
Mungesa e tregut dhe subvencioneve, si dhe çmimi i ulët prej 25 lekësh për kilogram rrushi, ka bërë që fermerët e Roskovecit të braktisin vreshtat, në kushtet kur nuk arrijnë as të mbulojnë kostot e prodhimit.
Zona Luar e Roskovecit numëronte dikur 50 vreshtarë, por sot ky numër është përgjysmuar. Beqo Toska, kultivues prej 25 vitesh, pohon se përgjysmimi vjen për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria.
Ai thotë se mungesa e tregut, ndër vite, ka bërë që tonelata të tëra me rrush të kalben, duke u shkaktuar fermerëve dëme të pallogaritshme financiare e duke i detyruar shumë prej tyre të braktisin vreshtat e t’i kthejnë këto sipërfaqe në ullishte.



Ndërkohë, mes fermerëve të pashpresë të kësaj zone, dy vëllezërit Mitat e Landi Shusha, janë ndër të paktët kultivues të cilët e kanë gjetur tregun me shoqërinë e tyre, duke e shitur jo vetëm raki, por edhe verë, teksa theksojnë se është pikërisht mungesa e fuqisë punëtore ajo që i pengon të shtojnë sipërfaqet e mbjella me rrush.
Përballë kësaj situate, ata kërkojnë më shumë politika mbështetëse nga shteti, pasi nuk mund të mbeten në dorë të fatit. Luari është pjesë e projektit “100 fshatrat”, projekt që në fakt duhet t’i shërbejë turizmit, duke parë me prioritet promovimin e produkteve të zonës, si dhe shitjen e tyre në treg, thonë fermerët.









