Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETZbardhet aktakuza për Ahmetajn, SPAK: Favorizoi biznesmenin

Zbardhet aktakuza për Ahmetajn, SPAK: Favorizoi biznesmenin

Dalin detaje të reja të dosjes hetimore ndaj ish z.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili u mor sërish i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyrë në lidhje me procedurën e privatizimit të ish fabrikës së bukës në rrugën 5 maji, ndërkohë që Arben Ahmetaj ka reaguar ashpër për lajmin, duke shtruar pyetjen se pse lajmi doli së pari nga mediat e inceneratorëve (shiko më poshtë).

Sipas dosjes hetimore, referuar hetimit rezultoi se Arben Ahmetaj dhe disa ish-vartës të tij u kallëzuan penalisht në shtator të 2022 nga Ardian Myderizi, trashëgimtar ligjor i të ndjerit Eqerem Myderizi. Familja në fjalë ishte njohur nga gjykatat pronare e truallit brenda të cilit ndodhej dhe ish-fabrika e bukës.

Ndërkohë që Ardian Myderizi i kërkonte ministrisë së Ekonomisë zbatimin e vendimit të gjykatës së Apelit Tiranë të vitit 2006, Arben Ahmetaj atë kohë nxjerr urdhër për privatizimin e aksioneve shtetërore të shoqërisë BUKA nëpërmjet ankandit. Nga hetimet është provuar se drejtoria e drejtimit të pronës publike është publikuar ne 2015 për shitjen e paketës shtetërore të aksioneve të shoqërisë, procedurë e cila është përfunduar me 19 gusht 2015. Aksionet janë privatizuar nga biznesmeni Lirim Fezollari, i cili më pas ka ngritur qendrën Emerald.

SPAK thotë se Arben Ahmetaj ka favorizuar biznesmenin Fezollari duke i sjellë përfitime materiale për shitjen e aksioneve. Ky fakt, sipas Prokurorisë së Posaçme provohet përmes komunikimeve telefonike mes të Ahmetaj dhe Fezollarit. Referuar mesazheve të shkëmbyera ndër vite, SPAK del në konkluzionin se Ahmetaj ka patur njohje të vjetra me njëri tjetrin dhe një marrëdhënie miqësore të vazhdueshme. “Komunikimet e mbajtura nga i pandehuri Arben Ahmetaj vërtetohen edhe nga përgjimet telefonike si dhe nga tabulatet, çka krijon bindjen e plotë se në cilësinë e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, veprimet për privatizimin e aksioneve të shoqërisë Buka i ka kryer me dashje për të arritur qëllimin e tij duke shpërdoruar detyrën si dhe duke i sjellë përfitime material Lirim Fezollarit, në dëm të trashëgimtarëve të familjes Myderizi”, thekson prokuroria.

Sipas Prokurorisë së Posaçme veprimet e të pandehurit Arben Ahmetaj bien në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe me vendimet e gjykatave, raporton ballkan web.

Urdhri për privatizimin e 45 për qind të kuotave të shoqërisë ‘BUKA SHA’, bien ne kundërshtim me një vendim të gjykatës kushtetuese të vitit 2001, ndërsa urdhri i Arben Ahmetaj i 2014 që ka përcaktuar formulën e privatizimit të paketës së aksioneve të shoqërisë dhe ka urdhëruar privatizimin është në kundërshtim me vendimin e gjykatës së Apelit me nr.803 viti 2006. Sipas SPAK ministria e Ekonomisë kishte detyrimin sipas vendimeve të gjykatës që të llogariste pjesën takuese të ish pronarëve sipas çmimeve të tregut, gjë që nuk e ka bërë, edhe pse vendimi është i detyrueshëm për tu zbatuar. Në këtë mënyrë, thekson Prokuroria e Posaçme, familjes Myderizi i është shkaktuar një dëm miliona eurosh. Në lidhje sa më sipër SPAK mori të pandehur Arben Ahmetaj ndërsa po vijon hetimet për zyrtarë të tjerë. Ish zv.kryeministri ndërkohë është në kërkim ndërkombëtar për akuza të rënda që lidhen me aferat e inceneratorëve.

Reagimi i Arben Ahmetajt 

“Akti II i tragji-komedisë së politiko-drejtësisë: Dosja “Buka” sh.a.”, kështu e ka nisur postimin e tij në rrjetin social Facebook, ish-zv.Kryeministri.

Familja Myderizi ngriti padi ndaj Ahmetajt për shpërdorim detyre për privatizimin e shoqërisë Dosja “Buka” sh.a.

Dhe Arben Ahmetaj ka argumentuar se si Ministër i Financave ka bërë vlerësimin në përputhje me ligjin dhe më pas është zhvilluar ankandi, pasi ministria e Ekonomisë ka dorëzuar kërkesën për shitjen e paketës së aksioneve në pronësi të shtetit, shoqëruar me dosjen përkatëse të privatizimit.

“Cila është vepra penale në këtë dosje? Ku qëndron shpërdorimi i detyrës? Të akuzohesh për shpërdorim detyre sepse janë mbrojtur aksionet e shtetit? Akuzohem se i kam bërë dëm privatit? Se si Ministër i Ekonomisë dhe rrjedhimisht përfaqësues i pronarit shtet (Këshilli i Ministrave), kam mbrojtur interesat e shtetit, ndërsa privati ka marrë pjesën që i takon sipas vlerësimit të pavarur që iu bë shoqërisë shtetërore me kërkesë të MZHETS?”, shkruan Ahmetaj.

Ndërsa ngre pikëpyetje: “Dhe si ka mundësi që lajmi doli së pari në mediat e inceneratorëve? E bëjnë për presion? Për të më penguar të flas? Nuk do ndodhë…”

“Por mund të ndodhë, ndoshta, që të thyej një rekord në raport me drejtësinë shqiptare, të bëhem i pari zyrtar që akuzohem për shpërdroim detyre sepse kam mbrojtur në bazë të ligjit, aksionet dhe interesin e shtetit…Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!”,përfundoi ai.

Ahmetaj akuzohet se ka shkaktuar dëm 7 miliardë lekë për familjen Myderizi, e cila ka fituar proceset gjyqësore. Sipas akuzës, Ahmetaj në cilësinë e ish-ministrit të Financave ka vendosur privatizimin dhe në pronën e familjes Myderizi është ngritur një kompleks pallatesh.

Ndaj Arben Ahmetajt ka një urdhër-arresti ndërkombëtar me masë dhënë në mungesë “Arrest në burg” për veprat penale: “Korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME