Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMINë vitin 2023, punonjësit drejtojnë timonin e biznesit

Në vitin 2023, punonjësit drejtojnë timonin e biznesit

Tregu i punës do të përfshihet në zhvillime pozitive në vitin 2023. Anketat dhe indekset e vitit 2022 tregojnë se burimet njerëzore janë sfida kryesore me të cilën po përballen bizneset. Sfida do të jetë edhe më e mprehtë në vitin 2023, në kushtet e rritjes së kërkesës në turizëm, ndërtim etj., dhe tkurrjes së fuqisë punëtore.

Burimet njerëzore janë shndërruar në gur themeli për qëndrueshmërinë e bizneseve në Shqipëri, si pasojë e rritjes së ofertave për punë dhe pakësimit të popullsisë.

Në vitin 2023, oferta e punës do të qëndrojë e lartë, për shkak të kërkesës në rritje në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe nëndegëve të lidhura me to. Kërkesa do të konkurrojë sektorin e fasonit dhe industri që paguajnë pak.

Ekspertët pohojnë se këto zhvillime do të rrisin nivelin e pagave për lart nga 8-20%. Profesionet me paga të ulëta do të kenë rritjen më të madhe në përqindje.

Tregu i punës do të përfshihet në zhvillime pozitive në vitin 2023. Anketat dhe indekset e vitit 2022 tregojnë se burimet njerëzore janë sfida kryesore me të cilën po përballen bizneset. Sfida do të jetë edhe më e mprehtë në vitin 2023, në kushtet e rritjes së kërkesës në turizëm, ndërtim etj., dhe tkurrjes së fuqisë punëtore.

Ekspertët e tregut të punës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore pohojnë se, sektori që pritet të ketë kërkesën më të lartë të drejtpërdrejtë është turizmi, i ndjekur nga ndërtimi dhe të gjithë nënindustritë që lidhen me to.

Kërkesa e lartë e drejtpërdrejtë për punonjës në turizëm, do të përkthehet edhe në kërkesë për punonjës në industrinë ushqimore, apo në shitje dhe shpërndarje HORECA, deri te kërkesa për shoferë dhe shoqërues për transport, pra zinxhiri ofertës për punë do të jetë shumë më i gjerë.

Kjo do të thotë që nëse dikush punon në një fasoneri dhe paguhet 40,000 lekë neto në muaj, nuk do t’i interesojë që të punojë më në masoneri, nëse një hotel do t’i ofrojë punë në kuzhinë, si ndihmës dhe do ta paguajë 70,000 lekë.

Në këtë mënyrë, i gjithë tregu i punës do të ketë kërkesë dhe kjo do të çojë edhe në vitin 2023 në rritje pagash nga 8% në 20% rritje”, thotë Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore.

Në indeksin e Dhomës Amerikane të vitit 2021, mungesat në tregun e punës ishin shqetësimi kryesor i bizneseve, me përkeqësim gati 9 pikë në raport me vitin 2020. 78.7% e kompanive të anketuara pohuan se gjetja e stafit të kualifikuar në vend në vitin 2021 ishte e vështirë, ose shumë e vështirë.

Mungesat në tregun e punës do të jenë edhe më stresuese në vitet në vijim, pasi oferta për punonjës po reduktohet nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve. Enio Jaço, Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, vuri në dukje se mungesa e fuqisë punëtore po kthehet realisht në pengesë për ecurinë e bizneseve.

Në vitin 2023 pritet që mundësitë për të punuar do të jenë të larta për të gjitha profilet e punës, ndërkohë që mundësi më të mëdha do të ofrohen për punonjës që kanë aftësi ose profesione elementare. Pagat dhe stimujt e tjerë motivues po zhvillohen nga të gjitha bizneset në mënyrë që të nxisin punonjësit.

Selami Xhepa, një nga ekonomistët më të njohur në vend, analizoi se në mënyrë konstante, në këto 30 vitet e fundit, investimet e biznesit në kapitalin njerëzor kanë qenë problematike.

Tregu i punës nuk përmbush asnjë nga tre kriteret kryesore, rritja e të ardhurave për punonjësit, siguria në punë, është një komponent i rëndësishëm i tregut të punës që nuk ekziston në Shqipëri dhe kushtet për vetërealizim. Tregu i punës nuk ka krijuar një sistem që të ofrojë karrierë profesionale, thotë ai.

Bizneset, ekspertët dhe ekonomistët pohojnë se edhe gjatë vitit 2023, punonjësit do të kenë shanse më të mira në tregun e punës, si për mundësi punësimi, paga më të mira dhe trajnime e stimuj të tjerë.

Erald Pashaj: Viti 2023 do të rrisë ofertat për punë dhe pagat

Viti 2023 do t’i japë mundësi kujtdo që ka kualifikimin, përvojën dhe etikën e punës në nivele mesatare dhe mbimesatare, që të ketë mundësi më të mira karriere.

Punonjësit me kualifikim të ulët do të kenë të mundësi për oferta pune dhe paga më të larta nga zhvillimet pozitive në turizëm, shprehet Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore.

Kërkesa më e lartë për punonjës, sipas tij, do të vijë nga turizmi, i ndjekur nga ndërtimi dhe të gjithë nënindustritë që lidhen me to. Pagat do të rriten nga 8-20%.

Sa do të rriten pagat dhe çfarë mundësish punësimi do të ketë në vitin 2023?

Janë dy pyetje të thjeshta dhe me interes për këdo, por që përgjigjja nuk mund të jetë e përgatitur posaçërisht për këdo që bën këtë pyetje, sepse varet nga personi, kualifikimi, çfarë aspiron, çfarë guxon, etj.

Gjithsesi, një analizë e përgjithshme që më pas mund të kanalizohet tek individi, natyrisht që bëhet dhe na ndihmon dhe bën më të vetëdijshëm për të ardhmen në lidhje me punësimin.

Do të doja ta filloja me pyetjen e dytë: Çfarë mundësish punësimi do të këtë në vitin 2023 në Shqipëri? Mundësitë do të jenë edhe më të mëdha në çdo sektor, por kjo nuk do të thotë që do të jenë të mëdha për cilindo.

Kjo është arsyeja pse më lart përmenda se ato varen nga individi, kualifikimet, aspiratat, guximi, etj.

Po, sot është koha për të folur edhe për individin dhe secili duhet të shohë veten, sepse është momenti që të pyesim, jo vetëm çfarë mundësish ka tregu, por edhe çfarë ofroj unë në treg.

Sot jemi në një situatë ku kërkesat për një pozicion nuk përputhen me kualifikimin e punëkërkuesit, por jo vetëm me kualifikimin, por nuk përputhen as me reputacionin e tij, sjelljen dhe marrëdhëniet që ka pasur ndër vite, e quajtur ndryshe historiku ynë i punësimit.

Nga njëra anë, sot ne kemi kërkesën më të madhe ndonjëherë për punonjës, por nga ana tjetër, mungon individi që e përmbush këtë kërkesë. Përputhja nuk është vetëm në pagë dhe kushte pune, por ajo nxjerr në pah faktin se, ndër vite, individi nuk ka bërë aq sa duhet për veten.

Natyrisht që fajtor për mungesën e zhvillimit të forcës së punës profesionalisht dhe etikisht nuk është vetëm individi, por edhe kompanitë.

Pavarësisht kësaj të fundit, individi nuk duhet ta lërë zhvillimin e tij sipas kërkesave të kohës vetëm në dorë të tjetrit. Viti 2023 do t’i japë mundësi kujtdo që ka kualifikimin, përvojën dhe etikën e punës në nivele mesatare dhe mbi mesatare, që të ketë mundësi më të mira karriere.

Kushdo që këto vite ka mbjellë punë të mirë dhe etikë, do të ketë momentin për të korrur vlerën që i ka shtuar vetes në kohë. Gjatë viteve 2020-2022 kam parë shumë CV dhe takime ku individi nuk ka menduar që një ditë mund të kërkonte punë tjetër dhe u gjet i papërgatitur në çdo drejtim.

Do të dëshiroja që nga ky vit të kemi gjithmonë e më shumë njerëz me aftësi të transferueshme, sepse ata do të kenë mundësi të kapin të parët dhe më shpejt ato mundësi që tregu i punës po ofron gjithnjë e më shumë në Shqipëri.

Po tregu i punës, çfarë do të ofrojë më shumë në vitin 2023?

Sektori që pritet të ketë kërkesën më të lartë të drejtpërdrejtë është turizmi, i ndjekur nga ndërtimi dhe të gjithë nënindustritë që lidhen me to.

Kërkesa e lartë e drejtpërdrejtë për punonjës në turizëm, do të përkthehet edhe në kërkesë për punonjës në industrinë ushqimore apo në shitje dhe shpërndarje HORECA, e deri te kërkesa për shoferë dhe shoqërues për transport, pra zinxhiri i ofertës për punë do të jetë shumë më i gjerë.

E njëjta situatë do të jetë dhe në ndërtimtari, ku kërkesa për punonjës të drejtpërdrejtë që nga arkitekt, inxhinier, ekonomist e specialist dhe deri te punonjës kantieri do të ndiqet nga kërkesa për shitës të materialeve të ndërtimit, apo të gjithë sektorëve që mobilojnë apo pajisin banesat apo mjediset tregtare.

Ky efekt nuk do të ndalet vetëm te këta sektorë, sepse oferta e punësimit është e agreguar.

Kjo do të thotë që nëse dikush punon në një fasoneri dhe paguhet 40,000 lekë neto në muaj, nuk do t’i interesojë që të punojë në fasoneri nëse një hotel do t’i ofrojë punë në kuzhinë, si ndihmës dhe do ta paguajë 70,000 lekë.

Në këtë mënyrë, i gjithë tregu i punës do të ketë kërkesë dhe kjo do të sjellë, edhe në vitin 2023, në një rritje pagash nga 8% në 20% rritje. Rritjet më të larta do të jenë për punët që sot paguhen më pak, sepse baza e tyre është e ulët dhe rritje më të vogël do të kenë punët e kualifikuara.

Duke marrë në konsideratë vitin 2022, por edhe 2021, pritet që 2023 të ketë shumë vështirësi për të gjetur punonjës të pakualifikuar në:

Punëtorë në prodhim;
Punëtorë në miniera;
Punëtorë në ndërtim;
Punëtorë në bujqësi;
Punëtorë në hotele, bare dhe restorante.

Viti 2023 do të vazhdojë të provojë të sjellë punonjës nga Azia, si Nepali, Bangladeshi, Filipinet, India, etj.

Këta punonjës do të jenë plotësues, dhe jo zëvendësues të forcës së punës në vend, që do të thotë se do të jenë në numër të kufizuar dhe jo më shumë se 5% e forcës totale të punës. Pra në një kantier ose fabrikë me 100 punonjës, maksimumi 5 mund të jenë nga vendet e sipërpërmendura.

Kjo lëvizje do të sjellë dhe rritjen e pagave të forcës së punës ekzistuese, po mendoj se paga neto minimale për këto industri do të jetë rreth 45,000 – 50,000 lekë dhe duke filluar nga viti 2023, do të kemi përmirësim të ndjeshëm të kushteve të punës, orëve të punës, mjedisit dhe marrëdhënies punëdhënës – punëmarrës.

Tashmë presionet e drejta të punëmarrësve do të fillojnë të ekuilibrojnë punëdhënësit, të cilët do të përpiqen me të gjitha format shtesë, përveç pagës, që të mbajnë forcën e punës ekzistuese.

Cili punëdhënës do ta bëjë më mirë këtë proces të dyanshëm, do të jetë dhe më i suksesshëm në punën e tij, e cili nuk do të dijë ta gjejë këtë balancë, por do të vazhdojë të ankohet apo me kokëfortësi do të ndjekë mënyrën që ka punuar vite më parë, do të marrë shuplakat e tregut dhe do ta gjejë veten gjithmonë e më i zvogëluar, e nuk do ta kapë më hapin e kohës.

Cilat do të jenë profesionet më të kërkuara?

Kërkesa për punët e kualifikuara do të vazhdojë të jetë e lartë dhe punëdhënësit do të rrisin pagat dhe kushtet e përgjithshme, në mënyrë që të jenë tërheqës për punonjësit e pakënaqur diku tjetër.

Këto profile janë:

Kryesojnë Programuesit. (Për gjuhë të ndryshme të programimit si BackEnd, FrontEnd, .NET, Java, SalesForce, Security Engineer, Full Stack, PHP, etj.)
Financë dhe Kontabilitet
Shitës në dyqan dhe në terren për çdo sektor
Profilet Inxhinierik/Teknik – (Inxhinier sistemesh ngrohje-ftohje dhe kondicionim, inxhinier mekanik, elektrik, civil, arkitekt, etj.)
Burime Njerëzore (Rekrutim, administrim, trajnues, etj.)
Marketing
Administrativë (Recepsionist, Office Assistant, etj.)
Logjistikë
Call Center (Operatorë)
Teknologji (Network, IT Support, Help Desk etj.)
Profile Drejtuese – Drejtor Shitjesh, Operacionesh, Burimesh Njerëzore, Financë, Prodhimi, Drejtor të Përgjithshëm, etj.)
Punonjësit e kualifikuar më lart, por edhe punonjës të sektorëve të tjerë si p.sh., bankë dhe shërbime financiare, apo telekomunikacion dhe shërbime profesionale, etj., kërkojnë më shumë sesa një pagë të mirë. Janë dy aspekte kryesore për ta që nuk duhen anashkaluar tani e në vazhdim:

Mundësi për karrierë

Mundësi për trajnime

Të dyja këto aspekte kanë të bëjnë me të ardhmen e individit, por edhe me vlerësimin që punëdhënësi shfaq për ta dhe punën e tyre.

Punonjësit e kualifikuar nuk do të mund të mbahen më vetëm me pagë, sepse atë do ta marrin diku, por mundësia e drejtë për karrierë, apo thellimi në rritje profesionale janë thelbësore tashmë për t’i mbajtur ata të angazhuar.

Produktiviteti që vjen nga kombinimi i mirë i trajnimit, trajtimit me drejtësi, mundësisë për karrierë dhe pagës është edhe më i lartë sesa produktiviteti që arrihet nga informatizimi i proceseve.

Një tjetër aspekt shqetësues për tregun e punës në vitin 2023 do të jetë dhe migrimi. Në sondazhin që në realizuam në shtator – tetor 2022 për kënaqësinë dhe angazhimin në punë në Shqipëri dhe Kosovë, na rezultoi se 53% e të anketuarve (1,621 intervista të plota) janë të interesuar për të kërkuar punë në një shtet tjetër në 12 muajt e ardhshëm, dhe 25% e tyre shprehen se ka shumë mundësi që të lëvizin në 12 muajt e ardhshëm.

Natyrisht jo të gjithë do të kenë mundësi të largohen në një shtet tjetër, por dëshira nuk mungon. Kur ka dëshirë për largim, ka edhe largime.

Ndoshta jo për 12 muaj, por edhe për 24, por nëse dikush mendon të largohet 53% dhe 25% e dëshiron, gjykoj që do ta gjejë mundësinë për t’u larguar.

Ritmi largimeve pritet të jetë si deri më tani, i vlerësuar (sepse nuk matet dot) rreth 40,000 largime në vit.

Këto largime do ta thellojnë edhe më shumë mungesën e fuqisë punëtore, por njëkohësisht do të nxisin edhe rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve që do të vijnë si kundërpërgjigje për të frenuar largimet si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Shpresoj që rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të jetë në nivelet 8-20%, në mënyrë që migrimi të frenohet disi.

Madje dhe uroj që të fillojnë rikthimet, të cilat do të mund të bëhen realitet vetëm kur pagat neto mesatare të arrijnë 100,000 lekë të reja në muaj. Gjykoj që ky është parakushti për frenim të ndjeshëm dhe rikthime.

Viti 2023 do të ketë më shumë mundësi për ata individë që kanë për të dhënë, për profilet e kualifikuara, ndërsa për ato të pakualifikuara, do të eksplorojnë me sasi të vogla edhe për punonjës nga Azia.

Pagat do të rriten nga 8% në 20% dhe konkurrenca ndërmjet biznesit për punonjës do të bëhet edhe më e lartë, gjë që do të çojë jo vetëm në paga më të larta, por edhe në kushte pune më të mira.

Tashmë i gjithë ky proces sa më lart do të jetë një pjesë përbërëse e konkurrencës së çdo biznesi.

Ai që do ta bëjë më mirë, do të jetë më i suksesshëm. Konkurrenca për forcën e punës, tashmë është e pranishme dhe viti 2023 do ta përforcojë edhe më shumë këtë prirje.

*Artikull i Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME