
Nga Blu Tv
Në mjekësi, amputimi është skenari i fundit kur çdo terapi ka dështuar dhe gangrena rrezikon jetën e pacientit. Por në krye të Albpetrolit, aty ku prej katër vitesh drejton një mjek në profesion si Eltar Deda, bisturia po përdoret për një operacion krejt të kundërt: kompanisë publike po i priten pikërisht këmbët që e mbajnë në jetë.
Vendimi për t’ia kaluar me koncesion vendburimin e Gorisht-Koculit kompanisë amerikane Laredo Oil Inc., përmes një procedure qe ka marre edhe “bekimin” e Ministrise se Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ngjan me një terapi shpëtimi, por me kronikën e një kapitullimi të paralajmëruar.
Gorisht-Koculi nuk është një parcelë bosh e pashkelur ku shteti fton të huajt të rrezikojnë kapitalin për të kërkuar naftë në errësirë.
Zbuluar gjashtë dekada më parë, ky vendburim që arriti kulmin e tij në mesin e viteve shtatëdhjetë mbetet shtylla kurrizore e prodhimit shtetëror. Megjithëse plakja natyrore e puseve dhe mungesa e investimeve kanë sjellë një rënie graduale në pesë vitet e fundit, kjo fushë vazhdon të japë gati gjysmën e naftës që Albpetrol nxjerr me forcat e veta. Të heqësh dorë prej saj do të thotë të zhveshësh kompaninë publike nga arsyeja kryesore e ekzistencës si prodhuese.
Per ta kuptuar sa I rrezikshem eshte ky koncesion, kujtojme qe gati njëzet vite më parë, Gorisht-Koculi iu besua koncesionarëve privatë që premtuan teknologji moderne, por u mjaftuan me mjeljen e puseve ekzistuese të shtetit.
Kur qeveria prishi kontratën në vitin 2017 për të rimarrë pasurinë e vet, trashëgoi një fushë të minuar financiare: dhjetëra miliona dollarë borxhe të papaguara, asete të munguara të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe fatura arbitrazhi që rëndojnë ende si kërcënim mbi taksapaguesit shqiptarë.
Rikthimi i fushës në administrimin publik duhej të shënonte rilindjen e Albpetrolit, por vitet nën drejtimin e Eltar Dedës dëshmojnë një performancë mediokre që e ka zhytur kompaninë në stanjacion.
Që nga vjeshta e vitit 2022, prodhimi i drejtpërdrejtë ka pësuar rënie, ndërsa bilanci financiar ka rrëshqitur nga fitimet simbolike drejt humbjeve vjetore që numërohen në miliarda lekë. Kjo pamundësi operative është maskuar pas ankandeve të shitjes së naftës.
Por e vërteta është se mbi një e treta e sasisë që mban gjallë arkën e Albpetrolit nuk nxirret prej tij; ajo vjen si kuotë prodhimi nga partnerët privatë, kryesisht nga Bankers Petroleum.
Edhe në këtë rol pasiv të mbledhësit të naftes burto në natyrë, administrate e Albpetrol me ne krye Eltar Deden kane dështuar të mbrojë interesin publik, duke lënë dhjetëra mijëra tonë naftë pa tërhequr në depozitat e privatëve dhe duke toleruar miliarda lekë borxhe të prapambetura për energjinë elektrike.
Dorëzimi i Gorisht-Koculit mund të kishte logjikë ekonomike vetëm nëse në derë do të trokiste një kompani serioze me kapital dhe teknologji të provuar. Pikërisht këtu qëndron paradoksi grotesk i kësaj marrëveshjeje. Fituesi i përzgjedhur, Laredo Oil, në pasqyrat zyrtare të dorëzuara pranë autoriteteve amerikane, ngjan me një fantazmë financiare.
Me zero të ardhura në muajt e fundit, me humbje dhjetëramilionëshe të grumbulluara ndër vite dhe me detyrime që e tejkalojnë pesëmbëdhjetëfish vlerën e aseteve, kjo shoqëri ka në bankë aq para sa nuk i mjaftojnë as për dy javë shpenzime zyre.
Puset e saj në Amerikë janë mbyllur si të pasuksesshme, kontraktorët e kanë mundur në gjyqe për fatura të papaguara, drejtuesit nuk marrin rrogat, ndërsa vetë audituesit kanë lëshuar paralajmërimin zyrtar se kompania mund të mos mbijetojë në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm.
Atëherë, pse Albpetrol po ia dorëzon gjysmën e prodhimit të vet një shoqërie në prag kolapsi, e cila reklamon një teknologji nëntokësore që nuk ka nxjerrë ende asnjë fuçi fitimprurëse në vendin e saj?
Përtej paftësisë së një administrate që zgjedh të heqë qafe përgjegjësinë e investimeve në një fushë që kërkon punë, hija e dyshimit shkon më tej.
Nje nga skenaret e mundshme mund te jete spekulimi ne burse, ku pasuria gjashtëdhjetëvjeçare e nëntokës shqiptare të përdoret thjesht si aset në letër për të fryrë artificialisht vlerën e aksioneve qindarkëshe të një kompanie të mbytur në borxhe në bursën amerikane.
Skenari tjeter mund te jete qe kompnia amerike sherben vetem si fasade dhe eshte blere nga pushtetare shqiptare per qindarka dhe Gorisht-Koculin po ja bejne dhurate vetes.












