23 vjet pritje për të marrë drejtësi, pasi humbi gjithçka: lirinë, dinjitetin, punën. Një histori, për fat të keq si shumë të tjera, e drejtësisë së keqe. I përfshirë në vitin 2000 në një hetim të madh antimafia për trafik droge nga Kolumbia në Shqipëri përmes Pulias, ai përfundoi në burg për 193 ditë dhe më pas kërkua një dënim për 20 vjet, po në fund u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Barit.
Tashmë Gjykata e Apelit ka dhënë kompensimin për paraburgim të paligjshëm. Protagonist i kësaj historie është një sipërmarrës i madh zviceran, arkitekti 77-vjeçar Romeo Casola, me titull fisnik baron dhe me lidhje në Vatikan pasi kishte kontribuar në ndërtimin e kishave të reja në Amerikën e Jugut.
Në vitet 1990, kompania e tij zotëronte gjithashtu gurore graniti në Venezuelë. Kompania e tij kishte biznese në Luksemburg, Itali dhe Venezuelë, të gjitha të menaxhuara nga Luzerna. Në Gjermani ai kishte menaxhimin e monopolit të duhanit dhe në Arabinë Saudite kishte filluar prodhimin e dronëve ushtarakë. Në vendet e Amerikës së Jugut, në veçanti, pas zbulimit të një guroreje graniti, ai kishte zhvilluar një program zhvillimi me kompaninë e tij me qendër në Milano në një sipërfaqe prej 160 km rrugë natyrore dhe kishte prerë rreth 20 mijë tonë blloqe graniti.
Por Antimafia e Barit e akuzonte se ai ishte mbështetës logjistik për transportin e kokainës nga deti. Ishte maji i vitit 2000 kur gjatë një takimi të rastësishëm me një të njohurin e tij të vjetër grek në Londër në vitet 1980 ai kërkoi ndihmë për transportin e granitit me anije. Anija, në pronësi të një miku meksikan të të njohurit të tij në Londër, quhej Suerte (pasuri). Brenda pak muajsh, Antimafia puliane që po përgjonte trafikantët kolumbianë të drogës në atë kohë, i doli edhe emri i Casola, duke besuar se ai ishte bashkëpunëtor i tyre. Sipërmarrësi përfundoi në burg më 18 gusht 2000 dhe qëndroi atje për 193 ditë.
21 persona përfunduan në burg, shumë prej tyre u dënuan përfundimisht. Ndërsa Casola, në fund të gjyqit të gjatë arriti të provojë pafajësinë e tij. Në burg ai iu nënshtrua disa marrjeve në pyetje, duke mohuar gjithmonë përfshirjen e tij në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.
“Projekti në Venezuelë – u shpjegoi ai hetuesve të Barit – më kishte siguruar fitime shumë më të larta se çdo trafik i paligjshëm. Përmes punës së ndershme që u ofrohet qindra njerëzve dhe me mundësinë e krijimit të mirëqenies për mijëra, kështu që se do të kisha qenë aq budalla sa të prishja atë projekt duke u përfshirë në aferat e drogës”.
Edhe një bashkëpunëtor i drejtësisë, një ish-narko kolumbian, gjatë gjyqit u shpjegoi gjyqtarëve se Casola nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet e tyre të paligjshme dhe se ai nuk mund ta dinte se anija Suerte duhej të transportonte edhe kokainë përveç ngarkesës së ligjshme të granitit venezuelian. Ai u shpall i pafajshëm – me një dënim të parevokueshëm – në fund të vitit 2019 “për moskryerje të krimit”. 23 vite pas arrestimit gjyqtarët vendosën një dëmshpërblim prej 45,355 eurosh ose 235 euro për secilën nga ato 193 ditë të kaluara në qeli.
“Kjo histori më shkatërroi jetën” – u shpreh Casola me një ton të dorëhequr, por herë-herë ende luftarak. “Gjithçka u hodh në erë. Jeta më shkoi kështu dhe tani që jam në moshën time dhe ndihem shumë i pastër, pavarësisht poshtërimit të madh që kam pësuar”. Por beteja nuk ka mbaruar domosdoshmërisht, sepse ai tani po mendon për një apel të ri për të marrë “kompensim të drejtë” për kohëzgjatjen e paarsyeshme të gjykimit në të cilin ishte përfshirë.