KULTURËTOP-NEWSUncategorized

Festivali i Këngës në RTSH mes teknologjisë dhe mungesës së krijimtarisë

Artistë dhe autorë tekstesh: Festivali i Këngës në RTSH mes teknologjisë dhe mungesës së krijimtarisë, kënga po humbet dimensionin poetik dhe shpirtëror

Nga Julia Vrapi

Festivali i Këngës në RTSH me 28 këngë në konkurrim përfundoi këtë dhjetor edicionin e tij të 64-t. Por edhe pse një nga momentet e shumëpritura të vitit sa i takon muzikës shqiptare ai vazhdon të përballet me një sërë kritikash. Festivali dikur ishte një ngjarje kombëtare, por autorë tekstesh, kompozitorë dhe muzikantë kritikojnë Festivalin e Këngës në RTSH për largimin nga thelbi i tij artistik, duke theksuar se teknologjia dhe spektakli televiziv po mbizotërojnë mbi krijimtarinë, kompozimin dhe mesazhin poetik.

Sipas tyre, festivalit i mungon një drejtim artistik me autoritet muzikor, ka rënie të cilësisë së teksteve, probleme shohin dhe në interpretimin vokal, si dhe nënvlerësim të figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare. Dirigjenti Edmond Doko, kantautori Çlirim Denaj, kompozitori Miron Kotani dhe dramaturgu e poeti Odise Plaku në qëndrimet e tyre evidentojnë disa nga problematikat në Festivalin e Këngës në RTSH, që këtë vit shënoi edicionin e 64-t. Dirigjenti Edmond Doko thekson se teknologjia është përdorur si qëllim në vetvete, jo si mjet. Sipas, tij ajo shpesh mbulon dobësitë vokale dhe mungesën e forcës interpretative, por nuk mund të korrigjojë mungesën e krijimtarisë së vërtetë.

Ndërsa Çlirim Denaj flet për drejtimin artistik, duke theksuar se Festivali i Këngës nuk është një show televiziv. Sipas tij, drejtimi i festivalit kërkon personalitet muzikor, përvojë reale krijuese në muzikë dhe vepra artistike. Kompozitori Miron Kotani, një nga zërat që herë pas here ka folur për problemet në muzikë shpreh gjithashtu kritika për festivalin. Ai thotë se festivali nuk ka më kompozitorë dhe tekstshkrues si dikur. Por dhe për autorin Odise Plaku, muzika dhe tekstet e festivalit kërkojnë më shumë profesionalizëm. Sipas tij kishte edhe këngë të bukura që përcollën mesazh, por mbetet ende për t’u bërë te pjesa e krijimtarisë. Ai i krahason tekstet e sotme me autorë si Zhuliana Jorgaxhiu, duke evidentuar rënien e standardit.

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH u zhvillua në datat 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Festivali vijoi me prezantimin e këngëve konkurruese në dy netët e para. Nata e tretë iu kushtua nostalgjisë, ndërsa nata e katërt ishte finalja.

Dirigjenti Edmond Doko: Procesi në festival duhet të nisë nga krijimtaria

Festivali i Këngës në RTSH, në aspektin e imazhit, ka shënuar përmirësime të dukshme, pasi përdorimi i teknologjisë bën të vetën, sepse me siguri nuk mungojnë buxhetet. Megjithatë, kur teknologjia fillon të mbizotërojë mbi krijimtarinë, mbi aspektin krijues dhe interpretues, ajo kthehet në qëllim në vetvete. Procesi për të siguruar një festival të suksesshëm nis nga krijimtaria: nga kënga si vepër, kompozim, vlerë poetike e vargjeve dhe mesazhet jetësore, që duhet të mbartin e përcjellin vargjet që mos jenë një zhargon i rëndomtë fjalësh.

Cilësia e krijimtarisë duhet parë në tërësinë e saj, si në planin kompozicional, ashtu edhe në atë interpretativ. Ka interpretime të mira, por ka edhe këngëtarë që duken të stimuluar artificialisht. Në paraqitjen vokale shpesh lënë për të dëshiruar dhe këto mangësi mbulohen nga teknologjia, por megjithatë teknologjia nuk mund të “korrigjojë” stonimin apo të “rikrijojë” apo përmirësojë krijimtarinë, thjeshtë teknologjia ndihmon që krijimtaria të përcillet cilësisht tek dëgjuesit dhe teleshikuesit. Kështu që mund të them me pak fjalë, që vazhdon festivali historinë në një rutinë të njohur tashmë me prurje në krijimtari përgjithësisht që nuk lënë mbresa.

Kantautori Çlirim Denaj: Në drejtimin artistik duhet një personalitet i muzikës

E ndoqa dhe e pashë me shumë vëmendje festivalin në tri netët e para. Desha të flas pak për udhëheqjen artistike të këtij festivali. Me gjithë respektin që kam për këngëtaren Elhaida Dani është viti i dytë radhazi, thonë që paska kontratë dhe për vitin e ardhshëm, por vjet nuk është se na e përmirësojë festivalin më këngë të bukura, por në përgjithësi këngë që i zë pluhuri dhe nuk dëgjohen më, përveç fitueses dhe nja dy këngë të tjera.

Por Festivali i Këngës në RTSH është një llokmë shumë e madhe për t’u marrë përsipër e për t’u drejtuar se nuk është emisioni “X Factor” i disa të rinjve një emision show, pra dua të them se nuk është njeriu i duhur për të na orientuar dhe drejtuar këngën shqiptare. Në Festivalin e Këngës në RTSH duhet të jetë një personalitet i muzikës, të jetë krijues të njohë shumë mirë notat muzikore, të njohë shumë mirë harmoninë folkun tonë dhe pastaj të ketë krijuar dhe këngë dhe vepra muzikore, domethënë ti ketë shërbyer muzikës jo vetëm me këngë, por dhe me vepra dhe që këngën ta njohë në çdo komponent të saj. Një gjë tjetër, që më ra në sy, ishte pjesëmarrja e shumë këngëtarëve nga Shkodra, po dhe këngëtarët e ftuar pothuajse shumica nga Shkodra, domethënë ta quajmë festivali Shkodrës.

Mendoj se në 64 vite festival ka këngë shumë më të bukura dhe këngëtarë të tjerë shumë më të mirë, që mund të paraqiteshin në natën e tretë. Nata e parë ishte natë e mirë, nata e dytë e dobët. Mendoj se dhe duke analizuar anën vokale kishte këngëtare femra të paformuara, me zëra të zbardhët herë- herë më dukej si festival fëmijësh.

Kompozitori Miron Kotani: Festivali në RTSH ka problematika

Festivali i Këngës në RTSH një paçavure, i pallogaritshëm fare. Një festival, ashtu siç kam zeruar me zero edhe festivalet paraardhës. Në festival nuk ka kompozitorë, as tekstshkrues. Aty ka  montazhierë, DJ dhe njerëz që dinë të bëjnë show. Festivali i Këngës në RTSH ka  problematika. Unë postova një video në Facebook, duke shkruar si këndohej për nënën përpara shumë vitesh në festival dhe si këndohet dhe sot. Pjesa e skenarit? Skandal.

Të kishte pasqyruar ato 64 vite të këngës shqipe në festival. Pasqyruan? Jo. Nata nostalgjike ishte nën nivelin mesatar, janë të njëjtat këngë që përsëriten çdo vit me ndonjë ndryshim të vogël. Këndohet një këngë e Parashqevi Simakut, por ta merrnin nga Amerika të vijë ta këndojë, Liljana Kondakçiu të këndonte në festival, Naim Kërçukun ta merrnin të këndonte, etj. Çfarë nate nostalgjike ishte ajo? Unë nuk pashë natë nostalgjike. Ka vite që as Kozma Dushi nuk këndon këngët e veta në festival, këndon këngët e këngëtarëve të tjerë. Kjo bëhet më qëllim për të dëmtuar këngën shqiptare.

Kozma Dushi është këngëtari rekordmen i festivaleve, ka 40 pjesëmarrje në festival. Të mos përmendet një këngë e Tonin Tërshanës apo Frederik Ndocit në natën gala? Nëse flasim për prurjet e reja, në festival nuk ka, por janë montime nëpër kompjutera.

Poeti Odise Plaku: Mbetet shumë për t’u bërë në krijimtari  

Unë e kam ndjekur festivalin dikur me kënaqësi, sepse ka qenë pjesë e traditës së fundviteve të brezit të moshës sonë. I kam përjetuar festivalet e para viteve 1990 dhe pas viteve ’90-të, por mund të them se tani është larg i asaj që quhet pjesa e festivalit të vërtetë, që përfaqëson vlerat kombëtare. Ajo çfarë mua më lë një shije ende jo të këndshme, si autor dhe poet është pjesa e teksteve. Tekstshkruesit nuk janë te ai nivel, që mund të krahasoheshin me Zhuliana Jorgaxhiun, apo emra të tjerë që kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e festivalit dhe e harmonizimit të muzikës me tekste.

Për mua kjo ka rënë në sy, është një boshllëk që tekstet nuk janë ato që duhet të përçojnë me plotshmërinë e tyre dhe vijën muzikore. Nuk është e thënë që të kenë fjalët një përputhje mekanike sa për të plotësuar rrokjet e vargut me notat e linjës muzikore, por këngët duhet të kenë mesazh. Kishte këngë të bukura që kanë përcjellë mesazh dhe nuk duhet të jemi mohues për të gjitha, por mbetet ende shumë për t’u bërë te pjesa e krijimtarisë. Tek pjesa e muzikës pati përpjekje për të sjellë edhe një harmonizim të bazës burimore shqiptare me frymën moderne, por sërish muzika duhet të shkruhet nga profesionistë të mirëfilltë, që janë të edukuar për të bërë muzikë dhe jo në bazë të fishkëllime apo dikush tjetër fillon dhe luan në pentagram dhe kjo mund të quhet muzika.

Në gjithë atë investim që ishte kryer këtë vit në RTSH në drejtim të skenografisë, lojës së mrekullueshme të Orkestrës së RTSH me artistët e saj, që e merituan atë çmim që iu nda në festival, mund të them se ishte një pjesë që linte për të dëshiruar. Ndoshta mund të kishte akoma më shumë gjetje, akoma dhe më shumë zhdërvjelltësi në prezantim, sepse Festivali në RTSH është një vlerë, që meriton të jetë i qëndisur deri në detajet më të imta edhe në drejtim të skenarit dhe të prezantimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button