
Ndërsa Gjykata Kushtetuese vijon të mos marrë një vendim për çështjen Balluku, kryeministri Edi Rama pritet të udhëtojë të hënën drejt Brukselit për një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Takimi nuk ishte paralajmëruar më herët dhe vjen në një moment tensioni institucional në Shqipëri.
Lajmin e jep portali Kapitali, i cili thotë se sipas burimeve, në Bruksel, një nga temat që pritet të diskutohet në këtë takim është hetimi i SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe refuzimi i mazhorancës për të dhënë autorizimin për arrestimin e saj.
Burimet theksojnë se në institucionet europiane po vërehet me shqetësim qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj drejtësisë, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që lidhen me çështjen Balluku dhe hetimin për AKSHI-n.
Sipas të njëjtave burime, kërkesa nga Brukseli është që proceset ligjore të ndiqen pa pengesa politike, ndërsa çdo përplasje e qeverisë me SPAK konsiderohet një problem serioz për procesin e integrimit europian.
Nuk dihet nëse këto tema do të pasqyrohen në deklaratën zyrtare pas takimit Rama–Costa, por burimet e Kapitalit konfirmojnë se çështja Balluku është pjesë e diskutimeve aktuale në Bruksel.
Takimi zhvillohet në një periudhë kur ka pasur lëvizje të shtuara diplomatike në kryeqytetin europian, përfshirë takime mes drejtuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe liderëve të vendeve anëtare.









