Ora e gjumit, çelësi i shëndetit mendor

Të mos flesh dhe të mos zgjohesh në të njëjtën orë çdo ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, duke shtuar simptomat e ankthit, depresionit dhe ndjenjën e vetmisë. Ky është përfundimi i një studimi të ri amerikan, i cili thekson rëndësinë e rregullsisë së orarit të gjumit.
Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë analizuan të dhënat e gjumit të më shumë se 20,000 personave, të mbledhura përmes pajisjeve inteligjente që monitoronin lëvizjet dhe shenjat jetësore. Pjesëmarrësit, me moshë mesatare 46 vjeç, u ndoqën për rreth pesë muaj.
Ndryshe nga studimet e mëparshme, që përqendroheshin kryesisht te kohëzgjatja dhe cilësia e gjumit, ky kërkim shqyrtoi sa të qëndrueshme ishin oraret e fjetjes dhe zgjimit.
Rezultatet, të publikuara në revistën Scientific Reports, treguan se personat me orare më të çrregullta gjumi kishin më shumë simptoma depresioni dhe ankthi. Ata që vuanin nga depresioni i rëndë kishin një indeks mesatar të rregullsisë së gjumit 75, krahasuar me 84 te personat pa simptoma ose me simptoma të pakta. Te personat me ankth të rëndë, ky indeks ishte 79, kundrejt 84 te ata me nivele normale ankthi.
Sipas studiuesve, oraret e qëndrueshme të gjumit ndihmojnë në ruajtjen e ritmit cirkadian, orës së brendshme biologjike të organizmit. Çrregullimi i tij mund të ndikojë edhe në ekspozimin ndaj dritës, ushqyerjen, aktivitetin fizik dhe ndërveprimet sociale.
Megjithatë, lidhja mund të funksionojë në të dy drejtimet: gjumi i çrregullt mund të përkeqësojë shëndetin mendor, por mund të jetë edhe pasojë e tij. Studiuesit kërkojnë kërkime të mëtejshme për të përcaktuar nëse vendosja e një orari të rregullt gjumi mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor. / Talker News –








