Bushati godet Ramën: S’ka më vijë ndarëse mes shtetit dhe pushtetit

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nga Shkodra ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, lidhur me mungesën e ndarjes mes politikës dhe administratës publike, si dhe shfrytëzimin e kësaj të fundit edhe gjatë orarit zyrtar të punës.
Gjatë fjalës së tij në një aktivitet të qendrës rinore “Arka”, Bushati theksoi se nën qeverinë Rama nuk ekziston më një vijë ndarëse mes shtetit dhe pushtetit. Ish-ministri solli si shembull një takim partiak të thirrur nga Rama me drejtues të administratës publike gjatë orarit zyrtar të punës.
“Çfarë më bëri përshtypje? Dje-pardje, kryeministri kishte mbledhur në një takim drejtuesin politik të qarkut të Tiranës, ku një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin drejtorë institucionesh shtetërore, që hynin në selinë e partisë në orar zyrtar pune. Pra, një tregues i qartë se nuk ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit.
Ndërkohë që drejtori është aty për t’i shërbyer, gjatë 8-orëshit të punës të paktën, socialistit, demokratit, ballistit etj. Pas atij 8-orëshi mund të bëjë çfarë të dojë.
Në rastin e Shqipërisë nuk është çështje ndryshimi sistemi, por garantimi i fushës së lojës dhe kapaciteti, apo gatishmëria, për të pranuar humbjen e pushtetit. Në shoqëri që nuk kanë kulturë demokratike, rotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit për të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Ne duhet të ndajmë administratën e shtetit nga partia”, – u shpreh Bushati mes të tjerash.
Bushati, sot lektor në Harvard University, deklaroi gjithashtu se problemet e mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri vijnë si pasojë e faktit se politika ende nuk e ka ndarë mendjen për t’i zhvilluar ato pa vjedhje votash dhe me transparencë në financimin e partive politike.
Ditmir Bushati ishte i ftuar në Shkodër në qendrën rinore “Arka”, ku foli mbi temën “Lidershipi në kohë të pasigurta”.
https://vt.tiktok.com/ZSuL1qyP1









