Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREMos vallë dikush po tallet me Anilën dhe po financon më pak...

Mos vallë dikush po tallet me Anilën dhe po financon më pak blegtorinë ?

Nga Ervin Resuli – Në vitet e fundit, sektori i bujqësisë në Shqipëri ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë, përballur me sfida të mëdha që kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e tij. Ndërsa bujqësia përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare, duke kontribuar me rreth 19-20% të PBB-së dhe duke punësuar mbi 500,000 njerëz, financimet e nevojshme për të mbështetur këtë sektor kanë qenë gjithnjë e më të pamjaftueshme.

Në buxhetin e vitit 2024, qeveria vendosi të ulë fondet për bujqësinë me 9% krahasuar me vitin e kaluar, një vendim ky që ka shkaktuar zhgënjim të madh mes fermerëve dhe komunitetit rural. Nga 15.6 miliardë lekë që ishin parashikuar në vitin 2023, fondet për Ministrinë e Bujqësisë janë ulur në 14.1 miliardë lekë për vitin 2024 . Kjo ulje prek veçanërisht mbështetjen direkte për prodhimin bujqësor dhe zhvillimin rural, me një shkurtesë prej 28% të fondeve të dedikuara për këto qëllime.

Ironikisht, sot Ministri i Financave shpalli një shtesë të financimit për bujqësinë me 500 milionë lekë, ose afërsisht 4,7 milionë euro, një shumë kjo e papërfillshme në raport me nevojat reale të sektorit. Ndërkohë që pritej një përmirësim i ndjeshëm i buxhetit për të kompensuar uljet drastike, kjo shtesë nuk arrin as të zbusë dëmin që shkaktohet nga shkurtesat e mëparshme.

Në të njëjtën kohë, fondet nga skema IPARD, që do të ndihmonin fermerët shqiptarë në modernizimin e prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, janë të bllokuara për shkak të aferave korruptive të konstatuara nga Bashkimi Europian. Kjo e bën situatën edhe më të rëndë, duke lënë fermerët shqiptarë në një pozitë tejet të pafavorshme krahasuar me fqinjët tanë në Rajon.

Ky realitet është një zhgënjim i madh për të gjithë ata që presin mbështetje nga qeveria për të zhvilluar dhe modernizuar bujqësinë shqiptare. Në vend që të ofrohet një paketë e plotë financimesh dhe masash mbështetëse për sektorin që mban vendin të ushqyer dhe ofron punësim për qindra mijëra njerëz, qeveria ka zgjedhur të zvogëlojë angazhimin e saj, duke lënë bujqësinë në një gjendje të vështirë.

Për ironi të fatit, Ministria e sotme e Bujqësisë drejtohet nga ish-ministrja e Financave, një person që supozohej të kishte një kuptim të thellë të nevojave financiare të sektorit. Në vend të kësaj, sektori bujqësor është lënë të vuajë pasojat e një financimi të pamjaftueshëm dhe një menaxhimi që duket se ka humbur fokusin nga prioritetet reale.

Në këto kushte, është e qartë që dikush duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin e kësaj politike bujqësore. Një qasje e re është më se e domosdoshme, jo vetëm për të përmbushur nevojat e menjëhershme të fermerëve, por edhe për të garantuar një të ardhme të qëndrueshme dhe konkurruese për bujqësinë shqiptare.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME