AKTUALITETTOP-NEWS

Trafikimi i 485 kg kokainë në Frakull, ekstradohet nga Spanja 49-vjeçari

Një 49-vjeçar i akuzuar si një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikimit të 485 kilogramëve kokainë, të sekuestruara në vitin 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit bën me dije se ekstradimi i shtetasit Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni, u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë koordinimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit.

Sipas hetimeve, 49-vjeçari dyshohet se, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka pasur rolin e një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikut të 485 kilogramëve kokainë. Sasia e drogës u zbulua nga Policia në vitin 2022, e fshehur në thasë me pleh kimik, në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. 

Në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar 49-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Ekstradimi u krye në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button