Në mënyrë të papritur, zyrtarët e Katarit kanë vendosur që pijet e vetme që do të jenë në shitje për tifozët në stadiume gjatë Kupës së Botës do të jenë jo-alkoolike.
Vendimi, i cili erdhi dy ditë para ndeshjes hapëse të turneut, u konfirmua të premten nga FIFA.
“Pas diskutimeve midis autoriteteve të vendit pritës dhe FIFA-s, është marrë një vendim për të fokusuar shitjen e pijeve alkoolike në Festivalin e Fansave të FIFA-s, destinacione të tjera të tifozëve dhe vende të licencuara”. Kështu deklaroi FIFA sot. Vendimi do të nënkuptonte “heqjen e pikave të shitjes së birrës nga perimetri i stadiumeve të Katarit të Kupës së Botës 2022”.
Ndalimi i birrës është ndryshimi më i fundit dhe më dramatik në një marrëveshje në zhvillim të alkoolit që për muaj të tërë ka rritur tensionet midis FIFA-s, organit qeverisës global të futbollit, dhe Katarit, një komb konservator mysliman ku shitja e alkoolit kontrollohet fort.
Por gjithashtu do të komplikojë marrëveshjen e sponsorizimit prej 75 milionë dollarësh të FIFA-s me kompaninë Budweiser. Do të zemërojë tifozët që tashmë janë të shqetësuar për kufizimet, kostot dhe shqetësimet rreth eventit. Gjithashtu do të detyrojë organizatorët që të përshtaten. Por, këtë herë vetëm 48 orë përpara ndeshjes hapëse të turneut të dielën.
(Në foto: Kanoçet e birrës Budweiser, sponsor zyrtar i FIFA World Cup 2022)
Ky vendim sugjeroi gjithashtu se FIFA, e cila është përballur me vite të tëra me kritika të ashpra për vendimin e saj për të sjellë kampionatin e saj në Katar, mund të mos jetë më në kontroll të plotë të vendimeve të rëndësishme që lidhen me ngjarjen e saj.
Një dekadë më parë, për shembull, trupa e futbollit i bëri presion Brazilit. FIFA u mbështet te qeveria braziliane për të ndryshuar një ligj në mënyrë që të lejonte shitjen e birrës në stadiume. Kjo ishte një praktikë që ishte e ndaluar në Brazil që nga viti 2003.
Ndreshe nga Brazili, në Katar FIFA po bën të kundërten. Ajo është përkulur ndaj kërkesave të vendit pritës. Kjo ngriti mundësinë që premtimet që bien ndesh me ligjet dhe zakonet lokale, duke përfshirë çështje si liria e shtypit, protestat në rrugë dhe të drejtat e vizitorëve LGBTQ+, nuk do të ishin aq të forta sa patën thënë Katari dhe FIFA.
(Në foto: Aktivistët e LGBT protestojnë në Muzeun e FIFA-s përpara Kupës së Botës në Katar)
Ndalimi i konsumimit të alkoolit duket se do të zbatohet vetëm për tifozët që do të ndjekin ndeshjet. Birra dhe pije të tjera, duke përfshirë një shampanjë zyrtare të FIFA-s dhe një sërë verërash të përzgjedhura nga somelierët, do të jenë ende të disponueshme në suitat luksoze të stadiumeve të rezervuara për zyrtarët e FIFA-s dhe mysafirë të tjerë të pasur.
Vendimi për ndalimin e birrës vjen një javë pas një dekreti të mëparshëm që dhjetëra tenda të birrës së kuqe që mbajnë markën e Budweiser të zhvendosen në vende më diskrete në tetë stadiumet e Kupës së Botës. Zona këto, larg nga ku do të kalonte shumica e turmave që ndiqnin ndeshjet.
Anëtarëve të stafit të Kupës së Botës iu tha se lëvizja ndoqi këshillat e sigurisë. Por, besimi se ndryshimi kishte origjinën nga Sheikh Jassim bin Hamad bin Khalifa al-Thani, vëllai i emirit në pushtet të Katarit, sugjeroi se ai ishte i panegociueshëm. Sheikhu është më njeriu më aktiv i familjes mbretërore në planifikimin e përditshëm të turneut.
Një zyrtar i përfshirë në proces tha se zyrtarët e FIFA-s ranë dakord sepse ishin të shqetësuar se nëse nuk e bënin, rrezikonin të shihnin mbylljen e plotë të koncesioneve të Budweiser.
Katari është përballur me temën e alkoolit që kur kombit të vogël të Gjirit iu dha e drejta e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2010. Alkooli është i disponueshëm në vend. Por, hitjet janë të kontrolluara rreptësisht. Shumica e vizitorëve, edhe para Kupës së Botës, lejoheshin të blinin birrë dhe pije të tjera alkoolike. Por, vetëm në baret e hoteleve luksoze dhe me çmime jashtëzakonisht të larta.
Organizatorët e Kupës së Botës dukeshin të etur për të lehtësuar Budweiser dhe kompaninë mëmë të saj të korporatës, Anheuser-Busch InBev me bazë në Belgjikë, duke thënë: “Organizatorët e turneut vlerësojnë mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të AB InBev për angazhimin tonë të përbashkët për t’u kujdesur për të gjithë”.
Përfaqësuesit e Budweiser kishin thënë javën e kaluar se nuk ishin njoftuar për ndryshimet e mëparshme të Katarit në strategjinë e tyre të shitjeve për Kupën e Botës. Ata nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga The New York Times.
Deklarata e vetme publike e kompanisë ishte një reagim i keq nga llogaria e saj në Twitter. Kompania shkroi, “Epo, kjo është e çuditshme….”. Tweet-i u fshi rreth 90 minuta më vonë, pak para se të publikohej deklarata zyrtare e FIFA-s.
Tweet-i:
Javën e kaluar, organizatorët e Katarit u përpoqën të zvogëlojnë tensionin në rritje mbi shitjet e birrës. Shitja e birrës është një traditë e Kupës së Botës për breza. Organizatorët e Katarit than se planet operacionale ishin ende duke u finalizuar. Dhe, se ndryshimet po bëheshin ende në “vendndodhjen e zonave të caktuara të tifozëve.” Deklarata e saj gjithashtu vuri në dukje se “kohët e lejuara për të shërbyer birrë dhe numri i destinacioneve të birrës” mbetën të njëjta në të tetë stadiumet.
Budweiser deklaroi se po punonte me organizatorët “për të zhvendosur pikat e shitjes në vendet sipas udhëzimeve”. Budweiser i paguan FIFA-s 75 milionë dollarë për çdo cikël katërvjeçar të Kupës së Botës.
Plani më i ri nënkupton që tendat e kuqe të birrës tani mund të mos jenë të dukshme fare përreth stadiumeve. Janë duke u konsideruar që të zëvendësohen nga tenda të bardha dhe pa markë. Frigoriferët me ngjyrat e kuqe të famshme të kompanisë ka të ngjarë të zëvendësohen nga ato blu. Ngjyra kjo e lidhur me markën joalkoolike të Budweiser, Budweiser Zero.