Lushnjë – Qarkullonte me automjet në sens të kundërt, Policia ndalon dhe ndëshkon drejtuesin e automjetit.
Shërbimet e Policisë Rrugore Fier, bazuar në informacionet e marra për një shtetas që drejtonte automjetin në sensin e kundërt të lëvizjes, në aksin rrugor “Lushnjë-Çermë”, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit, shtetasit M. S.
Në zbatim të neneve 174/1/a, 19, 22 dhe 127/3 të Kodit Rrugor, shërbimet e Policisë i kanë vendosur drejtuesit të automjetit, masën administrative 40 000 lekë të rinj, bashkë me masën plotësuese “Pezullimi i lejes së drejtimit”. Duke qenë se shtetasi M. S. ka vetëm leje drejtimi të huaj, masa plotësuese u konvertua me pagesën e dyfishit të masës administrative maksimale, të parashikuar për normën e shkelur, të Kodit Rrugor të vendit tonë.
Policia Rrugore Fier fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112.