POLITIKË

10 pyetje të hapura për Bashkimin Evropian

Deklarata e Komisares Evropiane, Kos, se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë “të lira dhe të ndershme”, ka hapur një debat të gjerë mbi standardet demokratike dhe koherencën e mesazheve që vijnë nga institucionet e Bashkimit Europian.

Në një postim të bërë në FB, ekspertja për çështjet ndërkombëtare, Ilda Zhulali, shkruan se në një kohë kur raportet zyrtare të OSBE/ODIHR dhe vëzhguesve të Parlamentit Europian evidentojnë probleme të theksuara si pabarazia e fushëlojës, ndërthurja e shtetit me partinë dhe ndikimi i krimit të organizuar në proces, lindin një sërë pyetjesh të natyrshme mbi qëndrimin real të BE-së. Ajo rendit 10 pyetje të hapura që kërkojnë sqarim, jo vetëm për transparencë institucionale, por edhe për respekt ndaj qytetarëve shqiptarë dhe parimeve të vetë Bashkimit Europian.

Postimi i Ilda Zhulalit:

10 Pyetje të hapura për Bashkimin Evropian:

1. Kur Komisarja Kos deklaron se zgjedhjet në Shqipëri ishin “të lira dhe të ndershme”, cilës prej 46 faqeve të raportit përfundimtar, apo 13 faqeve të raportit paraprak të OSBE/ODIHR, i referohet ajo?

2. A është raporti i OSBE/ODIHR, dhe i bashkëshkruar nga vëzhgues të Parlamentit tuaj Europian, më pak i vlefshëm se vlerësimi personal i Komisares?

3. Kush përfaqëson në fakt qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian për zgjedhjet – raporti i OSBE/ODIHR dhe i delegacionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian, apo deklarata e Komisares Kos?

4. A mund të quhen “të ndershme” zgjedhjet në një vend ku, sipas OSBE/ODIHR, “fushëloja ishte e pabarabartë”, “shteti dhe partia janë bërë një” dhe “krimi i organizuar” ndikon në procesin zgjedhor”?

5. Nëse jo, atëherë kush po gënjen? OSBE/ODIHR dhe Parlamenti Europian, apo Komisarja Kos?

6. A nuk e çorienton kjo deklaratë opinionin publik dhe a nuk i jep legjitimitet të rremë një sistemi të prekur nga kapja e shtetit, korrupsioni dhe krimi i organizuar?

7. Në emër të cilit interes tjetërsoni vëzhgimet dhe raportet e institucioneve tuaja?

9.A është ky një kompromis se për procesin e integrimit, “stabiliteti” politik i disa njerëzve të pushtetit peshon më shumë se parimet themelore të Bashkimit Europian?

8. A e kuptoni se, duke dhënë mesazhe të tilla kundërshtuese, ju minoni besueshmërinë në sytë e qytetarëve shqiptarë?

10.A do të ndiqni me veprime konkrete dhe sqarime zyrtare këtë kundërshtim të hapët midis institucioneve tuaja, apo do të lihet të kalbet në heshtje si një “keqkuptim”?

P.s: a është e tepërt të pretendojmë standarde zgjedhore si të Kosovës a Maqedonisë, apo duhet të na gëzojë veç fakti që kjo deklaratë nuk u bë gjatë ceremonisë së inagurimit të urave imagjinare që të çojnë te tuneli i Llogarasë?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button