Nuk është vjedhja e shekullit, por zhvatja më e madhe që nga periudha romake: Mbi 4 miliardë euro të ardhura, zero taksa në buxhetin e shtetit.
Prej dy dekadash, Bankers Petroleum Albania shfrytëzon dhe zhvat pasurinë nëntokësore të Shqipërisë, duke mos paguar taksa, pasi fryn dhe manipulon çdo vit shpenzimet.
Me një pjesë të parave që duhet të derdhnin në buxhetin e shtetit, kinezët e Bankers korruptojnë qeveritarët, AKBN, Albpetrol, mediat, prokurorinë, ambasadat, gjykatat, opozitën etj.
Megjithatë, nuk mungojnë evidencat zyrtare për batërdinë e Bankers.
Në një raportit të fundit, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton manovrat e Bankers për të fryrë dhe rritur shpenzimet, me qëllim për të mos paguar taksat.
Gjatë auditimit të Albpetrol për vitet 2021-2022, KLSH ka konstatuar se Bankers, në vitin 2020, ka llogaritur si shpenzim kosto hidrokarbure 2.9 milionë USD, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure.
KLSH kërkon nga Albetrol zbritjen e këtyre shpenzimeve. Gjithashtu, Albpetrol ka tradhtuar interesin publik dhe ka abuzuar, pasi nuk ka monitoruar dhe nuk ka qenë prezent gjatë kryerjes së procesit të inventarizimit nga kontraktorët e marrëveshjeve hidrokarburave, duke u krijuar kushtet që t’i bënin letrat sipas interesave të tyre korruptive.
Fokusi i auditimit është veprimtaria në tërësi e Albpetrol, drejtuesit e të cilit, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit miliona euro dëm ekonomik.
Edhe pse është emëruar në tetor 2022, KLSH kërkon shkarkimin nga detyra të administratorit të Albetrol, Eltar Deda.
KLSH kërkon përjashtimin nga administrata publike edhe të ish drejtorëve të Albpetrol; Baftjar Zeqaj, Kejdi Cemurati, Florian Muça dhe Flamur Mato.
Dëmet financiare lidhen me disa procedura korruptive ankandi për shitjen e naftës; debitë e mëdha të krijuara nga mos-pagesa e energjisë elektrike nga ana e kompanive koncesionare që operojnë së bashku me Albpetrol-in; trajtimin financiar të dyshimtë të anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës; si edhe në tendera të ndryshëm.
Tenderat e dyshimtë, në skenë Sadik Ismailaj
– Në Dhjetor 2022, shoqëria ‘Albpetrol” nën drejtimin e Eltar Dedës, zhvillon procedurën tenderuese për “blerje tubo pompë kompresori”, me fond limit 38.854.800 lekë të reja.
Në tender marrin pjesë tre kompani. Fituese shpallet shoqëria “Vibtis”, e cila paraqit ofertën 38.271.978 lekë të reja ose gati 99 përqind të fondit limit.
Pas kompanisë Vibtis qëndron oligarku Sadik Ismailaj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur rezulton se shoqëria “Vibtis” nuk plotësonte kriteret për të kualifikuar dhe, rrjedhimisht, edhe nuk mund të shpallej fituese.
Pasi ka analizuar mangësitë në ofertën e kompanisë private, KLSH arrin në konkluzionin se fituesi është shpallur në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike.
Për këtë arsye, sipas KLSH-së, “ngarkohen me përgjegjësi Eltar Deda, në cilësinë e Administratorit të Albpetrol, si edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), (të cituar me iniciale në raportin e auditit); A.B, V.H dhe M.P.”
– Në fillim të vitit 2022, pra në një kohë kur Eltar Deda ende nuk ishte emëruar në krye të ‘Albpetrol”, shoqëria publike e naftës zhvillon procedurën tenderuese me objekt “Blerje kalimatës nafte”, me fond limit 37.936.920 lekë të reja.
Në prill 2022 shpallen rezultatet e tenderit dhe fitues është sërish shoqëria “Vibtis”, me ofertën ekonomike 37.178.181 lekë të reja ose 97 përqind të fondit limit.
Nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se mallrat kanë hyrë në magazinën e Patosit, por nuk është kryer instalimi i tyre.
Tenderi është realizuar në kushtet e “urgjencës”, pasi Albpetrol i kërkonte kalimatësit brenda një kohe shumë të shkurtër, me qëllim shitjen e naftës sipas kërkesës së doganës.
Por, ajo “urgjenca” e momentit të parë duket se nuk ka qenë edhe aq reale, pasi KLSH ka zbuluar se pajisjet matëse qëndrojnë në magazinë, të pamontuara dhe të pavendosura në punë.
Kjo situatë, sipas KLSH-së, konsiderohet si “shpenzim pa efektivitet për shoqërinë me fond 37.936.920 lekë të reja nga mosvënia në punë të kalimatësve.
Në konkluzion për këtë tender, audituesit shtetërorë vlerësojnë se “megjithëse procedura është zhvilluar dhe lidhur kontrata me subjektin fitues “Vibtis” shpk, nuk është bërë i mundur vënia në punë e këtyre aparaturave sipas kushteve të kontratës ose nga data 23.8.2022, megjithëse këto paisje janë bërë hyrje në magazinë, duke e bërë këtë një shpenzim jo me efektivitet dhe që pengon procesin e shitjes së naftës”.
KLSH vlerëson se një ndër personat përgjegjës për këtë “shpenzim pa efektivitet”, është Eltar Deda, me funksion Administrator i shoqërisë ‘Albpetrol” sha.
20 vjet vjedhje
Bankers Petroleum ka manipuluar çdo vit shpenzimet, duke sajuar dhe fryrë shpenzimet. Pas 20 vitesh shpenzimet janë rreth 4 miliardë euro, pra me humbje.
Duke rritur fiktivisht shpenzimet, kompania ka shmangur derdhjen në buxhetin e shtetit të tatimit mbi fitimin.
Tek shpenzimet futen rrogat marramendëse të kupolës së kompanisë grabiqare, korruptimi i Albpetrol, i AKBN-së, i qeveritarëve, i deputetëve, i gjyqtarëve, prokurorëve etj.
Fakti më i rëndë është se asnjë politikan as nga opozita nuk flet për vjedhjen e pasurisë nëntokësore shqiptare. Të gjithë heshtin. Kur PS-ja ishte në opozitë, për 8 vite me radhë fliste për grabitjen nga Bankers deputeti Erion Braçe.
Sapo PS-ja erdhi në pushtet, edhe Braçe nuk flet më. Prokuroria dhe SPAK gjithashtu heshtin. Qeveria nuk pipëtin. Shqiptarët vijojnë ta blejnë naftën 2 USD, edhe pse ecin mbi naftën që u vidhet.
Ku shkojnë paratë e naftës shqiptare?
Administrator aktual i Bankers Petroleum është kinezi Huanqin Xiau. Ai tha disa muaj më parë se kompania do të vijojë të investojë, pra se do të vijojë të vjedhë, duke fryrë investimet edhe pas 20 vitesh, për të mos paguar taksa.
Më parë drejtor ka qenë Qing Fang. Në vend që të arrestohej për krim ekonomik me pasoja katastrofike për shtetin shqiptar, Qing Fang fliste për përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, sidomos për mësimin e gjuhës kineze.
Para Qing Fang, administrator ka qenë Xingyun Sun, i cili ka ndjekur të njëjtën praktikë, duke fryrë shpenzimet dhe shmangur pagesat në buxhetin e shtetit shqiptar.
Para vitit 2018, administratorë kanë qenë Suneel Krishan Gupta, Leonidha Cobo dhe Richard Ferguson. I vetmi administrator shqiptar ka qenë Leonidha Cobo, i akuzuar nga vetë Bankers për vjedhje miliona euro, për të mbuluar vjedhje të tjera.
Pas Bankers Petroleum Albania qëndrojnë disa kompani, por fundi i tyre është në Kinë. Kompania mëmë përfundimtare eshte Charter Power Investment Limited, në pronesi të GEO-JADE PETROLEUM CORPORATION, me seli në Kinë.
Nuk dihet se kush janë pronarët fundorë. Por, nuk ka dyshim se cilido kinez të jetë, nuk mund të bëjë rrush e kumbulla pasurinë nëntokësore shqiptare, pa bashkëpunimin me pushtetarët tanë të korruptuar.
Bankers ka vjedhur dhe po vjedh miliarda euro, por plaçkën e vjedhur e ndan me ministra dhe ish ministra, drejtorë, prokurorë, gjyqtarë etj.
Gjoba 100 milionë euro
Gjykata e Lartë konfirmoi një gjobë me vlerë 80 milionë euro ndaj Bankers, ku bashkë me detyrime të tjera shkon në 100 milionë euro, për abuzime dhe mashtrime.
Bankers bleu me para gjyqtarët e shkallës së parë dhe të Apelit, duke rrëzuar gjobën, por Gjykatën e Lartë, çështë e vërteta nuk e bleu dot.
Por, ja që doli ish ministërja Anila Denaj që bllokoi ekzekutimin e gjobës. Nuk mjaftojnë mbi 4 miliardë euro të ardhura zero taksa, por as gjobën 100 milionë euro nuk do ta paguajë./prapaskena