Fier – Një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi afro 64 vjeç ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën e plazhit Fier – Seman më afërsi të Tropojës.
Sipas burimeve të para, një automjet ka tentuar një parakalim të pasigurt dhe ka përplasur një motomjet që po lëvizte në drejtim të kundërt që drejtohej nga një burrë afro 64 vjeçar.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi rreth 64 vjeç, Vladimir Sema.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidentit, ndërsa trupi i viktimës pritet te transportohet në morg për veprime të mëtejshme.
Aksidenti ka shkaktuar tronditje në komunitetin e zonës, pasi Vladimir Sema ishte i njohur në këtë fshat.
Shpeshëherë media e ka ngritur shqetësimin se dy akset rrugorë që të çojnë nga Fieri për në Plazhet Seman e Darrëzezë janë shumë të ngushta sa dy automjete e kanë shumë të vështirë të shkëmbehen. Nga ana tjetër autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në rrugë, veçanërisht në raste parakalimesh.
Policia
Rreth orës 10:50, në fshatin Topojë, Fier, shtetasi A. M., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin V. S..
Si pasojë e përplasjes, shtetasi V. S., ka humbur jetën.
Shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.