Është rikrijuar parfumi i përdorur për të mumifikuar fisnikët e lashtë egjiptianë. Kjo është realizuar falë një studimi të botuar në “Scientific Reports”, i cili analizoi mbetjet e balsameve të gjetura në fund të dy kavanozëve kanopikë të përdorur për të mumifikuar një grua fisnike të quajtur Senetnay, e cila jetoi gjatë dinastisë së 18-të, rreth vitit 1450 para Krishtit.
Substancat e ndryshme të përdorura për krijimin e parfumit, të quajtur “aroma e përjetësisë”, u identifikuan nëpërmjet përdorimit të disa teknikave analitike të avancuara, duke përfshirë kromatografinë e gazit dhe spektrometrinë e masës, kromatografinë e gazit me temperaturë të lartë, spektrometrinë e masës dhe kromatografinë e lëngshme me performancë të lartë- spektrometria e masës Balsamët përbëheshin nga dyll blete, vaj vegjetal, yndyrna, bitum, rrëshira të llojeve të ndryshme dhe një substancë balsamike.
Studimi hedh dritë mbi lidhjet tregtare që kishin egjiptianët e lashtë në mijëvjeçarin II para Krishtit: “Përbërësit e balsamit tregojnë qartë se egjiptianët importonin materiale nga jashtë mbretërisë”, shpjegon Nicole Boivin, një nga autoret, e cila gjithashtu nënvizon se si kjo tregon që Senetnay i përkiste rrethit të njerëzve më të afërt me faraonin.
Ndër përbërësit e importuar, autorët nxjerrin në pah rrëshirën e pemës së pishës, që vjen nga Mesdheu verior, dhe një rrëshirë që gjendet vetëm në pemët në pyjet tropikale të Azisë Juglindore. Nëse do të konfirmohej prania e kësaj të fundit, kjo do të thoshte se egjiptianët e lashtë po bënin tregti me Azinë Juglindore të paktën një mijëvjeçar më herët se sa besohej më parë.
Parfumi i rikrijuar do të ekspozohet në Muzeun Moesgaard, në Danimarkë dhe mund të nuhatet nga të gjithë vizitorët, të cilët do të zhyten në një përvojë unike historike dhe ndijore.