Qesharake! Bajram Begaj firmos dekret për “Diellën” ministre

Bajram Begaj ka firmosur dekretin që emëron ministre “Diellën” një algoritëm virtual që sipas Edi Ramës do të zhdukë korrupsionin me tenderat në të ardhmen. Dekreti qesharak që mban firmën e presidentit Begaj është i pari në llojin e tij.
Aty shkruhet se “kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale” duke ia lënë kompetencat Edi Ramës, një shpikje që ka tërhequr vëmëndjen e mediave ndërkombëtare por që lë të hapur mundësinë që skandalet për korrupsionin në tendera të mbesin të pahetuara.
Opozita e ka quajtur antikushtetues dokumentin e firmosur nga Begaj. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dekretimi i një ministri kërkon përmbushjen e kritereve të qarta kushtetuese.
“Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?!
Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë” shkruan Bardhi.

Ndërkohë sipas Sali Berishës kjo manovër e Ramës po kryhet për t’i hequr nga duart Belinda Ballukut menaxhimin e tenderave të qeverisë.
“Diella mori tenderat në dorë! Fitore! Të gjitha paratë Ramaduros! Lubia mbetet me lugë bosh” shkruan Berisha që ka shpërndarë një meme që po qarkullon për “Diellën”.










