Ai arriti të tronditë botën që në ditën e parë të hedhjes në treg të DeepSeek. Duket se ai nuk ka reshtur asnjëherë së investuari dhe eksperimentuar edhe pse pa një plan strategjik. Ai ka themeluar dhe rithemeluar kompani, të cilat kishin arritur pak të tërhiqnin vëmendje. Deri tani nuk e njihnim. Tani do të flasim për të.
Liang Wenfeng është, siç thuhet, një kombinim i përulësisë së karakterit dhe guximit vizionar. Ai është vetëm 40 vjeç. Ka dhënë pak intervista dhe është shfaqur vetëm një ose dy herë në publik. Ai lindi në vitin 1985 në Zanjiang, një qytet i vogël në provincën Guangdong të Kinës dhe u rrit në një mjedis që, megjithëse i thjeshtë, i rrënjoste vlerat e punës së palodhur dhe disiplinës.
Babai i tij, një mësues i përkushtuar, ishte një burim frymëzimi për të. Ai i mësoi atij rëndësinë e të mësuarit, moralin, por edhe këmbënguljen. Liang Wenfeng kujton se kishte parë të atin që rrinte zgjuar deri vonë duke korrigjuar detyrat e studentëve. Ai e mësoi atë të punojë shumë, edhe kur askush nuk është pranë për ta uruar.
Ai studioi inxhinieri kompjuterike në Universitetin më të lartë të Kinës Zhejiang. Më vonë u specializua në inxhinieri kompjuterike dhe komunikimi (dizajn, zhvillim dhe optimizim i sistemeve të komunikimit). Në fakt, tema e tezës së tij të masterit thuhet se ka qenë një shembull i hershëm i përkushtimit të tij në shfrytëzimin e teknologjive të thjeshta për zgjidhje komplekse.
Dhe kjo ishte baza për atë që do të pasonte. Në vitin 2008, në moshën 23-vjeçare, Liang Wenfeng dhe një grup shokësh të tij studentë filluan një projekt mjaft ambicioz për të mbledhur të dhëna mbi tregjet financiare përmes kompjuterëve me qëllim marrjen e vendimeve për investime.
Rezultatet nuk ishin ashtu siç pritej, por babai i tij i kishte rrënjosur konceptin e këmbënguljes, mësimit nga gabimet dhe eksperimentimit të vazhdueshëm. Ai nuk u dekurajua. Në fund të fundit, një nga motot e tij është se “nuk keni të drejtë të ëndërroni nëse ndaloni së dështuari”.
Është interesante të theksohet se në sipërmarrjet e tij të para, Liang Wenfeng shiti motoçikletën e tij të preferuar për të paguar një server që i nevojitej për eksperimentet e tij. Ishte pasuria e tij e vetme, por vizioni ishte më i rëndësishëm se sa dukej.
5 vjet pasi u përpoq për herë të parë të gjente rrugën e tij, në vitin 2013, ai themeloi kompaninë e tij të parë, Hangzhou Yakebi Investment Management, e cila u dallua shpejt ndër të tjera për përdorimin e algoritmeve inovative.
Kushtet financiare të kompanisë ishin në atë kohë aq të favorshme, sa ai vazhdoi me dy kolegë të tij studentë të themelonte kompaninë “Ningbo High-Flyer Quantitative Investment Management Partnership”. As më shumë e as më pak, kjo kompani menaxhoi asete dhe fonde që arritën në 10 miliardë juan brenda pak vitesh (rreth 1.3 miliardë euro). Ishte një shumë që do ta lejonte të qëndronte vigjilent për investime të reja.
Dhe kështu ndodhi ai u ngrit shumë shpejt. Një vit më pas themeloi High-Flyer AI, një kompani që synonte të përdorte inteligjencën artificiale për të parashikuar tregjet dhe që sot vlen rreth 8 miliardë dollarë. Duke folur në forumin “Golden Bull Awards” ai tha: “Fondet sasiore nuk kanë menaxherë portofoli që marrin vendime. E gjithë puna kryhet nga serverët”. Publiku e kuptoi menjëherë se teknologjia mund të zëvendësojë metodat tradicionale të vendimmarrjes, duke krijuar tregje më të drejta dhe më efikase.
Eksperimentimi i tij nuk u ndal kurrë. Ashtu si një gjahtar që godet prenë e tij, menjëherë donte të kalonte tek tjetra. Në vitin 2021 ai bëri një blerje në dukje po aq të pakuptueshme dhe të guximshme. Ai bleu mijëra GPU (karta grafike dhe procesorë të specializuar) nga Nvidia, pa një plan investimi në dukje.
“Kur e takuam për herë të parë, ai ishte një djalë shumë nervoz me një prerje flokësh të tmerrshme, i cili fliste për ndërtimin e një grupi prej 10 mijë çipash për të trajnuar modelet e tij. Nuk e morëm seriozisht”, – tha një nga partnerët e tij për “Financial Times”.
Megjithatë, guximi i tij nuk e pengoi. Kur u pyet nga partnerët se pse kishte bërë një investim të tillë, përgjigja e Liang Wenfeng ishte e thjeshtë dhe e qartë: “Dua të krijoj diçka që do të ndryshojë lojën”. Bazuar në karakteristikat e tij, vetëm rreziku i madh mund të sjellë ndryshime të mëdha.
Dhe kështu vijoi deri në themelimin e DeepSeek në vitin 2023. Përvoja e ndryshimit të lojës që ai donte të jetonte kishte si mjet këtë kompani, e cila shumë shpejt shkaktoi një sensacion global me modelin R1. Ai është zhvilluar me një kosto prej vetëm 5.6 milionë dollarë si një simbol i ambicies së tij për të sjellë inteligjencën artificiale… në çdo shtëpi.
“Liang Wenfeng ndërtoi një ekip të mrekullueshëm që kuptonte në të vërtetë se si funksiononin çipat”, – tha një bashkëthemelues i rivalëve të “LLM” për Financial Times. “Ai mori me vete njerëzit e tij më të mirë në DeepSeek.” Partneri i tij, në fakt, thotë se “zyrat e DeepSeek kanë ndjesinë e një kampusi universitar për studiues seriozë. Ekipi beson në vizionin e tij: “t’i tregojë botës se kinezët mund të jenë krijues dhe të ndërtojnë diçka nga e para”.
Në fund të fundit, siç shkruan Wall Street Journal, ai kishte theksuar se “Kina duhet të jetë krijuese dhe jo thjesht kopjuese. Ajo që na mungon nuk është kapitali, por besimi në fuqinë e talenteve tona”. Ai ka deklaruar edhe në një rast tjetër se ekipi i tij bërthamë “nuk kishte njerëz që ishin kthyer nga jashtë. Ata janë të gjithë vendas. Ne duhet të zhvillojmë vetë talentet më të mira”.
Përveç kësaj, ChinaTalk shkruan për Liang Wenfeng se frymëzimi i tij vjen nga besimi se “inteligjenca artificiale duhet të jetë një mjet i arritshëm për të gjithë dhe jo privilegj i disave”.
Fokusi i tij bazohet në besimin e tij se “teknologjia nuk duhet të jetë e shtrenjtë për të qenë inovative. Ne besojmë se kufizimet tona bëhen forca lëvizëse pas krijimtarisë sonë.” Kështu ai i bindi investitorët e kompanive të tij kur rezultatet nuk ishin ashtu siç pritej.
Suksesi i DeepSeek nuk ka kaluar pa u vënë re, pasi SHBA-të e shohin tani kompaninë e tij si një kërcënim për dominimin e saj në fushën e inteligjencës artificiale. Megjithatë, ai e bëri të qartë se misioni i tij nuk është të konkurrojë, por t’i tregojë botës se çfarë është e mundur kur ka një vizion, duke shtuar se “ne nuk po përpiqemi të marrim pozicionin e askujt. Ne duam ta afrojmë botën me mundësitë e teknologjisë”.
Sigurisht, jo gjithçka ishte një përrallë për biznesmenin kinez dhe zhvillimi i DeepSeek nuk ishte pa sfida. Një sulm masiv kibernetik e ka detyruar kompaninë të ndalojë përkohësisht regjistrimet e përdoruesve të rinj. Pavarësisht vështirësive, Liang Ëenfeng mbetet i palëkundur: “Çdo vështirësi është një mundësi për t’u bërë më i mirë”, – thotë ai. Dhe kjo vendosmëri e tij vazhdon ta shtyjë më tej.
DeepSeek megjithatë është vënë nën kritika për pajtueshmërinë e tij me rregulloret e rrepta të censurës të Kinës. Megjithatë, ai mbrojti politikën e kompanisë, duke thënë se përshtatja me rregulloret nuk do të thotë të humbasësh vizionin, por përkundrazi të përshtatësh inovacionin me nevojat e çdo tregu.
Në një takim me kryeministrin kinez Li Chiang ditët e fundit, ai përmendi diçka që kishte thënë më parë: “Kina nuk mund të mbetet gjithmonë prapa në AI. Ndarja e vërtetë është midis origjinalitetit dhe imitimit. Nëse kjo nuk ndryshon, Kina do të jetë gjithmonë prapa”. Ai ka thënë gjithashtu se e sheh Kinën jo si një konkurrent të Perëndimit, por si një bashkë-krijues të një ekosistemi teknologjik global.
Ëndrra, vizione, rreziqe. Këto e çuan atë nga thjeshtësia e fëmijërisë së tij në kompleksitetin e investimeve dhe inovacioneve, të cilat ai megjithatë donte t’i mbante të arritshme, të përballueshme dhe pioniere. Përveç kësaj, ai ka deklaruar se “e ardhmja u përket atyre që guxojnë të ëndërrojnë dhe punojnë fort për të realizuar ëndrrat e tyre”.