
Ikën dhe shkuan vitet e arta të socialistëve fierakë. Socialistët e Fierit “festojnë me karrige bosh”, por mungesat flasin më fort se dollitë ku duket qartë braktisja që qëndra i ka bërë bazës socialiste, atyre që i dhanë 12 mandate.
Ndërsa socialistët fierakë organizuan darka festive fundviti vitet e kaluara, nëpër zona dhe struktura, duke ngritur gotat për “fitoret” dhe sukseset elektorale, këtë vit kanë prerë gojën, “nxuq”, as këngë e valle, as dolli, as pako për dhurata. Kaq deshën nga socialistët, votat dhe tani hec, foli pelës, hap krahun.
Një mungesë që nuk kaloi pa u vënë re dhe që ngriti pikëpyetje të forta brenda vetë radhëve të Partisë Socialiste.
Fieri, qarku që i dha Partisë Socialiste plot 12 mandate, u kthye edhe këtë vit në bastionin kryesor elektoral të mazhorancës. Por pas shifrave dhe statistikave triumfale, realiteti politik duket më i ndërlikuar sesa fasada festive që u shfaq rrugëve të qytetit e jo nëpër restorante dhe lokale luksoze.
Mungesa e deputetëve nuk ishte thjesht një “rastësi kalendarike”. Ajo u lexua nga shumë socialistë në terren si shenja e një pakënaqësie të thellë, ndoshta e lidhur me mënyrën se si u shpërndanë pushteti, rolet dhe vëmendja pas zgjedhjeve. Kur strukturat punojnë, votojnë dhe mbajnë barrën e fushatës, por përjashtohen nga vendimmarrja, festa humbet kuptimin.
Në Fier, socialistët dinë të fitojnë zgjedhje. Këtë e kanë dëshmuar. Por pyetja që shtrohet është tjetër:
A dinë të mbajnë unitetin pas fitores? Apo nuk ka gjë uniteti, kaq deshën. Ata fërkojnë duart, numërojnë “lëpushkat” u kthejnë kokat nga njëra anë dhe kaq. Sa për socialistët, aha, boll e kanë, të lëpijnë kofshën apo krahun e gjelit detit.
Socialistët të sigurojnç votat, mandatet paçka se disa i kanë lindur në tavolinën e drejtorit, dhe nuk e konceptojnë veten pa postin e drejtorit, paçka se edhe vjedhin, edhe dosjet u shkojnë në gjykatë për drejtësi, edhe pse SPAK-u i thërret , ata aty stoik, lënë karrigen e një drejtorie e marin të drejtorisë tjetër, u ka lidh mëma zorrën nga barku tek kolltuku i drejtorit.
Festat pa të gjithë aktorët kryesorë në tryezë janë më shumë një shfaqje sesa një bashkim real. Dhe në politikë, mungesat flasin gjithmonë më fort se fjalimet. Nëse këto sinjale injorohen, atëherë 12 mandatet e sotme mund të kthehen nesër në një barrë të rëndë për vetë Partinë Socialiste në Fier.
Sepse historia politike e këtij qarku e ka treguar qartë:
fitorja pa reflektim është vetëm një pauzë para krizës së radhës.











