Një ditë më parë, gazeta meksikane “El Universal” zbardhi një raport të autoriteteve antitrafik të Meksikës, ku thuhej se karteli i Sinaloas ka lidhur aleancë me mafien shqiptare dhe është duke pastruar masivisht para në Shqipëri. Sipas autoriteteve meksikane, lideri i kartelit Ismael Zambada García, i njohur si El Mayo, ka krijuar lidhje të ngushta me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa.
Të panjohur deri më sot për publikun e gjerë, me sa duket ortakët e kartelit të Sinaloas nuk janë të panjohur për qeverinë. Kjo foto është shkrepur në datën 2 tetor të vitit 2020. Në të shfaqen, tre persona, duke dalë nga një takim në kryeministri. Personi i gjatë në anën e djathtë të ekranit është; ish-deputeti gjerman i CDU-CSU, Mark Haupman. Ai në mes është Luftar Hysa, që autoritetet meksikane e etiketojnë si ortak të kartelit të Sinaloas, ndërsa majtas është Besnik Lulaj, pronari i Marina Bay në Vlorë.
Në këtë foto të dytë shfaqen edhe më qartë Luftar Hysa dhe ish-deputeti i Angela Merkel, duke dalë nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Foto janë publikuar nga portali Dosja.al në 4 tetor të vitit 2020, por shkrimi ka qenë tërësisht i fokusuar te vizita e ish-deputetit gjerman, pasi në atë kohë askush nuk e dinte se kush ishin personazhet që e shoqëronin Haupmanin. Por MCN ka arritur të identifikojë se bëhet fjalë pikërisht për Luftar Hysën dhe Besnik Lulajn, të cilët janë pritur në Kryeministri. Bashkë me këta të tre ka qenë edhe Dorian Duçka, këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë, që me sa duket ka qenë dhe organizatori i takimit.
Ky është një nga skandalet më të mëdha që ka përfshirë qeverinë shqiptare. Në zyrën e kryeministrit janë pritur në takim ortakët e narkotrafikantit më të madh në botë, Ismael Zambadës, të cilët sipas autoriteteve meksikane të inteligjencës janë duke pastruar paratë e kartelit të Sinaloas përmes investimeve në turizëm në Shqipëri.
Por fotot tregojnë qartë se karteli i Sinaloas ka arritur të shkojë deri në zyrën më të lartë të shtetit shqiptar, atë të kryeministrit, duke e thelluar edhe më shumë skandalin. Me çfarë cilësie është pritur zoti Hysa në Kryeministri? Kush i bëri bashkë një ish-deputet gjerman me një person të akuzuar për lidhje të ngushta me kartelin e Sinaloas. Dhe cili ka qenë qëllimi i takimit? Këto janë pyetjet që lindin natyrshëm pas këtyre fotove, të cilat e zhysin qeverinë shqiptare në një tjetër skandal të madh.
Marrë nga /MCN Tv.al/
Kurse pak ditë më parë, më 10 shtator në një postim në facebook, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla shkruan ”Kolegu im në Bundestagun gjerman Mark Hauptman vendosi ta bëjë dasmën e tij në Vlorë. Patjetër nuk munguan këngët dhe vallet shqiptare”.