Real Madrid është tronditur nga një skandal pasi 4 lojtarë të rinj (një i Castilla dhe tre të skuadrës së tretë) u arrestuan mëngjesin e sotëm. Siç raporton El Confidencial, ngjarja lidhet me një rast të dyshuar të shpërndarjes së videove të natyrës sek*uale. Hetimi, shpjegon gazeta spanjolle, nisi nga një denoncim i paraqitur më 6 shtator në Mogán, një komunë në Ishujt Kanarie, nga nëna e një të miture. Burimet e El Confidencial sigurojnë se gruaja ka thënë se një nga të arrestuarit ka regjistruar një video porno me protagoniste të bijën dhe më pas e ka shpërndarë.
Për momentin nuk janë bërë të ditur emrat e lojtarëve të arrestuar për krimin e dyshuar. Sipas informacioneve të El Confidencial, në këtë histori janë të implikuar edhe lojtarë të tjerë, mes të cilëve edhe disa nga ekipi i parë. Të rinjtë u arrestuan mëngjesin e sotëm në Qytetin e Sportit të Valdebebas teksa po përgatiteshin për të kryer stërvitjen. Ata u dërguan në organet e drejtësisë me akuzën e veprës penale të pretenduar të zbulimit të sekreteve të natyrës seksuale. Hetuesit duan të sekuestrojnë celularin për të vijuar me analizat dhe për të vazhduar hetimet dhe për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
KOMUNIKATA E REAL MADRID
“Real Madrid njofton se ka mësuar se një lojtar i Castilla dhe tre lojtarë të Real Madrid C kanë dhënë një deklaratë për Guardia Civil në lidhje me një denoncim për shpërndarjen e pretenduar të një videoje private në WhatsApp. Kur klubi të mësojë faktet e thelluara, do të marrë masat e duhura”.