Vijon mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që shqyrton sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Një nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka bërë një kërkesë paraprake në nisje të mbledhjes ndërsa dorëzoi shkresën zyrtare që deputetët e PD-së i kanë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në të cilën konstatojnë kundërshtimin ndaj masës shtrënguese që SPAK kërkon për Berishën.
Nisur nga kjo ai kërkoi që kjo seancë të pezullohej.
Genc Gjokutaj: Nuk kam ardhur të recitoj vjershë zoti Alibeaj, unë kërkoj pezullimin e seancës, puna është që duhet të merrni një vendim për këtë. Por nuk mund të merrni vendim pa marrë një shpjegim.
Lindita Nikolla: Ju lutem sa më përmbledhur. Do vijë radha për t’u shpjeguar.
Genc Gjokutaj: Kemi vendimin e 2017-ës për Saimir Tahirin, u kërkua arrest me burg dhe Kuvendi nuk e vlerësoi të merrej si masë. Ky është thelbi i gjithë kontradiktës këtu. Kuvendi duhet t’i thoshte Prokurorisë shkoni në gjykatë, por ju keni çmuar se duhet të autorizonit dy masa të tjera sipas vlerësimit tuaj. Masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” ju asokohe i keni cilësuar si kufizuese të lirisë. Ne kërkojmë ta pezulloni ose ta shtyni këtë seancë pa vendimmarrje sepse ekziston mundësia që të lindë një konflikt i madh mes jush dhe Gjykatës Kushtetuese sepse ne mendojmë se është organi i vetëm që interpreton normat kushtetuese. Këtu ka një konfuzion të madh…
Lindita Nikolla: Me një fjali cila është kërkesa juaj?
Genc Gjokutaj: Tani po kërkon autorizimin nga ju Gjykata, nuk mund ta riparoni dot këtë shkelje proceduriale. Ta shtyni derisa GJK me procedurë të përshpejtuar të vendosë për këtë. Është kërkesë proceduriale, ju lutem që me referencë ligjore t’i bëjmë procedurat sipas rëndësisë, radhës dhe kohës. Pezullimi derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Por kërkesa u hodh poshtë. Të gjashtë anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që ishin të pranishëm votuan kundër saj. “Vijojmë sipas procedurës që përcakton rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Nikolla.
Klotilda Bushka: Në respekt të procedurës, kërkesa që paraqitet si kërkesë paraprake do duhet të ishte e bazuar në një normë kushtetuese ose ligjore. Kërkesa që vjen sot për pezullimin e shqyrtimit të një kërkese që bën sot SPAK, është një kërkesë që shqyrtohet në kuadër të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit dhe nuk ka një arsye të bazuar në Kushtetutë e ligj për t’u pezulluar.
Bledi Çuçi: “E para nuk ka asnjë bazë ligjore procedurale për të kërkuar këtë pezullim. Është në vullnetin tonë për ta bërë këtë gjë. Në lidhje me pyetjen e Alibeajt unë po e shoh pak kërkesën tuaj që keni bërë në Gjykatën Kushtetuese (GJK) dhe këtu nuk kërkoni pezullimin e procedurave parlamentare. Mund t’i kishit kërkuar GJK edhe pezullimin e procedurës parlamentare në dhënien e autorizimit, gjënë që po na kërkoni ne. Ju keni kërkuar vetëm pezullimin e masave shtrënguese. Por nuk kemi kërkuar pezullimin e procedurave parlamentar për dhënien e autorizimit për kërkesën që ka sjellë prokuroria. Ndaj nuk ka asnjë kusht ligjor, edhe për të mirën e procesit nuk ka asnjë arsye që ta pezullojmë këtë proces”, tha Çuçi.
Enkelejd Alibeaj: “Duke qenë se është kërkesë paraprake e udhës është të trajtohet me respektin maksimal, jo vetëm kërkesën, por edhe arsyet që avokati i sqaroi. Kisha një pyetje për avokatin. Kuptoj që ju kërkoni të pezullohet ose shtyhet kjo seancë, meqë është paraqitur një kërkese në Gjykatë Kushtetuese. Kërkesa e paraqitur nga deputetë që dhe GJK, sipas opinionit tuaj ka për objekt të vetin pezullimin e procedurave parlamentare për kërkesën e paraqitur nga SPAK për autorizim për këtë çështje. Apo i përket vendimeve të marra nga gjykata më parë”, tha ai.
Arben Kraja: Vlerësojmë se nga hetimet e kryera deri më tani ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale korrupsioni pasiv, i funksionarëve të lartë shtetëror ose i zgjedhur vendor në bashkëpunim. Vlerësojmë gjithashtu se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve janë vlerësuar dhe konfirmuar tashmë nga gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të Apelit. Personi nën hetim Sali Berisha në mënyrë të përsëritur nga nuk ka zbatuar detyrime që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore. Mbështetur nga sa më sipër dhe shpjeguar, ne kërkojmë dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, ndërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, nga detyrim për t’u paraqitur dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit, në atë me arrest me burg/arrest në shtëpi.