Një parti e fortë zgjedh, nuk emëron: PS ka nevojë për garë të vërtetë.

Nga Erald Çepele
Sot Asambleja e PS-së u mblodh pas rreth tetë muajsh, në prag të zgjedhjeve vendore. Ishte mbledhja e parë e këtij forumi pas kaq kohësh dhe u zhvillua ndërsa partia përgatitet për zgjedhjet vendore, mes debateve të brendshme.
Në një parti të madhe është normale që diskutimet e forta të bëhen brenda saj.
Por një mbledhje si kjo na detyron të pyesim diçka më të thellë: kush i merr vendimet në PS, anëtarët apo dikush tjetër në emër të tyre?
Fillimisht duhet thënë e vërteta e plotë. PS është partia më e madhe e vendit, me struktura në çdo qytet dhe me një qeveri që ka marrë besimin e shumicës. Kryeministri ka marrë shumicën e votave dhe ka mandatin të krijojë qeverinë, të zgjedhë ministrat dhe t’i ndërrojë kur e sheh të arsyeshme. Në këtë i jap plotësisht të drejtë. Aq më tepër që ka njerëz që kanë marrë nga PS poste, benefite dhe besim, dhe sapo partia ua heq postin, dalin kundër saj. Këta duhen larguar një orë e më parë, sepse kush e ka dashur partinë vetëm për karrigen nuk ka qenë kurrë me të.
Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Nëse kërkojmë besnikëri nga ata që marrin poste, atëherë edhe anëtarët duhet të kenë të drejtë të zgjedhin ata që i drejtojnë. Dhe këtu PS ka një të metë të madhe: mungesën e garës. Në shumë struktura ka drejtues të emëruar që mbeten në post prej vitesh, disa prej më shumë se një dekade, pa kaluar asnjëherë përmes votës së anëtarëve. Edhe kur ka ndonjë garë, strukturave u thuhet për kë të votojnë. Kjo nuk është votë, është zbatim urdhri. Edhe anëtarët e Asamblesë dhe delegatët e kongresit votohen sot si formalitet, pa të drejtë të propozojnë, të kundërshtojnë apo të mendojnë ndryshe. Kongresi mblidhet një herë në katër vjet, sa për të mbushur sallën. Për mua, një delegat që nuk vendos asgjë është nocion i zbrazët.
Kjo ka kushtuar shumë. Pas çdo zgjedhjeje vendore historia përsëritet. Kryetari i ri i bashkisë e merr partinë në dorë, sepse ka në dispozicion mundësi punësimi, kontrata e ndikim. Emëron një kryetar partie sipas masës së tij, një vegël që i përgjigjet atij dhe jo anëtarëve. Me atë vegël më pas godet anëtarët e partisë Socialiste dhe vendos në pozicione drejtuese rrethin e vet të ngushtë. Kjo ka ndodhur në shumicën e Bashkive. Disa prej tyre kanë ardhur nga jashtë partisë, e kanë përdorur për fuqinë që ajo u dha dhe kur interesi ka ndryshuar, e kanë braktisur ose e kanë sulmuar. PS ka paguar kosto të rënda për këtë dhe duhet t’i japë fund.
Prandaj kërkesa është e qartë: gara të hapet në çdo strukturë të PS-së, nga forumi më i vogël deri te anëtarët e asmablesë, delegatët e kongresit etj, me parimin një anëtar, një votë. Kjo vlen edhe për kandidatët për kryetarë bashkish: ata duhet të dalin nga strukturat socialiste me votim, jo të vendosen nga lart dhe jo të sillen nga jashtë partisë. Kush kërkon emrin e PS-së për të drejtuar një bashki, duhet të marrë më parë besimin e socialistëve të vetë asaj bashkie.
Gjithçka duhet bërë para zgjedhjeve vendore, jo pas tyre, sepse pasi bashkitë janë marrë, vota e anëtarit vjen vonë dhe ndikohet nga kryetari i bashkisë. Që gara të mos jetë rrëmujë, duhen kritere të njëjta për të gjithë: vite anëtarësie dhe angazhim real, që të mos dalë kryetar partie apo bashkie nga hiçi, mbështetje nga baza, votim i fshehtë dhe mandate të kufizuara.
Nëse për ndonjë arsye gara nuk hapet para zgjedhjeve, propozimi është ky: kandidati për kryetar bashkie të jetë automatikisht edhe kryetar partie në atë bashki, në rast fitoreje. Arsyeja është e thjeshtë. Kryetari i bashkisë, pasi fiton, ka fuqi: vendos, emëron dhe ndikon edhe në zgjedhjen e kryetarit të partisë, por pa dhënë asnjë llogari. Nëse humbet partia, nuk përgjigjet askush. Por kur e mban vetë partinë, përgjigjet vetë para anëtarëve për punën dhe për rezultatin. Një kryetar partie i emëruar nuk ka vlerë, nuk ka ndikim dhe nuk zgjidh asnjë problem. Kjo është zgjidhja e dytë.
E para dhe më e mira mbetet gara e hapur.
Socialistët e vërtetë nuk e kërkojnë këtë nga inati, por nga dashuria për partinë. Sepse e dinë se forca e një partie nuk matet me sallat e mbushura, por me atë që ndodh kur një anëtar ngre zërin dhe vota e tij peshon. Një parti nuk vdes ditën kur humbet pushtetin. Vdes ditën kur anëtarët humbin të drejtën ta zgjedhin atë që e drejton. Mund të mbetet e madhe në numra dhe e zbrazët në demokraci.
Asambleja nuk e krijoi këtë problem, por e bëri më të dukshëm. Dhe çdo problem i dukshëm është një mundësi. PS ka forcën, historinë dhe strukturat për ta kthyer vendimin te baza. Ka edhe një trëndafil që e ka bërë simbol të shpresës dhe të drejtësisë. Rilindja e vërtetë e partisë nuk shkruhet në fjalime, shkruhet në fletët e votimit të anëtarëve. Le të jetë ky momenti.












