Aksidenti në Delvinë/ Dy motra humbin jetën, një e tretë plagoset

Vajzat që shihni në foto janë motrat Dhimaku, Elvisa 22-vjeçe dhe Rozina 20-vjeçe, të cilat humbën jetën tragjikisht mbrëmjen e sotme në një aksident të rëndë rrugor në aksin Sarandë-Delvinë.
Elvisa që drejtonte mjetin, dhe motra e saj Rozina, e cila studionte për mjekësi, nuk arritën t’i mbijetonin përplasjes fatale.
Aksidenti ndodhi pranë vendit të quajtur “Pularia”, ku makina e tyre u përplas kokë më kokë me një Audi të drejtuar nga 23-vjeçari, Kevin Nora.
Përplasja rezultoi fatale për dy motrat, ndërsa e plagosur ka mbetur edhe 24-vjeçarja Antonela Zhupa, e cila ndodhet në spitalin e Sarandës nën kujdesin e mjekëve.
Forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.
ALB365 i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimave dhe i uron shërim të shpejtë Antonelës!
Ky aksident është i katërti i shënuar vetëm gjatë ditës së sotme në vend, duke rënduar bilancin me 3 viktima dhe 4 të plagosur.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin Kevi Norra 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen Evisa Dhimaku, 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset Evisa Dhimaku, 22 vjeçe dhe Rozina Dhimaku, 20 vjeçe, ndërsa shtetasja Antonela Zhupa, 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.











