Nuk jemi në kushtet për të krijuar armiqësi’, Muçollari: Salianji, zëri më i vakët që ka folur për shqetësimet e PD

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, i ftuar në një emision televiziv, ka zbuluar detaje nga mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke theksuar se partia nuk ndodhet në një moment që lejon përjashtime apo krijimin e armiqësive të brendshme.
Muçollari u shpreh se PD duhet të fokusohet në ruajtjen e unitetit dhe jo në nxitjen e debateve që mund të çojnë në përçarje. Sipas tij, ambicia personale nuk duhet të dëmtojë funksionimin dhe kohezionin e organizatës.
“PD nuk ndodhet në kushte për të nxjerrë armiq dhe as për të krijuar diskutime të tilla. Secili mund të bëjë atë që e sheh të përshtatshme, por duhet të kemi kujdes,” u shpreh ai.
Ai foli edhe për Ervin Salianjin në mbledhjet e Kryesisë, duke theksuar se ka qenë një nga zërat më të vakët që ka folur për PD.
“Në disa mbledhje radhazi të Kryesisë, Salianji ka qenë zëri më i vakët që ka folur për shqetësimet që ka PD. Edhe unë kam qenë ndër ata që kam pasur shumë debate,” tha Muçollari.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike nuk duhet të rrezikojë përplasjet e brendshme në një moment delikat për të ardhmen e saj politike.








