EKONOMI

Shqipëria po humbet tregjet e rajonit

Rënia e eksporteve drejt Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa importet rriten më 2025, po e kthen tregtinë rajonale nga një burim suficiti në një presion të ri mbi ekonominë shqiptare. Në dy vjet, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit vetëm me Kosovën dhe mbi 5 miliardë lekë eksporte me Serbinë, ndërsa importet nga rajoni po rriten me ritme 5 – 20% në vit. Nga një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në vitin 2024, bilanci tregtar me rajonin ra në vetëm 3.3 miliardë në 2025, ndërsa eksportet u tkurrën me 7% dhe importet u rritën me gati 8%.

Shqipëria po humbet gradualisht pozicionin e saj në tregtinë me vendet e rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi), teksa të dhënat për vitin 2025 tregojnë përkeqësim të ndjeshëm të bilancit tregtar, të nxitur kryesisht nga rënia e eksporteve dhe rritja e importeve.

Produktet shqiptare po bëhen jokonkurruese me vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë si rrjedhojë e rënies së vlerës së euros, rritjes së kostove të brendshme dhe mungesës së politikave fiskale që nxisin prodhimin me kosto të ulët.

Eksportet shqiptare drejt rajonit në vitin 2025 ranë në 62.7 miliardë lekë, nga 67.5 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar tkurrje vjetore me rreth 7%. Në të njëjtën kohë, importet u rritën në 59.4 miliardë lekë, nga 54.7 miliardë lekë një vit më parë, ose gati 8% më shumë, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.

Këto zhvillime kanë përkeqësuar ndjeshëm bilancin tregtar. Në vitin 2024, Shqipëria kishte një suficit prej 12.8 miliardë lekësh në tregtinë me rajonin, ndërsa në vitin 2025 ai u ngushtua në vetëm 3.3 miliardë lekë, një përkeqësim prej afro 9.5 miliardë lekësh brenda një viti, me tkurrje rreth 280%. Vendi ynë humbi avantazhin që kishte ndërtuar gjatë viteve të fundit në tregjet fqinje.

Të dhënat tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te rritja e importeve, por sidomos te dobësimi i eksporteve, të cilat kishin arritur kulmin në vitin 2023 me mbi 79 miliardë lekë, por prej atëherë janë në rënie të vazhdueshme. Brenda dy vitesh, eksportet drejt rajonit kanë humbur më shumë se 16 miliardë lekë në vlerë.

Kjo prirje sugjeron se prodhuesit shqiptarë po humbin terren në tregjet e rajonit, përballë konkurrencës më të fortë nga vendet fqinje, kostove më të larta të prodhimit dhe një strukture eksporti ende të varur nga produkte me vlerë të ulët të shtuar.

Nëse kjo tendencë vazhdon, tregtia me rajonin, e cila tradicionalisht ka qenë një nga pikat më të forta të eksporteve shqiptare, rrezikon të kthehet në një tjetër kanal presioni mbi bilancin tregtar të vendit. Në kushtet kur edhe tregjet e BE-së po shfaqin ngadalësim, humbja e terrenit në rajon e bën edhe më të brishtë pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Ruzhdi Koni, eksportues i prodhimeve të freskëta bujqësore, tha se edhe këtë vit, përkeqësimi do të thellohet për shkak të dëmeve që krijuan përmbytjet e fundit në fusha dhe në serra, shumica e tyre për eksport. Nga eksportet në rajon, grupet me rënien më të madhe ishin materialet e ndërtimit, energjia dhe lëndët djegëse, të diktuara nga cikli i tkurrjes që po kalon sektori i industrisë.

Volumi tregtar i Shqipërisë me rajonin ishte 122 miliardë lekë në vitin 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me 2024-n, dhe zuri 9.9% të volumit të përgjithshëm tregtar të vendit me jashtë. Kosova është partneri kryesor tregtar me gati 43% të tregtisë me të gjithë rajonin, e ndjekur nga Serbia me 26%, Maqedonia e Veriut me 19.5% dhe të tjerat më pak.

Serbia po thellon epërsinë ndaj Shqipërisë, deficiti tregtar rritet edhe në vitin 2025

Tregtia e Shqipërisë me Serbinë po lëviz gjithnjë e më shumë në disfavor të ekonomisë shqiptare, duke u shndërruar në një nga pikat më problematike të bilancit tregtar me rajonin. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se, pavarësisht rritjes të lehtë të eksporteve, deficiti tregtar me Serbinë është thelluar edhe më tej.

Eksportet shqiptare drejt Serbisë arritën në 8.55 miliardë lekë në vitin 2025, nga 8.27 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje modeste prej 3.3%. Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar zgjerimin e importeve nga Serbia, të cilat u rritën me 5.8%, duke arritur në 23.1 miliardë lekë.

Si rezultat, deficiti tregtar i Shqipërisë me Serbinë u thellua në 14.56 miliardë lekë në vitin 2025, nga 13.50 miliardë lekë një vit më parë, një përkeqësim prej mbi 1 miliard lekësh vetëm brenda një viti.

Kjo do të thotë se për çdo 1 lek që Shqipëria eksporton drejt Serbisë, ajo importon gati 2.7 lekë mallra serbe, duke e bërë marrëdhënien tregtare të pabalancuar. Nëse krahasohen me vitin 2022, kur eksportet drejt Serbisë kishin arritur një kulm prej 13.5 miliardë lekësh, rënia është edhe më e fortë. Brenda tre vitesh, eksportet shqiptare drejt tregut serb u tkurrën me rreth 5 miliardë lekë (rreth 50 milionë euro), ndërsa importet mbeten të larta dhe relativisht të qëndrueshme.

Goditja më e fortë është te materialet e ndërtimit dhe metalet, ku eksportet shqiptare ranë me rreth 805 milionë lekë ose 7% vetëm në vitin 2025. Grupi tjetër me rënien më të fortë, 24%, ishin mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, me afro 382 milionë lekë ose -24% më pak eksporte, çka tregon se Shqipëria po humb edhe në segmentet ku kishte avantazh kostoje.

Nga ana tjetër, importet e ushqimeve dhe pijeve nga Serbia u rritën me mbi 617 milionë lekë në vitin 2025 ose 5.5%, duke reflektuar rritjen e varësisë së tregut shqiptar nga produktet ushqimore serbe. Edhe importet e produkteve kimike dhe plastike u rritën me rreth 249 milionë lekë ose 8.2%, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet u shtuan me afro 290 milionë lekë, ose 7.5%.

Të dhënat tregojnë se Serbia po zgjeron praninë e saj në Shqipëri, si furnizues jo vetëm i ushqimeve, por edhe i produkteve industriale, duke e shtyrë prodhimin vendas drejt një konkurrence gjithnjë e më të vështirë.

Të dhënat sugjerojnë se prodhuesit shqiptarë po humbasin hapësirë në tregun serb, ndërkohë që mallrat serbe po forcojnë praninë e tyre në tregun shqiptar. Kjo tendencë reflekton dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare, të përqendruara në produkte me vlerë të ulët të shtuar dhe me kapacitete të kufizuara për të depërtuar në tregje më të mëdha.

Në kontekstin rajonal, Serbia po shfaqet gjithnjë e më shumë si një “qendër eksportuese” e Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria po rrezikon të mbetet treg konsumi.

Burimi: INSTAT

Shqipëria po humb edhe tregun e Kosovës, suficiti bie me 20% brenda një viti

Kosova, tradicionalisht tregu më i rëndësishëm rajonal për eksportet shqiptare, po jep shenja ftohjeje për mallrat nga Shqipëria. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se eksportet shqiptare drejt Kosovës ranë në 33.65 miliardë lekë, nga 36.83 miliardë lekë në vitin 2024, me tkurrje vjetore prej 9.5%. Kjo është rënia më e fortë vjetore e eksporteve drejt Kosovës gjatë pesë viteve të fundit të marra në analizë.

Humbja më e madhe vjen nga materialet e ndërtimit dhe metalet, ku eksportet janë tkurrur me rreth 8.7 miliardë lekë brenda një viti, ose 73% më pak. Furnizuesit nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë produktet shqiptare në sektorë si çimentoja, hekuri, alumini dhe materialet e ndërtimit.

Edhe produktet kimike dhe plastike kanë pësuar rënie të fortë prej mbi 1 miliard lekësh ose 28%, duke konfirmuar se Kosova nuk po humbet vetëm si treg konsumi, por edhe si hapësirë për industrinë përpunuese shqiptare.

Në të njëjtën kohë, importet nga Kosova drejt Shqipërisë u rritën me 2.3%, duke arritur në 16.13 miliardë lekë. Importet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u rritën me mbi 1.4 miliardë lekë, ose 35%, si pasojë e blerjeve të energjisë elektrike, pjesë e marrëveshjeve për shkëmbimin e energjisë.

Edhe importet e produkteve kimike dhe plastike u rritën me mbi 120 milionë lekë ose 9.5%, ndërsa tekstilet dhe këpucët u shtuan ndjeshëm me rreth 29.5%.

Si pasojë, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën ra në 17.52 miliardë lekë në vitin 2025, nga 21.07 miliardë lekë në vitin 2024, një përkeqësim prej 3.54 miliardë lekësh, ose mbi 20%, brenda vetëm një viti.

Rënia është edhe më e thellë nëse krahasohet me vitin 2023, kur suficiti kishte arritur mbi 29 miliardë lekë. Brenda dy vitesh, Shqipëria ka humbur rreth 12 miliardë lekë suficit në tregtinë me Kosovën.

Ky zhvillim ka një peshë të veçantë, sepse Kosova përbën destinacionin më të madh rajonal për eksportet shqiptare. Dobësimi i këtij tregu dëshmon probleme më të thella në prodhimin shqiptar, pasi me Kosovën barrierat doganore janë minimale dhe avantazhi i gjuhës duhet të favorizonte Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button