AKTUALITETTOP-NEWS

Një kilometër rrugë pa sinjalistikë, kthyer në burim aksidentesh në Fier (foto e video)

Fier – Një kilometër rrugë në dalje të qytetit të Fierit, që lidh rotondon në Sheq të Madh me Vijën e Ngjalës, vijon të jetë i pakalueshëm e i pasigurt për këmbësorët dhe automjetet, për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore dhe vijave të bardha.

Automjetet dhe kalimtarët lëvizin e parkojnë sipas dëshirës, duke e kthyer segmentin në një kaos të përditshëm. Trafiku i rënduar dhe mungesa e rregullave të dukshme të qarkullimit, jo pak herë kanë sjellë edhe përplasje mes makinave, apo bllokim të qarkullimit.

Ky aks një kilometërsh është i rrethuar nga biznese, banesa, institucione arsimore dhe shtetërore. Megjithatë, mungesa e sinjalistikës e ka kthyer atë në një rrezik për banorët dhe nxënësit që detyrohen të kalojnë rrugën ku të munden, duke rrezikuar jetën e tyre.

Banorët shprehen se kanë kërkuar ndërhyrje nga policia rrugore dhe bashkia e Fierit, por ende nuk është marrë asnjë masë. Ata thonë se tabelat dhe vijat e bardha janë jetike për shmangien e aksidenteve.

Ky segment rrugor ka qenë disa herë skenë aksidentesh të rënda, ku këmbësorë kanë humbur jetën, të tjerë janë plagosur, ndërsa automjete kanë përfunduar edhe në korsinë tjetër pas përplasjes me shtyllat anës rrugës.

Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se çdo ditë pa sinjalistikë është një kërcënim i hapur për jetën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button