anagni.

Ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve bëri të mundur ndalimin e shpërndarësit dhe kontrollin personal dhe të automjetit të tij. Gjatë kontrollit u gjetën, të fshehura brenda një çorape të zezë, edhe 29 doza të tjera kokaine të mbyllura me nxehtësi, me peshë totale 15,69 gramë, të gatshme për t’u hedhur në tregun e narkotikëve.

Karabinierët më pas i zgjeruan kontrollet edhe në banesën e 21-vjeçarit në Ferentino.

Kontrolli zbuloi një depo të vërtetë droge: u gjetën edhe dy paketime të tjera që përmbanin plot 206,56 gramë kokainë, një peshore elektronike precize dhe materiale të ndryshme për përzierjen dhe paketimin e drogës.

Për më tepër, si dëshmi e përmasave të mëdha të aktivitetit të paligjshëm, karabinierët gjetën dhe sekuestruan një shumë të konsiderueshme prej 20.000 eurosh cash.

E gjithë sasia e drogës, materialet për paketimin dhe një thikë u sekuestruan, ndërsa paratë u depozituan në Fondo Unico Giustizia (F.U.G.), fondi i posaçëm i drejtësisë italiane.

Pas përfundimit të procedurave të zakonshme, i riu i arrestuar u dërgua në burgun e Frosinones, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për seancën e vleftësimit të arrestimit.

Ndërsa personi që kishte blerë dozën u raportua në Prefekturën e Frosinones si përdorues i lëndëve narkotike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button