Tjetër skandal me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, kësaj radhe janë publikuar numrat e telefonave celularë. Grupimi i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësi për Atdheun” ka shkarkuar në faqen e internetit me të njëjtin emër qindra mijëra numra telefoni.
Janë 7 file, që përmbajnë numrat e telefonit, emrat dhe numrin e kartave të identitetit të qytetarëve shqiptarë.
“Loja është gati për të nisur. Tani njerëzit do të kuptojnë se politikanët e tyre të korruptuar nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e tyre”, është mesazhi që shoqëron materialet.
Më herët, piratët kibernetikë publikuan emailet nga posta elektronike e kryeministrit Edi Rama dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pas sulmit që i bëri sistemit të e-albania dhe të gjithë sistemit kompjuterik të qeverisë.
Fill pas sulmit, kryeministri Rama tha se të dhënat e institucioneve shtetërore nuk ishin fshirë dhe se sulmi ishte zmbrapsur.
Për të mbrojtur të dhënat, Shqipëria ka marrëveshje me një kompani amerikane, ndërsa kërkoi ndihmën e ekspertëve të FBI për këtë çështje.
Ky është skandali i radhës që ka të bëjë me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Në fund të vitit të kaluar u publikuan pagat e qindra mijëra punonjësve në biznese private dhe në shtet, ndërsa në prill të vitit të kaluar, Lapsi.al zbuloi një databazë që provonte se edhe Partia Socialiste kishte abuzuar me të dhënat personale të shqiptarëve për sistemin e patronazhimit