MAGAZINË

Bill Gates thyen heshtjen për Epstein: “Bëra një gabim të madh”

Bill Gates ka pranuar se ka bërë “një gabim të madh” që ka kaluar kohë me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, gjatë një takimi me stafin e fondacionit të tij bamirës.

Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, bashkëthemeluesi i Microsoft u ka kërkuar falje punonjësve, duke thënë: “Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme.” Ai shtoi se ishte “gabim i madh” të takohej me Epstein, por mohoi të ketë pasur ndonjë lidhje me viktimat e tij.

Fondacioni Bill & Melinda Gates Foundation konfirmoi se gjatë një takimi të planifikuar me stafin, Gates “foli hapur” dhe “mori përgjegjësi për veprimet e tij”, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth publikimit të dosjeve të reja të Departamentit Amerikan të Drejtësisë në janar.

Sipas raportimit, Gates tha se u takua me Epstein për herë të parë në vitin 2011, disa vite pasi ky i fundit kishte pranuar fajësinë për kërkesë prostitucioni ndaj një të miture. Ai vazhdoi ta takonte deri në vitin 2014, por theksoi se “nuk qëndroi kurrë për natë” në pronat e tij dhe nuk vizitoi ishullin famëkeq.

Në deklarimet e tij, Gates pranoi gjithashtu se kishte pasur dy lidhje jashtëmartesore me gra ruse, por mohoi pretendimet e publikuara në disa email-e të përfshira në dosjet e Epstein, të cilat sugjeronin akuza për sjellje të papërshtatshme. Zëdhënësi i tij i ka quajtur këto pretendime “plotësisht absurde dhe të pavërteta”.

Ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, me të cilën u divorcua në vitin 2021 pas 27 vitesh martesë, ka deklaruar më herët se publikimi i dosjeve i ka rikthyer “kujtime të dhimbshme” nga martesa e tyre. Në një intervistë për NPR, ajo u shpreh se pyetjet e mbetura duhet t’i adresohen vetë ish-bashkëshortit të saj.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual.

Fondacioni Gates ka theksuar se nuk ka pasur kurrë bashkëpunim financiar me Epstein dhe se asnjë fond nuk është krijuar me të, pavarësisht disa kontakteve të kufizuara me një numër të vogël punonjësish.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button