AKTUALITET

Kuvendi shqiptar në kaos”/ Jehonë në mediat e huaja: Rama në telashe me Ballukun

Agjencitë prestigjioze të lajmeve i kanë kushtuar vëmendje situatës politike në Shqipëri dhe akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku

Kaosi në parlamentin shqiptar ka bërë xhiron e mediave dhe agjencive më prestigjioze të lajmeve ndërkombëtare. “Reuters” shkruan se ligjvënësit e opozitës u përleshën me gardën brenda parlamentit, pas javësh tensionesh për shkak të akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë.

“Ligjvënësit ndezën fishekzjarrë, hodhën ujë ndaj kryetarit të parlamentit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë në një përpjekje për të prishur seancën, përpara se policia (Garda) të ndërhynte” – thuhet në shkrimin e Reuters. “Nuk mund të ketë parlament me ata që vjedhin dhe ikin. Ligji dhe vetëm ligji duhet të mbizotërojë” – citohet Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike.

Ligjvënësit e opozitës po kërkonin të shihnin akuzat zyrtare të paraqitura kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Zyra e Prokurorisë Speciale, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka kërkuar parlamentit të lejojë arrestimin e Ballukut dhe legjislatura, ku partia qeverisëse e Ramës ka shumicën, pritet të votojë për kërkesën të premten” – citon Reuters.

“Balluku, e cila shërbente gjithashtu si ministre e infrastrukturës dhe energjisë dhe është aleatja më e ngushtë e Ramës në kabinet, dyshohet se ka marrë pjesë në praktika korruptive që synonin të favorizonin kompanitë përgjegjëse për projekte të mëdha infrastrukturore, duke përfshirë një tunel dhe unazën e kryeqytetit, Tiranë. Ajo i konsideroi akuzat në parlament muajin e kaluar si “shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, dhe tha se do të bashkëpunonte plotësisht me gjyqësorin” – shkruan Reuters.

Rrjeti amerikan Fox News i ka bërë gjithashtu jehonë asaj që ndodhi. Në shkrim nënvizohet se në situatën kaotike Avokati i ri i Popullit bëri betimin. Sipas rrjetit amerikan, që bën edhe një renditje të akuzave për Ballukun, zëvendëskryeministrja akuzohet për përfshirje në afera korruptive në disa investime të mëdha “vlera e këtyre projekteve arrin në qindra miliona euro”.

“Partia Socialiste e tij siguroi një mandat të katërt radhazi më herët këtë vit. Kriza ka ngritur kritika nga kundërshtarët e Ramës dhe ka marrë vëmendje ndërkombëtare. Në një intervistë për Fox News të publikuar më 13 dhjetor, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, tha se qeveria dukej e vendosur të mbronte Ballukun, në vend që të lejonte drejtësinë të vepronte në mënyrë të pavarur, duke e përshkruar situatën si “kapje e shtetit”. Departamenti Amerikan i Shtetit refuzoi të komentojë mbi çështjen, duke i thënë Fox News Digital se “nuk ka koment për çështje ligjore në proces” – citohet në shkrim.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një aleate kyçe e SHBA-së në Ballkan, ndërsa Uashingtoni ka financuar reformat në drejtësi me synim frenimin e korrupsionit, si pjesë e përpjekjeve të vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian” – e mbyll Fox News.

Ndërsa britanikja “The Telegraph” shkruan se parlamenti i Shqipërisë shpërtheu në kaos të enjten kur deputetët e opozitës ndezën fishekzjarrë dhe hodhën ujë në një përplasje mbi korrupsionin e dyshuar qeveritar.

“Partia Socialiste në pushtet e zotit Rama ka shumicën në parlament, duke mbajtur 83 nga 140 vende. Ai ka mbrojtur deputeten e tij, duke thënë se ajo i është nënshtruar një presioni “jokushtetues dhe antidemokratik”. Partia Demokratike e Shqipërisë në opozitë ka akuzuar Partinë Socialiste në pushtet të zotit Rama për mashtrim zgjedhor dhe për gërryerjen e demokracisë.

Kryetari i parlamentit, Niko Peleshi, i kërkoi deputetëve të “respektojnë institucionin e parlamentit. Nuk mund ta shkatërrojmë shtetin kështu”, tha ai. Deputetët e opozitës mbanin pankarta që e krahasonin kryeministrin me diktatorin panamez Manuel Noriega, duke e quajtur atë “Noriega e Evropës”. Jorida Tabaku, një deputete e opozitës, akuzoi kryeministrin se “i ka dhënë mbulim politik zëvendëses së tij” – citon “The Telegraph”.

“Balluku, e cila ka qenë ministre e energjisë që nga viti 2019 dhe zëvendëskryeministre që nga viti 2022, është politikania me gradën më të lartë e akuzuar ndonjëherë nga Zyra e Prokurorisë Speciale. Shqipëria konsiderohet si një kandidate kryesore në Ballkanin Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në. Por vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se vendi vazhdon të vuajë nga korrupsioni endemik dhe një monopolizim i pushtetit nga Partia Socialiste, e cila ka qenë në qeveri që nga viti 2013” – thuhet në shkrimin e gazetës britanike.

Vëmendje i kanë kushtuar situatës politike në Shqipëri edhe mediat e rajonit. Shqipëria, bomba tymi dhe kaos në Parlament pas akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministres

Një seancë e dominuar nga tensionet dhe kaosi në Parlamentin e Shqipërisë. Gazeta italiane “La Repubblica” ka publikuar online pamjet e parlamentit shqiptar në seancën e së enjtes.

“Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Sali Berisha, u përpoq të pengonte anëtarët e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama të uleshin në vendet e tyre pasi Zyra e Prokurorit të Posaçëm Kundër Korrupsionit kërkoi autorizim për arrestimin e zëvendëses së qeverisë, Belinda Balluku.

“Nuk mund të ketë një Parlament dhe një seancë normale parlamentare me dikë që vjedh”, deklaroi Berisha. Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës akuzohet për ndërhyrje dhe kontroll të rezultatit të tenderit për ndërtimin e një tuneli përgjatë bregdetit Jon të vendit, dhe dyshohet gjithashtu për shkelje në 7 kontrata të tjera që lidhen me unazën e Tiranës.

Opozita përdori tymuese në sallë. Pati edhe përplasje me personelin e sigurisë. Shishe të shumta uji u hodhën në drejtim të Kryetarit të Parlamentit Niko Peleshi, i cili e mbylli shpejt seancën” – shkruan media italiane.

Shkrime të shumta ka edhe në mediat greke. Kathimerini nënvizon se ligjvënësit e opozitës u përleshën me rojet brenda parlamentit të Shqipërisë, pas javësh tensionesh për shkak të akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button