Për gati 2 orë e gjysmë kryesia e Partisë Socialiste diskutoi për kandidaturën që do të propozonte mazhoranca për President të ardhshëm të Republikës.
Burimet thanë se përveç propozimeve të deputetëve është diskutuar edhe për emrat që kanë dalë së fundmi në media si Ardian Dvorani, Ina Rama, Majlinda Bregu dhe Nevila Nika.
Ministrja për parlamentin Elisa Spiropali konfirmoi edhe publikisht në emisionin “Zonë e lirë” se një nga kandidaturat e diskutuara ishte ai i Majlinda Bregut dhe se ajo ishte propozuar nga disa deputetë të PS-së.
“Majlinda Bregu ka qenë një propozim i deputetëve të Partisë Socialiste. Rama moderoi debatin sot në kryesinë e Partisë Socialiste dhe nuk ndërhyri. Mua më pëlqeu debati që u bë sot në kryesi” – tha Spiropali.
Por si u rrëzuan të gjithë emrat e tjerë dhe në fund mbeti ai i Bajram Begajt që edhe pse i propozuar nga deputetët, për shumë prej të pranishmëve në mbledhje ka qenë një zgjedhje surprizë.
Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se emri më i debatuar ka qenë ai i Ardian Dvoranit dhe se “ka qenë shumë afër përzgjedhjes”. Ndryshe nga sa është thënë, Rama nuk e ka parë me sy të mirë emrin e Dvoranit ndoshta edhe për shkak të afërsisë së tij me Fatmir Xhafajn.
Ata që e “kundërshtuan” thanë se një emër i tillë do të nevojitej më shumë në sistemin e drejtësisë ku edhe është profesionit dhe jo në karrigen e kreut të shtetit.
Të njëjtat argumente u përdorën për të rrëzuar më pas edhe emrin e ish-kryeprokurores Ina Rama. Kryesia ka pasur mendime “pro” dhe “kundër” për ish-ministren demokrate Majlinda Bregu dhe ish-drejtoren e Arkivit të Shtetit Nevila Nika.
Burimet thanë se Rama nuk ka vënë “veto” për asnjë emër, por nuk ka pëlqyer figura të përfolura. Në fund kryesia dha mbështetje për Begajn që për çudi nuk kishte zëra kundër dhe askush nuk kishte diçka për të thënë.
Ky ishte mesa duket edhe avantazhi i tij.
Në këtë pikë mbledhja është mbyllur nga Rama që u ka kërkuar anëtarëve të kryesisë të japin mbështetje maksimale për emrin e përzgjedhur.
Vetëm në mbarimin e mbledhjes, Rama u ka kthyer telefonat anëtarëve të kryesisë që ua sekuestroi në nisje për të mos dekonspiruar asgjë përpara kohe