Aplikimi i skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar ka ngjallur pakënaqësi mes grupeve të interesit. Rreth 1700 persona, që kishin më parë statusin e aftësisë së kufizuar, e kanë humbur atë, duke i lënë në mëshirë të fatit. Shoqatat akuzojnë se institucionet nuk po i zbatojnë si duhet udhëzimet dhe kanë shkelur marrëveshjen e dakordësuar për mosprekjen e statusit.
Autor: Jetmira Delia
Prej më shumë se një viti Anxhela Mersini nga Vlora nuk e gëzon më statusin “Invalid paraplegjik”. Ajo ka lindur me talasemi dhe me kalimin e viteve gjendja e saj është rënduar. Për këtë arsye në vitin 2018 Anxhela mori statusin “paraplegjike”. Vlefshmëria e këtij dokumenti ishte 3 vjet, kështu që në vitin 2021 u paraqit sërish para Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, ku kësaj here iu nënshtrua vlerësimit bio-psiko-social, një metodë e re vlerësimi, që nisi aplikimin në dhjetor të vitit 2019.
Faksimile e kartelës që tregon se Anxhela Mersini kishte statusin e paraplegjikes (2019-2021)
Përgjigjja mbërriti pas dy muajsh, ku specifikohej se 29-vjeçares i hiqej statusi i paraplegjikes. Argumenti ishte se nuk ka deficite motore dhe do të trajtohet si person, që i përket grupit të dytë të aftësisë së kufizuar, me diagnozën “talasemi major”.
Faksimile e dokumentit të lëshuar nga Shërbimi Social, që i heq statusin “paraplegjike” Anxhela Mersinit
Si pasojë e ndryshimit të statusit Anxhelës i është hequr paketa higjieno-sanitare prej 16 mijë lekësh, si dhe një pagesë prej 11 mijë lekësh për personin kujdestar (që e përfitonte nëna e saj). Aktualisht ajo merr vetëm një ndihmë modeste prej 11.900 lekësh, krejt e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e saj.
Prindërit tregojnë se ajo është paralizuar që në moshën 16-vjeçare dhe mjekët kanë konkluduar se i ka ardhur si pasojë e talasemisë, që e ka patur që në lindje.
“Heqja e ndihmës që kishim, në një kohë kur çmimet janë rritur, është shumë e vështirë për ne. Shteti duhet të na ndihmojë, jo të na e heqë ndihmën. Në familjen time punoj vetëm unë në ndërmarrjen e shërbimit publik të Bashkisë së Vlorës. Me 35 mijë lekë rrogë, si do ia dal unë në këto kushte? Jetojmë në kabinat e ish-Kampit të Punëtorëve, në kushte të vështira”, – rrëfen për Investigative Network Albania-n Vladimir Mersini, babai i Anxhelës.
Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar për Vlorën, Hysen Muhameti, na thotë se veç rastit të Anxhelës ka referuar pranë zyrës së Avokatit të Popullit edhe dy raste të tjera.
Të treve iu është hequr statusi si paraplegjik. Unë nuk mund t’i ndihmoj më shumë se sa t’i referoj diku, ku shpresoj të marrin zgjidhje, por është e padrejtë të gjenden në këtë situatë”, – thotë Muhameti.
Të ngecur në grackën e sëmundjes dhe pamundësisë, nuk ka kush ta kërkojë të drejtën për këtë kategori, pasi familjarët duhet të kujdesen për ta.
“Nuk i lënë dot vetëm e të sorollaten zyrave. Iu duhet të punojnë për t’iu siguruar ilaçet apo gjithçka tjetër, që iu nevojitet me problemet që kanë”, – shpjegon më tej Hysen Muhameti situatën absurde ku gjenden personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë.
Për rastin e Anxhelës, Network Investigative Albania iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në Vlorë. Sipas këtij institucioni, Anxhela Mersini u paraqit pranë Komisionit të Nivelit të Parë Neurologji/Paratetraplegji më 17 gusht 2021, por dosja e saj rezultoi me “divergjencë” apo “mospërputhje”.
“Dosja u nis në komisionin e K.M.C.A.P-it Epror dhe Anxhela u paraqit në komision më 13/01/2022. Me Vendimin Nr. 09 rezulton “Pa Grup”, pra nuk e përfiton statusin e invalidit “Paraplegjik”. Aktualisht, merr pagesën si P.A.K. dhe nuk e ka dorëzuar dokumentacionin për statusin e paraplegjikut në Zyrat e Shërbimit Social Shtetëror për të vijuar me komisionimin”, – theksohet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në Vlorë.
Por, babai i Anxhelës pretendon të kundërtën.
“Mbaruam vizitën në Tiranë në janar dhe na thanë që “do marrësh përgjigje në Vlorë”. Kur më thanë, që vajza nuk e ka më statusin e paraplegjikes, kundërshtova. Më kërkuan dokumente të reja, por, teksa i bëja, më thanë te Komisioni pranë Qendrës Shëndetësore në Vlorë se “nuk ke të drejtë të ankimosh, sepse vendimi i Tiranës është i formës së prerë dhe i vlefshëm për 3 vjet, deri në vitin 2024”, – thotë babai i Anxhelës.
Skema e re, penalizuese
Njësoj si Anxhela, qindra persona me aftësi të kufizuara kanë mbetur jashtë skemës së mbështetjes, pasi kanë humbur statusin.
Reforma e re për vlerësimin bio-psiko-social ka penalizuar pa të drejtë një kategori, që është në nevojë ekstreme.
Avokati i Popullit bën me dije se pranë këtij institucioni vetëm nga Vlora janë dorëzuar 7 ankesa në lidhje me vendimet që janë marrë pas vlerësimit bio-psiko-social për personat me aftësi të kufizuara.
Në rang vendi, numri “i të përjashtuarve” pranë Shërbimit Social Shtetëror është shumë më i lartë.
“Me shtrirjen e modelit bio-psiko-social, që prej 01.01.2020 deri më tani janë regjistruar 1672 ankesa”, – thotë në një përgjigje me shkrim Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH).
Por, sa është numri i personave, që kanë dalë nga skema e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara?
“Numri i personave me aftësi të kufizuara, në kohën kur nisi aplikimi i modelit bio-psiko-social, ishte 72.183 persona. Aktualisht, numri i personave me aftësi të kufizuara është 70.490, me të dhënat e përpunuara deri në tetor 2022 (pasi të dhënat e fundit nuk janë përpunuar ende; statistikat përpunohen çdo 2 muaj)”, – thuhet në përgjigjen e SHSSH-së.
Duke iu referuar këtyre të dhënave të servirura nga institucioni, që menaxhon skemën e aftësisë së kufizuar, kanë dalë nga skema 1693 persona dhe shumica e tyre e kanë ankimuar vendimin (1672). Ndërsa rasti i Anxhelës tregon që për disa arsye, të tjera ankesa nuk kanë mbërritur ende në dyert e Shërbimit Social Shtetëror.
Heqja e statusit shihet si problematika kryesore për personat me aftësi të kufizuara nga kryetarja e Shoqatës së Paraplegjikë-Tetraplegjikëve, Adivije Hoxha. Ajo akuzon se skema e re po aplikohet në shkelje të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas saj, udhëzimi për zbatimin e vlerësimit bio-psiko-social është diskutuar me grupet e interesit dhe një nga pikat e dakordësuara ka qenë që ata, që kanë statusin para-tetraplegjik, të mos i nënshtrohen vlerësimit.
Ajo vlerëson se është bërë një katrahurë, edhe ata që kanë pasur status prej vitesh, janë penalizuar.
“Si mund t’i hiqet statusi dikujt që ka vite me këtë status, që rri shtrirë, nuk vishet dot vetë, përdor paketën higjieno-sanitare, që nuk është i vetëdijshëm? Komisionet kanë bërë vlerësime online, duke na lënë ulur. Aty, në divan, ne mund të dukemi bukur, por sa të aftë jemi ne për të kryer lëvizje bazike?”, – thotë e irrituar ajo.
Sipas saj, edhe pse pandemia ka përfunduar prej kohësh, komisionet vijojnë e i bëjnë vlerësimet online.
“Çuditërisht komisionet i vazhdojnë online vlerësimet, edhe pse pandemia ka mbaruar. Vetëm te KEMP-i Epror, që nuk pajtohet me vlerësimin rajonal, duhet fizikisht. Për ne kjo është diskriminuese, sepse kanë shumë vështirësi në transport”, – këmbëngul kryetarja e Shoqatës së Paraplegjikë-Tetraplegjikëve, Adivije Hoxha.
Arjon Jakupit iu hoq statusi “paraplegjik” për 6 muaj me radhë, duke mos e përfituar pagesën për paketën higjienike, në vlerën 16 mijë lekë, por vetëm pagesën si person me aftësi të kufizuara, i grupit të parë (11.900 lekë) dhe atë të kujdestarit, që në atë kohë ishte 10.600 lekë.
Në foto kartela e Arjon Jakupit pas rifitimit të statusit paraplegjik
E ëma, Drita, kërkon dëmshpërblim për muajt që iu hoq statusi, por nuk di se në cilën derë të trokasë.
“Kam kërkuar të dëmshpërblehem, por më thanë: “Falëndero Zotin që e rifitove kaq shpejt, se të tjerët kanë kaluar më shumë se një vit dhe nuk e kanë rifituar akoma”. Çfarë të bëj unë tani? As nuk më orientojnë se ku të ankohem, se, përderisa iu rikthye, do të thotë se është bërë një padrejtësi. Djali gjatë atyre 6 muajve duhet të merrte edhe pagesën për paketën higjienike. Ku ta zgjidh?”, – pyet Drita, nëna e 21-vjeçarit paraplegjik.
Kësaj pyetjeje të Dritës Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social në Durrës nuk i jep asnjë përgjigje.
“Për periudhën tetor 2021-mars 2022, z. Jakupi e ka marrë pagesën si “Grupi i Parë me Kujdestari” dhe jo si “Para/Tetraplegjik”, pasi, sipas vendimeve në këtë periudhë, është deklaruar nga komisioni “Grupi i Parë” dhe jo “Status Para-Tetraplegjik”. Pagesat në vazhdim i ka në rregull”, – shprehet pa dhënë një përgjigje të qartë Shërbimi Social i Durrësit.
Skema e re, problematike
Për kryetaren e Shoqatës së Personave Para dhe Tetraplegjikë zbatimi skemës së re ka nxjerrë në pah një sërë problemesh, të mbartura ndër vite. Pika e dobët vijon të jetë pagesa e kujdestarit, që është 11.500 lekë për 4 orë shërbim, por ata në fakt janë 24 orë në dispozicion të të sëmurit. Nëse nuk kanë të afërm, është shumë e vështirë që me këtë pagesë të gjendet një kujdestar.
“Ligji për punësimin shkelet nga vetë institucionet shtetërore. 1 në 50 punonjës duhet të jetë person me aftësi të kufizuara, por asnjë nuk e zbaton. Kjo do të na bënte ne të mos ndjehemi barrë për shoqërinë, por edhe do të na ndihmonte ekonomikisht. Është bërë indeksimi 7.5% për rritjen e çmimeve, por është shumë pak”, – thotë Adivije Hoxha.
Skema e re e vlerësimit bio-psiko-social synon që personat me aftësi të kufizuara të mbështeten financiarisht sipas shkallës së sëmundjes dhe kompleksitetit të saj. Situata përcaktohet nga komisionet e dedikuara, multidisiplinare, të cilat kanë në përbërje mjekë dhe punonjës socialë.
Të pakënaqurit e skemës së re i janë drejtuar Avokatit të Popullit me një lumë ankesash. Ata pretendojnë: mosdhënie të grupit të invaliditetit, ndryshim të grupit të invaliditetit, heqje e statusit të invalidit paraplegjik/tetraplegjik dhe për pasojë mospërfitim të mbulimit të shpenzimeve për paketën higjieno-sanitare, ankesa për datën e komisionimit etj.
“Për të gjitha këto pretendime i jemi drejtuar Komisionit Mjekësor për Vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar (Niveli i Parë dhe atij Epror) pranë Shërbimit Social Shtetëror”, – thotë Avokati i Popullit.
Fatlum Nurja, ekspert i qeverisjes vendore, tregon se përgjatë 7 muajve të parë të aplikimit të saj janë vërejtur disa mangësi, që nga vonesat në kryerjen e intervistave deri te shkelja e të drejtave të njeriut.
“Stafi i zyrës së vlerësimit duhet ta realizojë kryerjen e intervistës brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit, gjë e cila rezulton se është kryer me vonesë në shumicën e rasteve. Mosrealizimi në kohë i intervistës për personat që kërkojnë të rivlerësohen (të cilët janë në vazhdim përfitues të aftësisë së kufizuar), ka sjellë shkëputje të pagesave për këta persona. Vonesat nuk janë me pak ditë, por edhe me muaj”, – shpjegon Nurja.
“Ndërprerja e pagesës, përveçse është shkelje e së drejtës së ligjshme të personave më aftësi të kufizuara, ka sjellë si pasojë edhe mospërfitimin e shpërblimit të fund-vitit dhe ndihmës financiare për shumë persona (pasi këto dy pagesa janë bërë vetëm për ata persona që kanë qenë në listë-pagesat e dhjetorit)”, – vazhdon më tej eksperti i qeverisjes vendore.
Duke iu referuar qytetit të tij, Shkodrës, Nurja thotë se, sipas informacioneve të tij, vetëm në listën e rivlerësimeve të Bashkisë së Shkodrës (qytet, pa përfshirë njësitë administrative), nga 80 vërtetime të Komisionit Shumë-disiplinor të Vlerësimit të Aftësive të Kufizuara, të përcjella në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social, Shkodër në fillim të muajit janar 2023, 29 persona rezultojnë përfitues të muajve nëntor-dhjetor. Nëse do të ishin vlerësuar në kohë, këta persona do të kishin përfituar shpërblimin (3000 lekë) dhe mbështetjen financiare (8000 lekë).
“Në muajin janar janë larguar nga skema e aftësisë së kufizuar afërsisht 300 persona, që iu kishte mbaruar afati në dhjetor dhe ishin në proces rivlerësimi. Pjesa më e madhe e këtyre personave pretendojnë se kishin kohë që e kishin dorëzuar dokumentacionin ose që ishin intervistuar në muajin dhjetor”, – shpjegon situatën më tej për Shkodrën Nurja.
Sipas tij, pikërisht për shkak të mosfunksionimit si duhet të institucioneve, i është ndërprerë pagesa kësaj kategorie shumë vulnerabël. Më konkretisht, për personat e intervistuar në dhjetor Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social, Shkodër duhet të kishte dërguar në ditët e para të janarit një kopje të Vërtetimit të KSHVAK-së (Komisioni Shumë-disiplinor i Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar) pranë Bashkisë së Shkodrës (duke shmangur në këtë mënyrë ndërprerjen e pagesës) dhe një kopje duhet t’ia kishte dorëzuar aplikuesit për t’i vënë në dijeni për vendimmarrjen.
“Një tjetër pretendim i qytetarëve është se ata nuk po pajisen me kopjen e vërtetimit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social, Shkodër. Pra, besoj se ky shembull tregon mjaft qartë problemet që ka sjellë kjo skemë e re”, – thotë Fatlum Nurja, duke vënë gishtin mbi disa nga problemet e skemës së re.
Me modelin bio-psiko-social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar kemi 4 lloje nivelesh përfitimi: niveli i parë – 7.292 lekë, niveli i dytë – 9.723 lekë, niveli i tretë – 12.153 lekë, niveli i katërt – 14.584 lekë.
Fatbardh Kokotit, 63 vjeç, banues në lagjen “SMT” në Shijak, iu hoq statusi i “invalidit të punës” më 31 maj 2020. Sipas Komisionit Shumë-disiplinor për Vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar, ai është i aftë për punë të lehtë. Pasi kaloi një vit nga ky vendim, kohë gjatë së cilës Fatbardhi nuk gjeti dot punë të lehtë, pësoi infarkt (janar 2022) dhe u shtrua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Komisioni prej 3 mjekësh, që ndoqi gjendjen e tij për një muaj në spital, vendosi që pacienti të vlerësohej për ndihmë ekonomike (KEMP). Fatbardhi e kishte përfituar statusin e invalidit të punës prej vitit 2013 deri në 2022. Bashkëshortja e tij, Lirie Kokoti, thotë se për shkak se gjendja e tij ndryshoi, vijoi përpjekjet për të siguruar KEMP-in.
Fletë-drejtimi për KEMP për Fatbardh Kokotin nga mjekët e QSUT
“Dokumenti i mjekëve të QSUT-së nuk u mor fare parasysh. Më sollën shkresën, ku thoshin që është jashtë skeme, nuk rezulton në sistem. Po unë këtë e dija, unë po kërkoja të futej në skemë, se ndryshoi situata pas infarktit, tani veç këmbës, që kishte probleme nga aksidenti, mezi lëviz edhe tjetrën”, – thotë bashkëshortja, Lirie Kokoti.
“U bë një vit që endem nga Durrësi në Tiranë, kam shkuar 3 herë, me taksi sigurisht, sepse burri nuk qëndron dot në furgon, duhet makinë e posaçme. 3 mijë lekë taksia, sa herë udhëtojmë. Hera e parë iku ashtu, e apeluam. Më 18 janar të këtij viti u paraqitëm dhe na u tha që duhet një eko e re zemre, sikur nuk na e kërkonin dot me telefon, por duhet të shkonim deri në Tiranë.”-thotë Lirie Kokoti.
Më 15 shkurt, Fatbardhi u paraqit sërish pranë Shërbimit Social në Tiranë, ku pasi u rivlerësua gjendja e tij, rifitoi sërish statusin e invalidit të punës.
Prej një viti Fatbardhi nuk përfitonte as pension invaliditeti dhe as pension pleqërie, ndërsa Liria nuk mund të fillonte një punë, pasi duhet të kujdesej për bashkëshortin.
Dokumenti që tregon se Fatbardh Kokoti nuk përfiton, as pension, as ndihmë ekonomike
Edhe në Shkodër ata që e kanë pësuar nga kjo skemë e re janë të shumtë. Nga 477 persona të rivlerësuar me modelin bio-psiko-social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar gjatë 7 muajve të parë të zbatimit të skemës, rreth 70% e personave të vlerësuar/rivlerësuar me këtë model rezultojnë me ulje të pagesës.
“Duke qenë situatë tepër e vështirë ekonomike, zvogëlimi i masës së përfitimit (e cila më përpara ishte 11.915 lekë), ka sjellë impakt negativ në mirëqenien ekonomike dhe sociale për këta persona dhe mundësi të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike e shoqërore”, – thotë Fatlum Nurja.
Astrit Shirokut, një 80-vjeçari nga Durrësi, i është hequr statusi i paraplegjikut prej 3 vitesh. Bashkëshortja e tij, Deliko, tregon vështirësitë, ku gjenden dhe ecejaket në dyert e institucioneve në Durrës dhe në Tiranë.
Dokumenti mjekësor që tregon se Astrit Shiroku ka pamundësi për të lëvizur dhe drejtohet për KEMP
“Para 3 ditësh na morën në telefon nga KEMP-i Epror me kamera dhe i thoshin burrit: “Ngrihu në këmbë”. Po ai, po të ngrihej në këmbë, nuk do kërkonte KEMP. Ata kanë dosjen atje për të gjithë sëmundjen që ka, ilaçet që merr. Me telefon do e kuptojnë ata sa i sëmurë është ky 80-vjeçar? Të ngrihen, të vijnë e ta shohin në shtëpi. Ai nuk ka dalë gjithë këto kohë të shohë dritën e diellit. Të drejtën po kërkojmë, nuk e kuptoj, pse bëjnë kështu?”, – akuzon me të drejtë Deliko Shiroku.
Ajo rrëfen se bashkëshorti merr 20 mijë lekë pension, por aq i bëjnë ilaçet. Ndërsa edhe ajo vetë merr ilaçe për tensionin e lartë, zemrën.
“A mendon njeri nga këta si ia dalim? Shyqyr që kemi fëmijët jashtë vendit dhe na ndihmojnë, pa nga shteti nuk presim më asgjë. Si i hiqet ndihma një 80-vjeçari? A mendojnë këta, edhe sa do rrojë ky?”, – thotë Deliko Shiroku.
Ashtu si edhe në rastet e tjera, Zyra Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në Durrës sqaroi se vendimi për t’i hequr statusin është i KEMP-it epror dhe atyre iu mbetet vetëm ta zbatojnë.
“P.A.K.” peng i burokracive
Kur ka kaq shumë të pakënaqur, a duhet rishikuar skema e vlerësimit për personat me aftësi të kufizuara?
Eksperti i qeverisjes vendore, Fatlum Nurja, mendon se ka ardhur koha që kjo skemë të decentralizohet. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të marrin fund burokracitë për këtë kategori.
“Ky shërbim duhet decentralizuar, ashtu siç është, bllok, të shkojë në varësi të bashkisë, ku institucionet qendrore duhet të vendosin vetëm kriteret, standardet dhe procedurat, të cilat ata duhet t’i monitorojnë. Nga monitorimi, të vlerësojnë situatën dhe pastaj të përmirësojnë çfarë do mundet”, – sugjeron Nurja.
“Nuk mundet që njerëzit, aq më shumë kjo kategori, të jenë në mes të institucioneve apo burokracive reciproke dhe mungesës së koordinimit. Sa më shpejt të bëhet, aq më mirë do jetë”, – përfundon ai.
Avokati i Popullit sugjeron se duhen rishikuar kriteret e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, duke e zgjeruar me disa diagnoza të reja.
“I jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke u nisur nga problematikat që qytetarët kanë ngritur pranë institucionit tonë. Kemi sugjeruar për përfshirjen e diagnozës “paraparezë” në përfitimin e statusit të Invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, përfshirjen e diagnozës “paraplegji inferiore nga sëmundje neurodegjenerative pa çrregullime sfinkteriane“, në përfitimin e paketës higjieno-sanitare, si dhe të diagnozës “hemiplegji” në përfitimin e Statusit të Invalidit Paraplegjik dhe Tetraplegjik”, – përfundon Avokati i Popullit.