Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIPlakja/ 33% e familjeve kanë një anëtar mbi 65 vjeç

Plakja/ 33% e familjeve kanë një anëtar mbi 65 vjeç

Përqindja e familjeve në Shqipëri me të moshuar (65+) i kalon ato me fëmijë të vegjël (0-6 vjeç), që tregon një prevalencë më të madhe të përgjegjësive të kujdesit për të moshuarit.

Konkretisht, 32.9 për qind e popullsisë banon me një të moshuar të rritur të moshës 65 vjeç e lart, krahasuar me 11 për qind që jetojnë me fëmijë të vegjël të moshës 0-6 vjeç, vë në dukje Banka Botërore në një raport të fundit për barazinë gjinore në vendin tonë.

Prania e të moshuarve në familje mund të rrisë përkujdesjen për anëtarët e tjerë të familjes, sidomos me kujdesin ndaj fëmijëve, por ndërkohë do të shtojë nevojat për kujdes ndaj moshës së tretë.

Sipas Anketës Jeta në Tranzicion (LITS) 10 për qind e familjeve shqiptare kërkojnë kujdes për fëmijët dhe një përqindje e ngjashme kërkon kujdes për të moshuarit.

Në Shqipëri anëtarët e familjes janë burimi kryesor i ofrimit të kujdesit. Nevojat për kujdes plotësohen më së shumti nga anëtarët e tjerë të familjes dhe jo nga institucionet apo burime të kujdesit (të tilla si dado, të afërm ose miq). Edhe pse kujdesi institucional është më i zakonshëm për fëmijët e moshës 4-6 vjeç (82 për qind), përdorimi i tij zvogëlohet për fëmijët më të vegjël (0-3 vjeç) dhe për të moshuarit (përkatësisht 46 për qind dhe 22 %).

Ndër arsyet më të zakonshme të mospërdorimit të ambienteve të kujdesit për fëmijët është mbështetja tek anëtarët e familjes dhe shqetësimet për cilësinë e shërbimit. Në Shqipëri ende dominon modeli që gjyshërit të kujdesen për nipërit. Cilësia e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve të ofruara në Shqipëri është (vlerësuar me 6.2) relativisht e ngjashme me atë të BE-së (vlerësuar në 6.7).

Nga ana tjetër aksesi në kujdesin afatgjatë për të moshuarit në Shqipëri është i kufizuar, pavarësisht nga një rritje kërkesës për këtë shërbim. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), 91 për qind e të moshuarve shqiptarë kërkojnë kujdes afatgjatë, por më pak se 2 për qind marrin kujdes formal. Pandemia e COVID-19 e ka intensifikuar më tej këtë problematikë, duke vendosur një barrë shtesë për gratë për sa i përket aktiviteteve të kujdesit të papaguar dhe punës shtëpiake.

Mbyllja e shkollave dhe çerdheve, së bashku me praninë e anëtarëve të moshuar në shtëpi gjatë pandemisë, kontribuuan në një rritje të pjesëmarrjes së grave në aktivitetet e kujdesit të papaguar dhe në punët shtëpiake. Për rrjedhojë, 76 për qind e femrave raportuan rritje të kohës së shpenzuar për punë të papaguar në shtëpi, krahasuar me 66 për qind e meshkujve.

Në mënyrë të ngjashme, 72 për qind e grave raportuan rritje të kohës së shpenzuar për të papaguar aktivitetet e kujdesit, në dallim nga 62 për qind e meshkujve.

Gjatë gjithë pandemisë COVID-19, gratë mbetën kontribuuesit kryesorë për punët e shtëpisë. Një përqindje më e vogël e grave raportuan se kishin marrë mbështetje nga partnerët e tyre për punët e shtëpisë sesa nga meshkujt. Konkretisht, vetëm 46 për qind e gratë morën mbështetje, krahasuar me shifrën më të lartë prej 67 për qind të burrave.

Ndarja në bazë gjinore e përgjegjësive të kujdesit ndikon ndjeshëm pjesëmarrjen ekonomike e grave në Shqipëri. Normat shoqërore shpesh diktojnë që gratë të mbajnë një barrë jo-proporcionale të kujdesit, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përfshirë në punë me pagesë ose punë me orë më të gjata. Puna e madhe e kujdesit të papaguar e grave i lë ato të varfra, duke penguar arritjet e tyre arsimore, mundësitë e punësimit etj./B.Hoxha monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME