AKTUALITET

Zjarri në Mallakastër del jashtë kontrollit, flakët përhapen drejt fshatit Drenije në Patos

Një vatër zjarri në zonën e Mallakastrës ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi drejt fshatit Drenije, në bashkinë Patos.

Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me pisha dhe po favorizohet nga era e fortë që fryn në grykat e kodrave të zonës, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë kaluar edhe rrugën e Panahorit, ndërsa ekipet zjarrfikëse janë nisur drejt vatrës së re të zjarrit për të frenuar përhapjen.

Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, banorë të zonës dhe forca të ushtrisë, por deri tani nuk është arritur që zjarri të vihet nën kontroll.

Zjarri që ka përfshirë prej tre ditësh territorin e Bashkisë Mallakastër vijon të mbetet aktiv, ndërsa autoritetet vendore u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë orëve të natës.

Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaili , së bashku me deputetin e Partisë Socialiste për zonën, deklaruan se banorët janë njoftuar të qëndrojnë vigjilentë dhe, nëse konstatojnë se flakët po u afrohen banesave, të lajmërojnë menjëherë strukturat përgjegjëse.

Sipas tyre, janë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës. Megjithatë, forcat e ushtrisë janë tërhequr për shkak të errësirës, ndërsa ndërhyrja nga ajri me avionë dhe helikopterë nuk është e mundur gjatë natës.

Operacioni për shuarjen e flakëve pritet të rifillojë në orët e para të mëngjesit, kur mjetet ajrore dhe forcat në terren do të angazhohen sërish për izolimin e vatrave të zjarrit.

Sot u shënua dita e tretë e betejës me flakët, ndërsa nesër zjarri hyn në ditën e katërt, duke mbajtur ende në alarm autoritetet dhe banorët e zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button