Sunday, June 16, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIZyra europiane kundër mashtrimit vijon hetimet për shpërndarjen e fondeve të bujqësisë

Zyra europiane kundër mashtrimit vijon hetimet për shpërndarjen e fondeve të bujqësisë

OLAF, zyra europiane kundër mashtrimit, pritet të vijojë hetimet për korrupsionin në shpërndarjen e fondeve në ndihmë të bujqësisë nëpërmjet programit IPARD II.

Zyra e OLAF tha për Monitor se prej muajit gusht 2023 ka dorëzuar pranë autoriteteve shqiptare raportin përfundimtar për fondet e IPARD II dhe është në pritje të dhënies së përgjigjes nga autoriteti kompetent.

OLAF nuk ka pranuar të japë detaje nga konkluzionet e raportit përfundimtar, ndërkohë që ndjekja është në vazhdim, pasi bërja e tyre publike qoftë edhe pjesërisht, mund të rrezikojë në procedurat vijuese.

“Gjykata e Përgjithshme ka njohur ekzistencën e një prezumimi të përgjithshëm të mosaksesueshmërisë sipas të cilit zbulimi për publikun sipas Rregullores 1049/2001 të dokumenteve që lidhen me OLAF mund të minojnë rrënjësisht objektivat e aktiviteteve hetimore si tani ashtu edhe në të ardhmen. Kjo pasi personat e dyshuar për parregullsi mund veprojnë në mënyrë të tillë që të pengojnë zhvillimin e duhur të aktiviteteve vijuese. Prandaj, prezumimi i përgjithshëm vlen edhe për një procedurë që është mbyllur. Për këtë rast vijojnë hetimet. OLAF mbylli hetimin në gusht 2023 dhe ia komunikoi konkluzionet e tij autoritetit kompetent me rekomandime për fillimin e procedurave të duhura. OLAF ka marrë informacion të njëkohshëm nga autoriteti kompetent që nuk e ka përfunduar ende ndjekjen. OLAF konsideron se periudha, e cila ka kaluar ndërmjet datës së transmetimit të raportit tek autoriteti kompetent dhe data e kësaj përgjigje duhet të konsiderohet si e arsyeshme duke pasur parasysh mbylljen e fundit të rastit”, thuhet në sqarimin e zyrës së OLAF për Monitor.

Në bazë të Rregullores (BE, Euratom) Nr. 883/20132, OLAF heton rastet e dyshimit të mashtrimit, korrupsionit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme të dëmshme për buxhetin e BE-së.

Pas lajmeve në muajin korrik se Komisioni Europian ka pezulluar fondet e IPARD, të dedikuara për bujqësinë, Ministria e Bujqësisë reagoi duke shpjeguar se autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni të një pezullimi të faturës aktuale të rimbursimit nga DG AGRI për një pjesë të shpenzimeve te radhës. Por Ministria e Financave nuk programon fonde nga programi IPARD të paktën deri në vitin 2025. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 kishte 260 përfitues nga programet IPARD II, por për vitin 2024 dhe 2025 nuk priten disbursime.

Programi IPARD II i cili u përfshi në një proces hetimi nga OLAF ishte gjithsej 94,6 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE. Gjatë zbatimit të tij nga viti 2018 deri më 2022, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2018 u disbursuan 20,6 milionë euro, në 2019 u dhanë 15,6 milionë euro, 26,8 milionë euro u shpërndanë në 2020 dhe për vitet 2021-2022 janë dhënë 31,6 mln euro. Në vitin e parë me grantet e programit IPARD II u mbështetën investimet në ferma, në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe fruta-perimeve. Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes të parë dhe të dytë ishte 57,6 milionë euro. Në thirrjen e tretë IPARD II financoi 29,1 milionë euro në dy masa mbështetëse për investime në ferma dhe përpunim.

Për shkak të hetimeve BE-ja ka pezulluar nisjen e programit të IPARD III që pritej të çelej këtë vit me një fond prej 146 milionë euro apo 55% më shumë fonde sesa Programi IPARD II. Kontributi i BE-së ishte në një fond prej 112 milionë eurosh. IPARD III do të përfshinte 9 masa të reja financimi nga 3 masa që përfshinte programi i mëparshëm./ Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME