Policia ka arrestuar 35 vjeçarin Eduart Zito i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura në 25 prill. Zito akuzohet se duke shfrytëzuar pozicionin e tij si numërues ka falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve në Librazhd, duke shënuar të dhëna të ndryshme në tabelë në favor të Partisë Socialiste.
Njoftimi i Plotë:
Falsifikoi materialet zgjedhore të procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, kapet në PKK Qafë Thanë dhe vihet në pranga 35-vjeçari (numërues votash), i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan bënë ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i materialeve zgjedhore dhe i rezultatit të zgjedhjeve”, për shtetasin:
-E. Z., 35 vjeç, banues në Rrajcë, Librazhd.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 7 shtetas të tjerë (të ndaluar më parë) që kanë patur si detyrë numërimin e votave gjatë procesit zgjedhor të datës 25.04.2021, ka shënuar në tabelat e rezultatit, të dhëna të ndryshme nga ato të fletëve të votimit, me qëllim favorizimin e kandidatëve të subjekteve zgjedhore.