MAGAZINË

Britney Spears trondit me rrëfimin: “Kam pësuar dëmtime në tru”

Drama mes Britney Spears dhe ish-bashkëshortit të saj Kevin Federline ka marrë përmasa të reja, ndërsa këngëtarja ka shpërthyer në një postim në rrjetet sociale, duke deklaruar se ka pësuar “dëmtime në tru” si pasojë e traumave që ka përjetuar në të kaluarën.

Në një mesazh të gjatë të publikuar të dielën në Instagram, Spears, iu referua pjesëve të fundit të autobiografisë së saj “The Woman in Me”, ku rrëfen se për katër muaj ka qenë e izoluar dhe nuk i lejohej të përdorte trupin apo këmbët për të lëvizur lirshëm.

“Nuk kisha derë private dhe isha e detyruar, në mënyrë të paligjshme, të mos përdorja trupin tim për të shkuar askund. Kjo më dëmtoi trupin dhe më vrau logjikën dhe vetëdijen si një tërësi. Ishte si të më kishin shkatërruar 100%”, shkruan ajo.

Këngëtarja e hiteve si “Toxic” dhe “Gimme More” tregon se nuk ka qenë në gjendje të kërcejë apo të lëvizë për pesë muaj, gjë që ndikoi rëndë në mirëqenien e saj fizike dhe mendore.

“E di që postimet e mia dhe videot duke kërcyer duken qesharake për disa, por për mua ato më ndihmuan të kujtoja si të ‘fluturoja’…”, shkruan Spears. “Unë ndjej se krahët m’u prenë dhe që më ndodhi dëmtim në tru shumë kohë më parë – 100%.”

Spears thekson se është përpjekur të ecë përpara dhe ndjehet me fat që është ende gjallë, por se ndjen nevojën të flasë hapur për të vërtetën e saj, përballë asaj që e cilëson si “mbeturina” që po qarkullojnë në media.

Deklaratat e Spears vijnë vetëm pak ditë para publikimit të librit tronditës të Kevin Federline, ish-bashkëshortit të saj, me titullin “You Thought You Knew”,  ku ai hedh akuza të forta në drejtim të saj.

Në libër, Federline  pretendon se Spears ka mbajtur thikë në dorë pranë fëmijëve të tyre gjatë kohës që ata flinin, ka përdorur kokainë ndërsa ushqente me gji, madje ka ushtruar dhunë ndaj djalit të madh dhe ka shprehur dëshirë që ata të mos ekzistonin.

Federline shkon më tej duke thënë se sjellja e Britney-t po shkon drejt një “përfundimi tragjik”.

“Ora po troket dhe jemi afër momentit të fundit. Diçka e keqe do të ndodhë nëse nuk ndryshon gjendja. Frika ime më e madhe është që djemtë tanë do të mbesin të shkatërruar nga pasojat,” shkruan ai.

Përballë këtyre akuzave, Britney Spears i ka hedhur poshtë publikisht, duke akuzuar Federline se po “përfiton nga dhimbja e saj” për qëllime financiare.

“Nëse e do vërtet dikë, nuk e ndihmon duke e poshtëruar publikisht,” shkroi Spears në një postim tjetër në rrjetet sociale. “Ai më urren. Ai duhet të ketë një mllef shumë të thellë për të thënë ato që po thotë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button