Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËPresidenti Meta - Artan Lames: Jepni informacione për kandidatët në KED

Presidenti Meta – Artan Lames: Jepni informacione për kandidatët në KED

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të Kadastrës, Artan Lame ku i ka kërkuar informacione mbi kandidatët për shkak të procedurave për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Kushtetuese.

Sipas Presidentit Meta, disa drejtori vendore të Kadastrës nuk po i japin informacionin që kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shkresa i është drejtuar 5 institucioneve.

LETRA

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI

Nr. Prot. 1921/1 Tiranë, më 6.06.2022

Lënda: Mbi domosdoshmërinë e përcjelljes së informacionit prej Agjencisë Shtetërore e Kadastrës brenda fateve ligjore, sipas kërkesës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për përfundimin e procedurave të shqyrtimit të kandidaturave për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Drejtuar: Zotit Artan LAME
DREJTOR I PËRGJITHSHËM I AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në vëmendje të: Zotit Edi RAMA
KRYEMINISTËR
Tiranë

Për dijeni: KUVENDIT TË SHQIPËRISË

AVOKATIT TË POPULLIT

KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI

MISIONIT TË EKSPERTIZËS SË SHBA NË SHQIPËRI, OPDAT

DELEGACIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI

Tiranë

Zoti Drejtor i Përgjithshëm,

Jam njohur me shkresën me nr. prot. 475, datë 2.6.2022, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për dijeni Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe Bordit Mbikëqyrës të Kadastrës.

Kjo shkresë i është drejtuar për dijeni edhe Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, që sipas Kushtetutës, janë dhe organe emërtese për procedurat e shpallura për aplikim që prej muajit janar-shkurt 2022 nga këto organe dhe që aktualisht po zhvillohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për përzgjedhjen, propozimin dhe emërimin/zgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, që do të plotësojnë vendet vakante të krijuara për shkak të përfundimit të mandatit të disa prej gjyqtarëve.

Siç dhe mund të jeni vënë në dijeni, aktualisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është duke punuar për verifikimin e kandidaturave për plotësimin e 4 (katër) vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca këto të shpallura nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë dhe që u përkasin për emërim këtyre organeve.

Pikërisht lidhur me ecurinë e procedurave të verifikimit të kandidatëve prej KED-së, është evidentuar si një çështje shumë problematike, pengesa që po krijohet nga mosdhënia e informacionit të kërkuar prej KED, nga disa drejtori vendore të ASHK-së, në varësinë direkte tuajën.

Problematika që referon shkresa nr. prot. 475, datë 2.6.2022, e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, është një situatë e përsëritur, prej 4 vitesh që funksionon ky organ (KED 2019, 2020, 2021, 2022). Në të gjitha proceset e mëparshme ka patur vonesa në dhënien e informacionit prej drejtorive vendore të ASHK-së, apo ish-ZVRPP-ve në rrethe, dhe kjo po përsëritet edhe këtë vit, duke u kthyer në një fenomen shqetësues fakti që, institucione publike, aktualisht në varësi direkte të Kryeministrit, nuk reflektojnë të njëjtin vullnet dhe praktikë administrative, dhe nuk tregojnë bashkëpunimin në kohën e duhur duke mospërmbushur si detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i ligjit, por dhe nga bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht në procese kaq të rëndësishme për vendin, si është ai i verifikimit të kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në funksion të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të paraqitura, me shkresë zyrtare i është drejtuar në mënyrë të përsëritur Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që prej muajit mars 2022, duke kërkuar të dhëna lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale të regjistruara në regjistrat e pasurive të paluajtshme të kandidatëve që kanë shprehur interes për t`u emëruar/zgjedhur si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe personave të lidhur me ta, për arsye se disa drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk kanë përcjellë ende përgjigje.

Në mbledhjet e tij të fundit të datës 31.05.2022, KED ka diskutuar mbi këtë çështje duke i kushtuar një pikë të veçantë në rendin e ditës. Në këtë mbledhje, KED në përfundim vendosi që “[…] t’i ri-drejtohet me një shkresë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i risjellë në vëmendje detyrimin kushtetues për të vënë në dispozicion të KED informacionin e kërkuar brenda afatit 7 (shtatë) ditor. Po ashtu, ky komunikim me drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, u vendos t’i bëhet me dije edhe Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Republikës, si edhe Bordit të Administrimit të Kadastrave.”

Kjo vendimmarrje e KED është mbështetur dhe është kërkuar të procedohet pa asnjë vonesë, edhe nga përfaqësuesit e Presidentit të Republikës që marrin pjesë në këto mbledhje. Shqetësimi mbi vonesa të mundshme që mund të përballet KED në procesin e verifikimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, i është bërë prezent Këshillit nga përfaqësuesit e Presidentit të Republikës në disa mbledhje edhe përgjatë këtij viti (2022).

Në mbledhjen e KED të datës 31.05.2022 u diskutua gjithashtu edhe mbi drejtoritë vendore konkrete që nuk kanë sjellë informacionin e kërkuar , ndërkohë që shumë të tjera (rreth 40) e kishin përmbushur detyrimin e tyre ligjor dhe e kishin përcjellë informacionin e kërkuar prej KED.

Në kushtet kur shumica e zyrave vendore kanë kthyer përgjigje dhe vetëm disa prej tyre ende jo, është e qartë se nuk ka asnjë pengesë objektive për këtë mosreagim, por është e dukshme që këto zyra ose nuk kanë njohuritë për zbatimin e ligjit, ose nuk kanë vullnet për të vlerësuar dhe mbështetur këtë proces me kaq rëndësi për vendin, siç është një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale.

Nisur nga historiku i procedurave të kaluara të zhvilluara në KED (përgjatë vitit 2019, 2020 dhe 2021), apo dhe përgjatë vitit 2022, çdo pengesë në kthimin e përgjigjeve shkakton drejtpërdrejt bllokimin e procesit të verifikimit të kandidaturave nga ana e KED, duke bërë që të vonohet procesi i verifikimeve dhe plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Në kushtet kur sërish edhe pas kësaj kërkese të përsëritur të KED për informacion, nuk do të kthehet përgjigje brenda afatit të caktuar nga KED (afat që përfundon në datën 10.6.2022), çdo vonesë do të konsiderohet si veprimtari e qëllimshme, që provon tashmë çdo dyshim se kjo veprimtari bllokuese bëhet për të shtyrë në kohë procesin e verifikimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, përtej datës 24 korrik 2022 , në shkelje të çdo afati ligjor.

Për të mos vërtetuar bindjen në këtë drejtim, nevojitet angazhimi juaj si Drejtor i Përgjithshëm, por dhe i strukturave vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të trajtuar me urgjencë këtë çështje duke përcjellë informacionin shterues pranë KED-së, duke ofruar bashkëpunimin me këtë organ (KED), si dhe duke marrë masa për nxjerrjen e përgjegjësive për këto zvarritje të deritanishme në dhënien e informacionit të kërkuar.

Është e papranueshme që shumica e Drejtorive Vendore të ASHK-së e kanë përmbushur detyrimin ligjor ndaj KED, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël heziton të kthejë përgjigje duke bllokuar të gjithë procesin.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk duhet kurrsesi të pengohet nga institucionet e treta prej të cilëve siguron informacion për verifikimin e kandidatëve, pavarësisht numrit të tyre, duke bërë që të shkelen ritmet që dikton Kushtetuta dhe afatet që përcakton ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, si dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në përmbylljen e një procesi me rëndësi jetike për vendin.

E aq më pak, kjo nuk duhet të ndodhë, në kushtet kur për një proces që zhvillohet nga një organ i pavarur kushtetues siç është KED, shkaktohen pengesa nga organe në varësi të drejtpërdrejtë nga ekzekutivi (Kryeministri).

Si Presidenti i Republikës, do vijoj të mbetem i gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e çdo pengese që mund të hasin institucionet e pavarura në përmbushjen e këtyre detyrave.

Bashkëlidhur ju ripërcjell dhe një herë shkresën nr. prot. 475, datë 2.6.2022, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, adresuar për ju si Drejtor i Përgjithshëm i ASHK-së.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME