Dosjet “Epstein”/ Hoxhaj pranoi propozimin e Pacollit për princeshën tajlandeze

Princesha tajlandeze që në dosjet e Jeffrey Epstein prezantohet si Konsulle e Nderit e Kosovës në Bangkok, nuk e ka mbajtur asnjëherë këtë titull, kanë thënë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në dosjen e financierit amerikan i akuzuar për abuzim dhe trafikim me vajza të mitura përmendet shpesh emri i Rajadarasri Jayankura. Flitet për takime mes të dyve, automjete me emblemë të Kosovës, e organizime ku marrin pjesë 1 milion fëmijë.
Në përgjigjen e MPJD-së për KOHËN, thuhet se ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kishte nënshkruar në vitin 2012 një vendim për emërimin e Jayankuras si konsulle nderi, në një periudhë kohore që i paraprin njohjes së Kosovës nga Tajlanda. Mirëpo vendimi nuk ka marrë plotfuqishmëri.
“Vendimi në fjalë, së bashku me Notën Verbale përkatëse për emërim, i është përcjellë autoriteteve të Mbretërisë së Tajlandës, mirëpo ky propozim nuk ka marrë miratim zyrtar nga shteti pritës. Në vijim, në vitin 2014, është dërguar një Notë Verbale shtesë nga kabineti i tij, e cila gjithashtu nuk ka marrë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Meqenëse ky emërim nuk ka marrë asnjëherë pëlqimin e shtetit pritës, MPJD konsideron se përdorimin i këtij titulli është i pavlefshëm dhe kanë paralajmëruar se do të ndërmerren masat e nevojshme për të siguruar që personi në fjalë të heqë të gjitha publikimet dhe referencat që e paraqesin si Konsulle Nderi e Republikës së Kosovës.
KOHA e ka pyetur edhe ish-ministrin Hoxhaj se për çfarë arsyesh është bërë emërimi dhe nga kush i është sugjeruar, por nuk është përgjigjur.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA, në fund të janarit publikoi mbi 3.5 milionë dokumente që lidhen me Epstein. Javën e shkuar KOHA raportoi që në to përmendet presidenti i Kosovës dhe Behgjet Pacolli.
Në të dy e-mailat figuronte edhe emri i Rajadarasri Jayankura që prezantohet si princesha nga Tajlanda ose konsullja e nderit e Kosovës.
Në një tjetër korrespodencë me Daniel Siad – bashkëpunëtor i Epstein, Jayankura e akuzon atë se po i dëmton reputacionin. Siad i përgjigjet se e ka ndihmuar të marr titullin e konsulles.
“Madje, këtë titullin e Kosovës që e ke, ti e di mirë nga ka ardhur. Unë madje kam paguar biletën që të vij në Tajlandë dhe Filipine që të rri me ty për 6 orë në Infermierinë e Aeroporti të Manillës. E keni memorien e shkurtër, ndoshta që po plakeni. E gjithë kjo për t’iu njohur me Zotëri Kosovën dhe tani ju u bëtë Zonja Konuslle e Kosovës… Më keni përdorur mua dhe lidhjet e mia të arrini aty ku jeni, me titullin e Kosovës dhe të tjerat lidhje në Paris, çantat Hermes që shitët e përfituat para pas shpinës sime”, thuhet në mesazhin që Siad i ka dërguar Jayankuras.
Në llogarinë në Instagram të Jayankuras figuron që është Konsulle Nderi e Kosovës, madje shkruan edhe MABETEX-kompani kjo e ish-presidentit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli i cili ka mohuar ta ketë njohur a takuar Epsteinin.
Në një përgjigje për KOHËN, Pacolli ka thënë se Jayankura ka dhënë kontribut të madh në promovimin e Kosovës, duke ndihmuar në procesin e njohjeve nga vende si Tajlanda, Bangladeshi, Malajzia dhe Singapori.
“Ajo është angazhuar fuqishëm për Kosovën, veçanërisht në aspektin logjistik të delegacioneve të Kosovës gjatë vizitave në Nju Jork. Çdo mohim i kontributit te saj do te ishte një mosmirënjohje e radhës, ashtu siç është krijuar imazhi për ne. Zonja Luang ka qenë dhe mbetet një mike e shkëlqyer e imja dhe jam shumë mirënjohës për atë që ka bërë për Kosovën. Zonjën Luang e kam propozuar unë në vitin 2012 për Konzulle nderi. Nuk më kujtohet fakti se ajo nuk është konfirmuar nga ministria e jashtme e Tajlandës”, ka thënë Pacolli.
Sa i përket takimeve të saj me Epstein, Pacolli ka thënë se në atë kohë kur mund të kenë ekzistuar këto kontakte, askush nuk mund ta parashikonte natyrën e vërtetë të veprimeve të tij. Ka shprehur bindjen se përpjekja e saj ka pasur për qëllim krijimin e lidhjeve me liderë të shteteve të ndryshme në funksion të njohjeve për Kosovën.
Në një e-mail që ka pranuar Epstein nga një adresë e redaktuar, flitet për Jayankuran. Aty dikush i thotë financierit amerikan të akuzuar për abuzim seksual të fëmijëve, se a po e shikon se si ajo mund të jetë e dobishme.
“Ka përputhe të jashtëzakonshme interesash – një milion fëmijë është bollëk i gatshëm për t’u shfrytëzuar”, thuhet në një mesazh që ka pranuar Epstein në adresën e tij elektronike.
Në një shkëmbin tjetër është dërguar edhe një link i një video në youtube, ku shihet një numër i madh i fëmijëve duke u lutur.
KOHA e ka pyetur Rajadarasri Jayankuran për titullin e saj si Konsulle e Nderi dhe organizimet me një milion fëmijë, por nuk ka marrë përgjigje.
Në një korrespodencë tjetër përmendet një makinë me emblemë të Kosovës anash, por fjalia nuk është e kuptueshme.
Jeffrey Epstein ishte financier amerikan i përfshirë në një rast të madh penal për abuzim dhe trafikim të të miturve, që ka prodhuar mijëra faqe dokumente dhe hetime ndërkombëtare. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2019, ndërsa autoritetet amerikane e mbyllën rastin si vetëvrasje. /Marrë nga Koha.net











