Fier – Vijojnë kontrollet blic dhe operacionet poliore në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”.
Kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave, vihet në pranga gjatë operacionit, pronari i lokalit. Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Në pranga edhe një shtetas që u gjet në lokal, i cili dyshohet se furnizonte pronarin e lokalit, me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, në pranga është vënë edhe kamarieri i lokalit, për moskallëzim krimi.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal ushtrohej veprimtaria e shitjes së lëndëve narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”;
-L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit Eduart Gjingoli në të cilin ndodheshin edhe shtetasit Lindon Gashi (i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit) dhe Donald Llupi(i punësuar si kamarier), u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtraie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 51 vjeç, banues në Fier, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në Zharrëz, është përplasur me karrocën me drejtues shtetasin M. D., 67 vjeç, banues në Zharrëz. Si pasojë u dëmtua shtetasi M. D., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit G. D., 18 vjeç, L. L, 17 vjeç, D. T., 54 vjeç, G. H., 53 vjeç, K. M., 41 vjeç, P. M., 62 vjeç dhe T. B., 67 vjeç, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar automjetet e tyre përkatëse, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin N. J., banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka shkatërruar pronën e një shtetasje dhe ka kryer vepra të turpshme në prezencë të saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 48 vjeç, banues në Visokë, Mallakastër, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta, shtetasin V. Ç., 57 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. S., 44 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se në fshatin Poro, Fier, i ka vjedhur një sasi me ullinj shtetases L. B.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.