Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se reshjet kanë dëmtuar rrjetin e tensionit të mesëm në Fierzë. Në një postim në Facebook, OSHEE thotë se është dëmtuar linja, teksa teknikët janë vendosur në terren për riparimin e avarisë.
‘Rrjeti tensioni mesëm #FierzëMoti i keq, me reshje dëmtoi linjën, brigadat e #OSSH #Kukës #Tropojë në terren për riparimin e avarisë’- thuhet në njoftim. Moti i keq ka goditur prej dy ditësh Tropojën e cila ka lënë banorët në vështirësi për sa i përket qarkullimit. Alarmi u dha nga kryebashkiaku i cili kërkoi ndihmë nga autoritetet përkatëse.
Komisioni i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Kukësit ka njoftuar sot se si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës, kanë ndodhur përmbytje të jashtëzakonshme në bashkinë e Tropojës dhe konkretisht në dy fshatra, Fushë Lumi dhe në Vlad. Personeli i bashkisë së Tropojës po monitoron situatën sidomos në fshatin Vlad, për të parandaluar ndonjë fatkeqësi
Në raportin e lëshuar mëngjesin e së shtunës nga Komisioni i Prefekturës së Kukësit për bashkitë që përfshin, gjendja paraqitet si më poshtë:
Nga informacioni i marrë nga bashkitë si rezultat i kushteve të motit reulton se: I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu, edhe më intensive këto në territorin e bashkisë Tropojë.
Në bashkinë Kukës e Has deri në këto momente nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.
Nga informacioni i marrë nga Përgjegjësi i Emergjencave Civile në bashkinë Tropojë, si rezultat i reshjeve të shiut, gjendja në fshatin Fushë Lumi të Njësisë Administrative Margegaj dhe në fshatin Vlad të Njësisë Administrative Bytyë ka përmbytje te jashtezakonshme.
Në fshatin Vlad, situata është më e përkeqësuar; aty që në orët e para të mëngjesit ndodhen stafi i bashkisë Tropojë, ku po monitorojnë situatën për të parandaluar ndonjë fatkeqësi.
Në fshatin Fushë-Lumi, 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar. Nga bashkia Tropojë janë angazhuar të gjitha strukturat përgjegjëse.