Dy turistë italianë, Domenico Gritto, 24 vjeç dhe Vincenzo Tizzano, 32 vjeç, me origjinë nga Pozzuoli në Napoli humbën jetën mëngjesin e kësaj të enjteje në një aksident rrugor në aksin Sarandë – Ksamil. Rreth orës 3 të mëngjesit, dy italianët po ktheheshin në Sarandë, me një motoçikletë, kur një makinë Mercedes Benz, e drejtuar nga një 17-vjeçar pa patentë u ka prerë rrugën papritmas.
Përplasja rezultoi fatale për dy italianët ndërsa drejtuesi i makinës dhe një bashkëmoshatar që ndodhej në bord me të përfunduan në spital. Policia shqiptare vuri më pas në pranga 17 vjecarin të akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim të mjetit në jo në mënyrë të rregullt. Sipas të dhënave që mësohen Gritto dhe Tizzano po ktheheshin nga një klub pasi kishin festuar ditëlindjen e këtij të fundit në Ksamil.
Më pas ndodhi tragjedia. Dinamika e saktë e aksidentit është duke u hetuar nga policia lokale. 17-vjeçari do të merret së shpejti në pyetje. Në pamjet e publikuara në Instagram shihen dy të rinjtë italianë duke u argëtuar dhe duke shpërndarë pamje online nga mbrëmja e tyre. Fatkeqësisht edhe e fundit.