Përgjigja e analizave/ Shpendët e ngordhura në Krapës të prekura nga sëmundja e Flamës.

Fier – Qindra krerë pula kanë ngordhur disa ditë më parë në fshatin Krapës, në njësinë administrative Portëz, bashkia Fier, si pasojë e sëmundjes së Flamës. Ky është rezultati i analizave të kryera në laboratorin shtetëror në Tiranë, të cilat kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e ngordhjes masive të shpendëve.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Veterinarisë për rrethet Fier dhe Mallakastër, Diamant Hoxha, i cili ka sqaruar se situata është shkaktuar nga mosvaksinimi i pulave nga vetë fermerët. Sipas tij, shpendët janë mbajtur në banesa pa masa mbrojtëse dhe pa ndjekur protokollet veterinare, çka ka favorizuar përhapjen e sëmundjes.
Ngjarja ka ndodhur në një lagje të fshatit Krapës, ku banorëve u kanë ngordhur qindra shpendë brenda një kohe të shkurtër. Në vend që të njoftonin veterinerin e zonës për të përcaktuar shkakun, disa prej banorëve kanë hedhur shpendët e ngordhur në lumin Gjanica, ndërsa të tjerë i kanë groposur, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të infeksionit.




Pas publikimit të lajmit, një ekip kontrolli i Drejtorisë së Bujqësisë Fier ka shkuar në zonë, ka marrë dëshmitë e banorëve dhe mostra për analiza. Rezultatet përfundimtare treguan se shpendët ishin të pavaksinuar dhe të prekur nga sëmundja e Flamës, duke ngritur alarmin për nevojën e rritjes së kontrollit dhe ndërgjegjësimit të fermerëve.









