Alarm gripi: Urgjenca përballë fluksit të pazakontë, mbi 4 mijë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore në janar

Fier – Situata e virozave sezonale dhe gripit në qytetin e Fierit vijon të mbetet shqetësuese. Çdo ditë, mbi 120 të rinj dhe të moshuar paraqiten për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, duke krijuar një fluks të lartë pacientësh dhe duke vënë në provë kapacitetet e shërbimit shëndetësor.
Mjekja Ilva Çuni bën me dije se grupmoshat më të prekura nga gripi dhe infeksionet virale janë të rinjtë e moshës 15–25 vjeç, si dhe të moshuarit 70–80 vjeç. Sipas saj, për fat të keq, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as rastet me pasoja fatale, veçanërisht tek pacientët me probleme shëndetësore të shoqëruara.
Në pikun e gripit, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, Urgjenca e Spitalit Rajonal Fier ka përballuar deri në 160 vizita në 24 orë. Ndërkohë, muaji janar ka shënuar një rekord të pazakontë, ku rreth 4 mijë qytetarë i janë drejtuar urgjencës për ndihmë mjekësore, duke e kthyer këtë periudhë në një nga më të ngarkuarat e viteve të fundit.
Mjekja Çuni thekson se gripi i këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, është shfaqur më agresiv dhe me simptoma që zgjasin më shumë në kohë. Në shumë raste, pas një përmirësimi disa-ditor, simptomat janë rikthyer, duke shkaktuar komplikacione dhe nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Më të prekurit nga gjendjet virale kanë qenë pacientët kronikë, një pjesë e të cilëve janë hospitalizuar për shkak të komplikacioneve të rënda shëndetësore. Në këtë kuadër, mjekja Çuni apelon për kujdes të shtuar ndaj përdorimit të antibiotikëve, duke theksuar se ato nuk duhet të merren pa rekomandimin e mjekut të familjes, pasi përdorimi i pakontrolluar mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore.
Një tjetër thirrje vjen edhe për adoleshentët dhe të rinjtë e prekur nga gripi, të cilëve u kërkohet të shmangin frekuentimin e shkollave dhe ambienteve publike gjatë periudhës së sëmundjes, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksioneve në komunitet.
Pavarësisht situatës së rënduar dhe fluksit të lartë të pacientëve,

Urgjenca e Spitalit Rajonal të Fierit ndodhet në gatishmëri të plotë, me personel të mjaftueshëm mjekësor për të përballuar nevojat e qytetarëve. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur mungesa e mjekëve e bënte të vështirë menaxhimin e situatës, këtë vit shërbimi shëndetësor po funksionon me kapacitete më të plota, duke garantuar trajtim në kohë për çdo rast që paraqitet.









