Tradhti ndaj Malit të Zi, kapitullim i shtetit para Kishës Ortodokse Serbe, farsë. Këto janë vlerësimet e disa partive politike në Mal të Zi për një version të Marrëveshjes Themelore, që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën. Reagimi më i ashpër ka qenë nga partitë që marrin pjesë në Qeverinë e Malit të Zi ose i ofrojnë asaj mbështetje politike në Kuvend: Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS).
Tashmë paralajmërohet se qeveria e zgjedhur dy muaj më parë, mund të humbasë mbështetjen në Kuvend, Ajo që kundërshtohet me të madhe në propozim-tekstin e marrëveshjes së Qeverisë, është pjesa që e njeh subjektivitetin e Kishës Serbe në Mal të Zi gjashtë shekuj më herët se atë të Kishës në Serbi.
Marrëveshja Themelore, ajo nënshkruhet me bashkësitë fetare për të rregulluar marrëdhëniet e ndërsjella pronësore dhe juridike. Pas gati një dekade negociatash të pasuksesshme të qeverive të mëparshme, kryeministri aktual i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka premtuar nënshkrim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për kundërshtarët e versionit të Marrëveshjes Themelore është i diskutueshëm fakti që Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi njihet si subjektivitet juridik nga viti 1219, ndërsa në Serbi subjektiviteti i saj juridik njihet nga viti 1836.
Sipas propozim-marrëveshjes, pjesë të Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht katër dioqeza që veprojnë në Mal të Zi, janë gati gjashtë shekuj më të vjetra se vetë kisha “mëmë”, selia e së cilës është në Beograd. Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi do të ishte “më e vjetër” se vetë shteti i Malit të Zi.
Sipas versionit të marrëveshjes, shteti malazez i garanton Kishës Ortodokse Serbe se organet shtetërore nuk mund të marrin masa të sigurisë në objektet dhe hapësirat e saj, pa miratimin paraprak të organeve përgjegjëse të Kishës, përveç kur bëhet fjalë për mbrojtje urgjente të jetëve dhe shëndetit.
Partitë dhe institucionet pro-malazeze e shohin një formulim të tillë si “kapje” të thesareve kulturore dhe historike të Malit të Zi. Mali i Zi, deri më tani, ka nënshkruar Marrëveshje Themelore me Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe me marrëveshje ka rregulluar edhe marrëdhëniet e ndërsjella me komunitetin islam dhe me atë hebre.