Shqipëria është nën presion edhe nga Parlamenti Europian, për të liruar Fredi Belerin. Mediet greke shkruajnë se Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë që përmban një amendament për lirimin e Fredi Belerit, i cili u arrestua para zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Amendamenti për “lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Heimarrës, Fredi Beleri” dhe për “mbrojtjen e pronave të pakicës kombëtare greke”, është paraqitur nga Partia Popullore Europiane dhe Eurogrupi i së Majtës në Raportin mbi Procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe u votua sot. 290 eurodeputetë votuan pro projektligjit dhe 260 kundër.
“Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve vendore të majit, dhe pengimin e kryetarit të zgjedhur për të marrë detyrat e tij, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite”, theksohet në arsyetimin e vendimit për miratimin e amendamentit.
Amendamenti u mbështet nga eurodeputetët grekë të të gjitha partive.